Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur që të shkarkojë prokurorin Besnik Canin, duke bërë që me largimin e tij Këshilli i Lartë i Prokurorisë të mbetet me 10 anëtarë. KPA në arsyetimin e këtij vendimi, thekson se prokurori Cani nuk ka bërë deklarim të saktë të pasurisë.
Fillimisht Prokurori, Besnik Cani u konfirmuar në detyrë më 27 nëntor 2018 nga trupa gjykuese e udhëhequr nga Olsi Komici, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtare Brunilda Bekteshi. Dy javë më pas, Cani u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë megjithëse kishte probleme me pasurinë.
Por vendimi i KPK për Besnik Canin u ankimua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) dhe pas tyre edhe nga Komisioneri Publik të cilët kritikuan vendimin e konfirmimit në detyrë të tij, pavarësisht problemeve të shumta me pasurinë, aftësitë profesionale dhe shkeljen e etikës. Sipas Komisionerit Publik, vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ishte “kontradiktor dhe jo-bindës” dhe se ishte marrë në interpretim të gabuar të ligjit.