Aktualitet

Vëzhgim/Të rinjtë që po sjellin jetë në Fonderinë e Gizës në Tiranë






               Publikuar në : 11:29 - 14/07/19 |
mapo.al

Nga Alessia Selimi


Të rinjtë shqiptarë e kalojnë pjesën më të madhe të kohës në kafene dhe lokale. Të paktën kështu rezultoi nga një studim i Fondacionit “Friedrich Ebert” në Tiranë, që u bë publik në muajin prill. E megjithatë, ka të rinj që e vrasin mendjen për të bërë dicka. Ka nga ata ku hedh shtat ndjenja qytetare dhe përgjegjësia për të sjellë një ide, një projekt të bukur për vendin e tyre.

Mapo ju fton për një udhëtim surprizues drejt ish-Uzinës së Autotraktorëve, ku godina e Repartit të Fonderisë së Gizës është rijetësuar pikërisht nga një grup të rinjsh. Kjo periferi e qytetit, e varfër dhe pa asnjë aktivitet, nuk është më njësoj. Aty ziejnë mendimet dhe ka gjallëri si kurrë më parë.

Ata nuk kanë qenë të vetëm në krijimin e Tirana Social Cultural Center; janë djersitur e nxirë nën rrezet e nxehta të diellit, pa kurrfarë shpërblimi monetar, së bashku me të rinjtë e qendrave social-kulturore Toestand (BE), Termokiss (Kosovë) dhe SCS Tetova (Maqedonia e Veriut). Në një unitet të pazakontë dhe për t’u patur zili, puna e tyre duket se është vlerësuar dhe mirëpritur edhe nga komuniteti vendas. “Milingona punëtore”- shprehet për to një banor i zonës.

Rea Lemnusha është një studente në fushën e planifikimit dhe menaxhimit urban. Ajo tregon se përfshirja në këtë projekt që vjen nga Belgjika, nuk lidhet ngushtësisht me profesionin e saj të ardhshëm sesa me dashurinë për të rivitalizuar ato zona e ata qytetarë që janë kllapuar nga monotonia. “Fillimisht, kur ishim vetëm 6-7 persona, pas shumë kërkimesh, zgjodhëm Repartin e Fonderisë së Gizës në Shkozë. Dhe jo më kot. Ndonëse u diskutua së tepërmi largësia nga qendra e Tiranës dhe vështirësitë që na shtroheshin përpara për të transportuar mjetet e punës, nuk u stepëm. Ishin pikërisht banorët e zonës që na shtynë të ndërmerrnim këtë iniciativë. Kur dolëm t’i pyesnim paraprakisht se çfarë do të dëshironin që t’iu ofrohej, e dini ç’na thanë? Kurse të gjuhës së huaj angleze. Thjesht nuk mundeshim”-shprehet Rea, e cila përshëndetet sakaq me shoqen e saj, Misuelën.

Me një bluzë të bardhë që në të vërtetë ka marrë ngjyrë hiri, të ngritur aq sa të lejon t’i shohësh barkun e sheshtë, Misuela duket qartazi se e dashuron atë lopatë që mban në duar. Nën ritmin e muzikës së lartë që është përzgjedhur për të qendruar në sfond, po shtohen mure dhe po ndërrohen xhama. Nuk do të ketë më krisje…

Edonis Hashani ka ardhur nga Kosova për të dhënë ndihmën e tij. Ai është administrator i Termokiss-it në Prishtinë, strukturës konkrete në periferi e cila është shndërruar përpara tre vitesh në një qendër sociale ku të rinjtë mund të ndjejnë puthjen e ngrohtë të jetës shoqërore. Ai nuk ngurron ta shprehë punën e përbashkët si shembullin më të mirë të shkëmbimit kulturor.

Kur e pyesim Edonisin për ndonjë pakënaqësi të hasur gjatë 10 ditëve punë, përgjigjet pa u menduar dy herë se procesi është shoqëruar veçse nga debate konstruktive. “Nuk është e vështirë që të merremi vesh me njëri-tjetrin sepse me thënë të drejtën jemi shumë të lodhur dhe të përfshirë me projektin dhe nuk kemi aspak energji për t’u kapur për gjëra të panevojshme”-ndërhyn Izabel, për t’iu rikthyer vetëm pak çaste më pas punës me trapan.

Izabel është 25 vjeç dhe vjen nga Parisi. Me origjinë është nga Afrika. Shqipërinë nuk e sheh shumë larg saj. “Tirana më duket mjaft interesante dhe për të qenë e sinqertë, ndihem mjaft e lidhur me të. Mjafton të marrësh një biçikletë dhe përgjatë një rrugëtimi 10 minutësh ti arrin të kuptosh se ka fragmentarizim të llahtarshëm brenda shoqërisë. Kjo gjë më kujton shumë qytetet afrikane…”-shprehet Izabel.

Ndihet sikur humbi fillin e bisedës dhe kësisoj tund kokën me kaçurrelat e beshem, drejton sytë e mëdhenj si bajame dhe thotë se lodhja fizike për Tirana Social Cultural Center s’mund të mohohet ashtu sikurse nuk mund të nënvlerësohet kënaqësia shpirtërore.

“Pas fazës së punimeve, rëndësi ka menaxhimi që do t’i bëhet kësaj qendre social-kulturore Puna jonë (i referohet të rinjve të huaj) do të stopohet këtu, sepse ne do të rikthehemi aty ku punojmë dhe jetojmë. Gjithçka do t’i mbetet përsipër të rinjve shqiptarë”-shprehet ajo, e mbështetur menjëherë nga Rea, e cila i drejtohet këndit të kuzhinës së improvizuar, ku enët dhe gotat janë radhitur si pllakat e dominosë.

“Gjithçka do të fillojë duke nisur nga pasditja e së shtunës. Qendra u përurua në orën 19:00. U ftuan të gjithë banorët e zonë, pasi ata do ta shfrytëzojnë kryesisht këtë hapësirë. Në të ardhmen do të organizohen aktivitete argëtuese, trajnime, workshop-e, kurse të gjuhëve të huaja, gjithçka do të jetë për ta. Do të funksionojë mbi baza vullnetare, pa hierarki, dhe qytetarët e zonës më në fund do të mund të dalin nga rrjedha e zymtë e një dite të gjatë…”

Sot lamë pas një tjetër ditë të zgjatur…lamë pas dhe mure të një historie rrënimi që rreket të rijetësohet. Edhe disa govata, çekiçë e trapanë të përmasave të shumëllojta. Por, vullnetin e hekurt të të rinjve për të shërbyer e kontribuar për qytetin e banorët e asaj zone, nuk mundëm dot.

*Pamjet janë mundësuar nga fotografi Florian Goga


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas