Teksa opozita përgatitej për protestën e 9-të kombëtare në Bulevard vërshonin informacionet sidomos nga radhët e policisë se do ketë përplasje, dhunë, madje disa media shkuan më larg, raportuan se kinse po bëhej gati lirimi i disa të burgosurve të rrezikshëm. Dhe në këtë frymë, ne, gazetarët kishim parashikuar një ditë të gjatë dhe të lodhshme pune. Shto dhe faktin tjetër se protesta vinte pas përgjimeve të hidhura të “Bild” ku eksponentë të lartë të PS ishin përgjuar në telefon duke folur për tjetërsimin e votës së dibranëve.
U nisëm për në protestën e 21 Qershorit, rreth orës 19:00. Tek mbikalimi i Pallatit me Shigjeta ishte një patrullë e përforcuar policie, me forca speciale. Ata kryenin kontrolle sporadike në disa mjete. Ne kaluam lirisht dhe po ashtu parkuan pa vëshirësi në rrugët e Bllokut. Në fakt pjesa më e madhe e njerëzve i ishin drejtuar Bulevardit kryesor të Tiranës “Dëshmorët e Kombit” në këmbë. I shikoje tek ecnin me bluzat “Rama ik” apo me flamuj nëpër duar. Kur mbërritën ishte akoma shpejt. Vapë, shumë vapë. Në kafen mbi Bulevard, tek “Kullat Binjake” kishte më shumë të huaj se shqiptarë. Vëzhgues mbase…apo punonjës të ambasadave.
Bulevardi nis të mbushet pas orës 20:00. Është ende ditë…. e po është 21 Qershori, dita e solstikut të verës. Ndryshe dita më e gjatë e vitit.
Bien vuvuzelat. Valviten flamujt. Më së shumti dallohen flamuj gjermanë dhe ato të BE-së, SHBA-së, por edhe flamuj Kombëtar dhe të PD-së. Nga qendra e zërit bëhen thirrje e vazhdueshme “Rama ik” “Shqipëria si gjithë Europa”, recitohen vargje, kryesisht të poetëve të njohur me nota patriotike.
Pas disa minutash vërshojnë grupet militante të PD-së. Ato kanë ardhur të organizuar sipas degëve apo grup-seksioneve. Dallohen lehtësisht janë me gishtat lart gjithë kohës dhe shumë euforikë. Po kaq dhe grupet e organizuara të LSI-së, PDIU-së, etj.
Pas tyre mbërrin i rrethuar po nga mbështetësit, lideri i PD-së Lulzim Basha. Befas gjithë njerëzit që deri në ato momente kishin qendruar të shpërndarë nëpër ‘xhepat’ e Bulevardit bashkohen përballë Kryeministrisë. Ka shumë njerëz…vazhdojnë të vijnë akoma.
Me sa duket deklarata e Bashës se “do të jem në protestë me vajzat e mia”, kishte motivuar edhe qytetarët. Shumë prej tyre ishin në protestë bashkë me fëmijët. Madje shihen nëna që kanë marrë të vegjlit e tyre me karroca në protestë. Tingëllon çuditshëm, por është e vertetë…
Pas fjalimit të Bashës, priteshin kapsollat (si në protestat e shkuara) por kjo nuk ndodhi. Qytetarët ndezin të gjithë dritat e celularëve, që lideri demokrat i ka cilësuar “drita e shpresës”.
Më pas vazhdon marshimi drejt Parlamentit. Për shumëkënd atje mendohej se do ndodhte “lufta”. Por në fakt protesta u zhvillua normalisht dhe aty. Nga Parlamenti protestuesit fillojnë të shpëndahen, vetëm një grup e ndjek Bashën deri në seli ku mbajti edhe fjalimin e fundit falenderues.
Protesta u mbyll para orës 23:00. Ndjehej një lloj lehtësimi tek të gjithë, përfshirë edhe forcat e policisë…Turmat e njerëzve u shpërndanë qetësisht nëpër rrugët e Tiranës.
Dita që pason është kjo e sotmja…Pa asnjë deklaratë. Pa asnjë koment.
A thua gjakrat janë qetësuar dhe vetë prezenca e madhe e njerëzve në shesh e ka shenjuar tashmë ndryshimin…?!
/Mapo.al