fbpx

Aktualitet

VËZHGIMI/ Çfarë po kërkojnë djemtë e Thurjes





               Publikuar në : 08:15 - 16/11/19 |
Blerina Gjoka

Nga Blerina Gjoka


Lëvizja politike anti-sistem që lindi nga Facebook-u, nga një rrjet komunikimi online deri te mbledhja e 50 mijë firmave për ndryshimin e sistemit zgjedhor. A ka një ideologji politike pas tyre dhe kush i financon? Flasin për Mapo-n nismëtarët Endri Shabani dhe Panajot Soko



Në oborrin e një godine 1-katëshe pranë Pazarit të Ri të premten pasdite janë mbledhur një duzinë qytetarësh. Shumica prej tyre fillimisht janë njohur me njëri-tjetrin duke përdorur hashtagun #thurje në facebook. Një rrjet që nisi të thurej në Tiranë, por i shtriu fijet në Berlin, Londër, Milano, New York e në të tjera qytete ku jetojnë shqiptarët.


Nën simbolin e hashtagut që nënkupton thurjen # ata kanë gjetur një mënyrë që frustrimin e tyre të përditshëm kundër politikës tradicionale ta përkthejnë në një lëvizje qytetare duke artikuluar çështje të ndjeshme të ditës.

Pjesëtarët e nismës u përkasin të gjitha moshave, por shumicën e përbëjnë të rinjtë, studentët, i përkasin profesioneve të ndryshme, disa vijnë me një shkuar politike në partitë tradicionale, një numër i konsiderueshëm jetojnë jashtë vendit etj. Fija e bashkimit është zhgënjimi ndaj politikës gati 30-vjeçare në Shqipëri, që për ta nuk ndryshon shumë nga partitë që vijnë në pushtet, të cilat qeverisin njësoj, duke dobësuar shtetin dhe forcuar individin dhe partinë, me një retorikë politike që kanë në qendër njerëzit dhe jo idetë dhe çështjet.

Më aktivët e kësaj lëvizjeje, ata që mund të shihen si liderët e saj, dhe pse nuk ka pasur një votim për këtë, janë Endri Shabani, ekspert në shkencat politike, pedagog dhe Panajot Soko, ekspert ekonomie, të cilët sot i gjen në çdo studio televizive. Lëvizjes çdo ditë i bashkohen ekspertëtë fushave të tjera. Rasti më i fundit që krijoi bujë në internet ishte mjeku Artan Koni me videon e tij ku denonconte koncesionet në shëndetësi.

Që nga viti 2014, kur Thurje u bë publike në botën online, ka arritur të krijojnë një lëvizje politike që i numëron 180 mijë ndjekës në rrjet. Së fundmi, nismëtarët e saj kanë dalë nga rrjeti i internetit për t’u përballur me rrjetin tokësor dhe për të kuptuar sa mbështetet ideja e tyre anti-sistem nga shqiptarët. Prej disa javësh po organizojnë takime të zgjeruara në disa qytete të Shqipërisë.

Takimet janë organizuar në një model “Tedtalks” ku sallat e teatrove mbushur me qytetarë dëgjojnë argumentet e përfaqësuesve të nismës Thurje nën moderimin e pedagogut dhe aktivistit Erion Kristo.

Si një lëvizje e lindur në epokën teknologjike Thurje ka sjellë disa risi në politikën shqiptare. Ata janë e para lëvizje politike që funksionon kryesisht online dhe strukturat nuk i ka në zyra po në grupe facebook-u, vendimeti marrin po ashtu në rrjet me një klikim në telefon. Për ta bërë më të lehtë këtë po krijojnë edhe një aplikacion të posaçëm. Ndjekësit e tyre i kanë testuar po në internet para se të zbrisnin në terren. Kanë thyer mitin e financimeve për lëvizjet politike, të cilat vijojnë të jenë jo transparente në pjesën më të madhe. Për herë të parë ata kanë hapur një fundraising online duke mbledhur nga dhurimet plot 11 mijë euro me të cilat po vijojnë takimet në rrethe. Besojnë gjithashtu se kanë sjellë risi në qasjen ndaj politikës duke iu kundërvënë të gjitha palëve dhe duke i rreshtuar në të njëjtën bankë fajtorësh dhe pse skeptri sot i drejtohet kryesisht qeverisjes së Rilindjes duke organizuar disa protesta gjatë këtyre viteve kundër politikave apo vendimeve të saj. Aksioni i tyre kryesor tani për tani është përqendruar te mbledhja e firmave për ndryshimin e sistemit zgjedhor, ku kanë arritur 50 mijë firma, me të cilat shpresojnë t’i bëjnë presion politikës që ta bëjnë realitet nëpërmjet reformës së re zgjedhore. Për të arritur këtë kanë kërkuar mbështetjen e opozitës së drejtuar nga Lulzim Basha. Thurje kërkon një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura, duke besuar se vetëm kjo do të zvogëlonte rolin e kryetarëve të partive në hartimin e listave të deputetëve dhe do t’i jepte votuesve një rol të drejtpërdrejtë në zgjedhjen e përfaqësuesve të tij në Kuvend.

Thurje nuk ka një ideologji politike të deklaruar. Ata që i janë bashkuar vijnë nga formime të ndryshme politike, të majtë e të djathtë, por besojnë se për vendin tonë emergjente është zhbërja e establishmentit politik të krijuar, korrupsionit, lidhjeve të politikës me krimin, çkapja e shtetit nga partia në pushtet etj., se sa një ideologji politike e caktuar.

Akoma nuk kanë vendosur nëse do të kthejnë këtë energji në një parti politike dhe të futen në zgjedhje. Tani për tani po luftojnë për ndryshimin e rregullave të lojës pasi nuk i besojnë një sistemi të vjetër që sipas tyre ruan establishmentin politik të deritanishëm.

Edhe pse Thurje duket si emër i çuditshëm për një parti politike, ata po e thyejnë këtë paragjykim duke krijuar simpatizantët e tyre. Ndaj tyre ka dhe shumë dyshues, siç ndodh me nismat e reja, por në fund të ditës djemtë e Thurjes deri më tani nuk kanë asnjë llogari për të dhënë; nuk janë votuar kurrë; nuk kanë bërë premtime që s’i kanë mbajtur dhe janë futur në politikë duke besuar se po mbushin një vakum përfaqësimi, për t’iu dhënë zë pikërisht të zhgënjyerve nga politika, si vetë ata.

Panajot Soko: Duhen rregulla të reja, elitë e re politike

Çfarë është nisma Thurje dhe pse u bëtë pjesë e saj?

Nisma Thurje ka një histori shumë të thjeshtë në fakt. Dhe historia daton diku nga fundi i vitit 2013 (nuk e mbaj mend datën ekzakte që të jem korrekt). Ishim mbledhur me një grup miqsh dhe po diskutonim mbi politikën shqiptare, por jo për ngjarje konkrete të përditshme politike, por mbi strukturën sesi ishte ndërtuar gjithë ngrehina politike e pas viteve ’90. Në bisedë e sipër vendosëm që të ndërtonim një platformë e cila do të kishte dy qëllime fillimisht. E para ishte në drejtim të informimit publik, duke filluar që nga denoncimi i ngjarjeve me sfond korruptiv, denoncimi i iniciativave ligjore që shkonin ndesh me interesin publik, dhënien zë të shqetësimeve qytetare etj.. Dhe e dyta ishte krijimi i kulturës së reagimit masiv qytetar që vjen i pavarur nga partitë politike. Kjo sepse deri më atëherë nuk kishte pasur një kulturë të mirëfilltë të reagimit të pastër qytetar, pra protesta masive qytetare të padrejtuara nga ndonjë parti politike, por kishte më tepër reagime urbane me simbolika të ndonjë organizate të shoqërisë civile, por jo protesta masive.

Në atë takim pati shumë propozime për emrin, por Thurje ishte emri që na dakordësoi të gjithëve, për shkak të simbolikës që procesi i thurjes mbart që tregon bashkim -por jo mekanik-bashkim i kombinuar, tregon forcë, cilësi dhe estetikë.

Për realizimin e qëllimit të parë ne ngritëm një faqe në Facebook me emrin Nisma #Thurje dhe e përdorëm atë si një platformë komunikimi direkt, larg mass-medias tradicionale. Kjo na shërbeu shumë, pasi duke qënë të pavarur nga mediat, ne ishim të lirë të përcillnim informacionin që kishim, idetë tona, konceptet tona të pangacmuara nga interesi i njërit apo tjetrit pronar mediash. Punën intensive dhe konkrete me faqen ne e kemi nisur diku në vitin 2014 dhe prandaj ne quajmë si vit themelimi të Nismës vitin 2014. Për realizimin e qëllimit të dytë ne krijuam një grup të mirëfilltë aktivistësh me të cilët thërrisnim protesta nga grupe të ndryshme interesi. Protesta e parë masive e organizuar mirëfilltazi nga ne ka qënë ajo kundër ligjit të supergjobave. Aty oranizuam gjithë tregëtarët e Tiranës (madje na u bashkuan dhe nga rrethet) dhe arritëm të mblidhnim përpara kryeministrisë rreth 3.000 vetë që në atë kohë ishte shumë për një aktivitet totalisht jo partiak. Dhe më pas vijuam me shumë protesta të mëdha, ku më të madhen do të veçoja protestën për ndalimin e importit të mbetjeve, ku ne operuam si pjesë e AKIP-it. Aty janë mbledhur rreth 6.000 persona që marshuan nga Parku Rinia drejt Kryeministrisë. Dhe kështu vazhduam rrugëtimin deri sot, ku kemi ndërmarrë një nismë të parealizuar më parë, për ndryshimin e sistemit të përfaqësimit politik, iniciativë që është mbështetur nga 50.000 qytetarë shqiptarë.

Çfarë kërkon Thurje? A mund ta konsiderojmë si një lëvizje anti-estamblishment? Pse?

Në thelb ajo që kërkojmë është ndryshimi i këtij realiteti politik, duke përfshirë çdo gjë që e përbën këtë realitet – pra kërkojmë një lojë të re, me rregulla të reja dhe me lojtarë të rinj.

Ku jemi sot? Ku është Shqipëria 30 vjet pas daljes nga sistemi komunist? – Ne sot jemi vendi më i varfër në Europë, me kulturë demokratike ende latente, me një Kushtetutë që është kthyer në letër tualeti, me insitucione që nuk janë por dhe kur janë nuk funksionojnë, me korrupsion rekord në Europë, me një emigracion si një vend në luftë, me një shërbim shëndetësor që nuk funksionon, me një sistem arsimor që në fund prodhon kartona dhe jo diploma dijesh, me strukturë të bëri biznes ku mbizotëron kapja e ekonomisë nga monopolet, me investime publike totalisht jashtë çdo koncepti ekonomik etj.etj..

Pse ka ardhur kjo? Sepse në Shqipëri për 30 vjet ata që na kanë drejtuar, janë kujdesur që të ngrejnë pushtetin e tyre mbi shtetin. Për t’i bërë të qarta konceptet – shteti është ligjet, rregullat, aktet, institucionet; pushteti janë njerëzit që qëndrojnë në krye. Në këtë aspekt, shteti tek ne ka qënë gjithmonë i dobët, ndërsa pushteti (individi) ka qënë gjithmonë ifortë. Dhe ky është një korrelacion qe teorikisht funksionon sipas aksiomës “Sa më i fortë shteti, aq më i dobët pushteti dhe anasjelltas”.

Kush janë shkaktarët e këtij raporti jo-demokratik? Natyrisht është kjo klasë politike që nuk ndryshon prej 30 vjetësh dhe që ka mendësinë e shtet-formimit bazuar në modelin e diktaturës (sepse ai është modeli me të cilin janë rritur dhe ate model dinë). Dhe pse arrin kjo klasë politike që të mbijetojë kaq gjatë e të jetë dhe e suksesshme në agjendën e saj? – Sepse mekanizmat aktual shtetformues, kontrata sociale ekzistuese, apo më thjesht rregullat ekzistuese të lojës ua lejojne atyre të mbijetojnë 30 vjet në karrige dhe të realizojnë agjendën e tyre të forcimit të pushtetit personal, në kurriz të dobësimit të shtetit.

Prandaj ne besojmë se, që të ndryshojë jeta e shqiptarëve, duhet të ndryshojë realiteti politik pikë së pari. Që të ndryshojë realiteti politik duhen ndryshuar elitat politike, pra duhet të vijnë njerëz të rinj, me ide të reja, ide novatore, me një bagazh kulturë demokratike, me koncepte të reja që të kenë çfarë të japin. Dhe që të ndryshojnë elitat politike duhen ndryshuar rregullat e lojës. Pra duhet hapur loja, mos jetë më politika pronë e 3-4 njerëzve në Shqipëri. Duhen rregulla të reja.

Dhe ndryshimi i rregullave të lojës, hapja e sistemit politik për frymën e re, është ajo që ne kërkojmë. Dhe po, mund të quhemi një lëvizje e pastër anti-establishment, nëse dikush dëshiron të na quajë kështu.

A ka Shqiperia një terren të përshtatshëm për lindjen e lëvizjeve të reja të suksesshme? Sa premtuese është e ardhmja për ju?

Fillimisht dua ta ndaj togfjalëshin tuaj “terren i përshtatshëm” në dy pikepamje.E para, nga pikëpamja e dëshirës popullore, e kërkesës qytetare për një gjë të re, mund të them me plot gojën që Po! – Ka një thirrje shumë të fortë që vjen nga qytetarët të cilët, të lodhur nga gjithë ky realitet, duan të shohin që ky vend ka një dritare nga ku mund të hyjë shpresa. Dhe ne këtë e kemi ndeshur në gjithë turin që kemi ndërmarrë nëpër Shqipëri, ku prezantojmë tufën tonë të ideve si mund të ndryshojë ky vend, që e kemi quajtur Karta 2020. Pra nëse fjala “terren i përshtatshëm” i referohet mjedisit publik qytetar, atëherë them me plot gojën që po, ka një terren të përshtatshëm për prezantimin e ideve të reja politike (pra jo detyrimisht forca të reja, por koncepte të reja politike qoftë edhe brenda forcave ekzistuese).

E dyta, nëse i referohemi atij realitetit politik, atyre rregullave të lojës që përmenda më lart, atëherë mund të them që Shqipëria sot nuk ka një terren të përshtatshëm për ide të reja novatore, apo forca të reja politike. Dhe kjo është provuar. Çdo tentativë për të hyrë në politikën e vendit e bërë nga forca të reja politike të dala pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, ka dështuar totalisht. Që të gjitha! Pse? – Sepse këtu politika është e kapur nga 3-4 njerëz që tentojnë ta ruajnë oligopolin me çdo kusht.

Nisur nga këto dy pikëpamje të konceptit “terren i përshtatshëm” kemi ndërtuar dhe vizionin tonë për veprimet që duhet të ndërmarrim. Idea është të përdorim pikën e fortë tonën për të zhbërë pikën e dobët. Të përdorim dëshirën popullore për një ndryshim me themel të realitetit politik, për ta ndryshuar atë.

A do të jetë e lehtë? – Absolutisht jo. Por ne jemi të vendosur që t’i shkojmë deri në fund. Të vendosur taa bëjmë politikën në Shqipëri një sport ku të gjithë ata që kanë idetë, vizionin dhe dëshirën të bëhen pjesë pa i penguar njeri, sido që ta ketë emrin. Sepse vetëm dukë përfshirë më të mirët, Shqipëria mund të ecë përpara.

Çfarë ju dallon me partitë politike tradicionale? A do t’i konkurroni ato në zgjedhje?

Në fakt, ne nuk jemi një parti politike, jemi një Nismë qytetare. Dmth nuk jemi një formacion elektoral për momentin dhe ky është dallimi i parë.Ne nuk jemi në lojë, ne duam të ndryshojmë rregullat e lojës dhe ky është dallimi i dytë. Partitë ekzistuese (ato që kanë marrë mandat përfaqësimi sot) janë e kundërta jonë, ato janë vetë në lojë dhe nuk duan të ndryshojnë rregullat e lojës. Ne duam të zhbëjmë këto rregullat ekzistuese që prodhojnë një pseudo-demokraci. Kërkojmë një demokraci prej vërteti, pasi besojmë se vetëm demokracia prodhon progres. Çdo formë tjetër autokracie (sepse ka vetëm një formë demokracie – çdo gjë tjetër është thjesht autokraci, nganjëherë e fshehur..) prodhon vetëm stanjacion ose regres.Për ta arritur këtë na duhet patjetër të ndryshojmë rregullat e lojës.

Në lidhje me pyetjen tuaj mbi marrjen pjesë ose jo në zgjedhje, e gjykoj totalisht të parëndësishme faktin nëse futemi apo jo, krahasuar me misionin që kërkojmë të arrijmë që është reformimi i plotë i realitetit politik. Le të ndryshojmë rregullat e lojës, vendosim ca rregulla të reja, të ndershme. Dhe aty pastaj le të hapet gara, të futet kush të dojë e të fitojë ai që ka vizionin më të mirë për vendin dhe që vetë njerëzit e mbështesin më shumë. Në atë moment ne jemi të fituar gjithsesi, sepse Shqipëria më në fund do të kthehet në rrugën e drejtë të zhvillimit.

 

Endri Shabani:Ne nuk jemi parti politike, por i konkurrojmë ato fort

Pse u bëre pjesë e Thurjes?

Sepse unë mendoj që çdo anëtar i komunitetit ka përgjegjësi të bëjë diçka për vendin e vet. Prej kohësh jemi mësuar që vetëm të shtrojmë pyetjen “çfarë mund të marrim nga shoqëria?” pa menduar se nëse të gjithë sillemi në këtë mënyrë, ky vend nuk do të ketë më të ardhme. Unë jam bashkuar Thurjes, pikërisht se në këtë grupin ekuacioni shtrohet “si mund të kontribojmë ne sot për këtë vend ku kanë jetuar gjyshërit tanë, dhe ku do të jetojnë fëmijët tanë?”. Kjo përgjegjësi i jep kuptim jetës dhe e kthen atë jo në qëllim në vetvete, por në një mjet për të arritur vetaktualizimin.

 

Çfarë kërkon Thurje? A mund ta konsiderojmë si një lëvizje anti-estamblishment? Pse?

Thurje kërkon të instalojë një demokraci pjesëmarrëse në Shqipëri. Fjala “ministër” do të thotë “shërbyes”, por në Shqipëri në vend që këta “shërbyesit” tanë të ketë frikë nga ne që iu paguajmë rrogën, ata sillen si pronarë të Shqipërisë. Thurja kërkon ta përmbysë këtë marrëdhënie, duke ndërtuar një sistem që fuqizon qytetarin dhe dobëson kryetarët.

A ka Shqiperia një terren të përshtatshëm për lindjen e lëvizjeve të reja të suksesshme? Sa premtuese është e ardhmja për ju?

Nuk e di, dhe nuk më intereson fare suksesi ynë si lëvizje. Ajo që mua më intereson është legjitimiteti i atyre që kërkojmë. Për sa kohë ajo që ne kërkojmë është e drejtë, unë besoj se e kemi arritur qëllimin tonë. Qëllon që Thurja është shumë popullore si lëvizje, por do të ishte po njësoj e rëndësishme edhe sikur kjo të mos ishte e vërtetë.

Çfarë ju dallon me partitë politike tradicionale? A do t’i konkuroni ato në zgjedhje?

Dallimi është shumë i qartë: ne nuk jemi parti politike. Përsa i përket konkurencës me partitë politike, ne nuk kemi pse të presim deri në zgjedhje. Ne po i konkurojmë ato përditë përmes narrativës sonë, çështjeve që diskutojmë dhe propozimeve që japim. Është në fakt një konkurencë e ndershme, sepse partitë kanë filluar të na ndjekin, çka tregon që edhe ato e kuptojnë rëndësinë e problemeve që ne po ngremë, por që ato duke u shkëputur nga votuesit e tyre nuk kanë arritur t’i identifikojnë dot vetë.

 


Etiketa: , , ,

Pas