Kryesore

Vëzhgimi/ Qeveria vjel miliona nga pronat, por pronarëve nuk u jep asgjë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:05 - 14/05/20 |
Armand Maho

Në dy ditë me rradhë, Gazeta MAPO, në shkrimin kryesor ka pasur çështjen e pronave, dhe kompensimin për ish-pronarët. Reagimi ynë erdhi pas një vendimi të marrë nga Gjykata e Strasburgut, që sipas specialistëve dhe juristëve të fushës lë në fuqi, një ligj diskriminues, abuziv dhe shkatërrues për pronarët e ligjshëm.


Të dhënat e MAPO, çuan në përfundimin se qeveria shqiptare ka lobuar fort për këtë vendim, që për juristët e fushës nuk është në natyrën e kësaj gjykate e cila pretendon të mbrojë të Drejtat e Njeriut, dhe e paprecedentë për ndonjë vend tjetër. Pronarët në Shqipëri janë ajo kategori që prej 30 vitesh pret të marrë pronën, të rrëmbyer me përdhunë nga rregjimi komunist. Një e drejtë që në të gjitha kushtetutat apo konventat, njihet si një e “drejtë natyrore” e njeriut, siç është fjala vjen liria.


“Liria dhe pasuria janë të drejta natyrore të lindura të njeriut dhe shteti duhet të sigurojë mbrojtjen e tyre“: thotë filozofi Anglez John Locke! Por a po ndodh kjo në Shqipëri? Faktet tregojnë që jo. Me dy ligje absurde, qeveria shqiptare kërkon të përmbyllë një proces i cili për hir të së vërtetës ka hapur jo pak andralla në këto vite të ndryshimit të sistemit. Konflikte gjyqe e deri vrasje brenda së njëjtës familje, kanë ndodhur pikërisht për shkak të sjelljes aspak ortodokse të politikës me ish-pronarët. Ligji i parë ka të bëjë me kthimin dhe kompensimin e pronës të hartuar në vitin 2015 nga qeveria Rama.


E gjithë kleçka në vendimin e gjykatës së Strasburgut, qëndron tek një artificë e ligjit, e cila përcakton se masa e dëmshpërblimit do të jepet sipas zërit kadastral në momentin e regjistrimit. Që do të thotë se, kompensimi do jepet në gjendjen që ka pasur toka në vitin 1945, kur rregjimi komunist shpronësoi tokat dhe pronat e atyre që i cilësonte borgjezë apo kulakë. Pra me pak fjalë, do trajtohet si tokë bujqësore.


Tirana
Tirana e asaj kohe nuk kishte më shumë se 25 vjet që ish shpallur kryeqytet. Krahasuar me qytetet e tjera të Europës, ngjasonte më së shumti me një fshat të madh. Hiq pjesën e sheshit Skënderbej , bulevardit Dëshmorët e Kombit, një investim i qeverisë së Zogut dhe më pas Italisë, apo Rrugën e Dibrës, pjesa tjetër ishte tokë bujqësore që përdorej nga familjet tiranase për të përmbushur nevojat e tyre. Në lindje, qyteti vazhdonte deri diku afër xhamllëkut, më tej ishte vetëm tokë bujqësore. Po ashtu dhe nga Jugu, ku pikë fundore ishte universiteti i Tiranës, madje shumë zona dhe në Tiranën e Re, cilësoheshin jashtë vijës së verdhë, që do të thotë se zona të tilla si Komuna e Parisit, Varri i Bamit deri në lart në Linzë, Alliasi deri në Tufinë zona pas stacionit të Trenit, Lapraka, Selita, zona e Astirit, Liqeni i Tiranës, Liqeni i Thatë, Farka e Lundra, Sauku, Kombinati dhe rrethinat e tij, kanë qenë toka fshati, që në hartën e vlerësimit nuk e kalojnë masën e 660 lekëve.

Ky ishtë zëri kadastral, në vitin 1945 me të cilin qeveria pretendon të kompensojë pronarët. Dhe kjo nuk vlen vetëm për Tiranën, por edhe për Durrësin, Elbasanin, Vlorën, Korçën e Shkodrën. Pra për ta bërë më të qartë, për 1 mijë metra tokë fjala vjen tek Komuna e Parisit, apo Liqeni i Tiranës, qeveria nuk të njeh më shumë se 660 mijë lekë kompensim. Themi nuk të njeh, se dhe për këto ka andralla të tjera. Pra në bazë të ligjit në asnjë rast nuk mund të merren më shumë se 40% e të gjithë vlerës, pra jo më shumë se diku tek 260 mijë lekë dhe pronarit i duhet të heqë dorë nga pjesa tjetër. Në rast se, kërkon që të kompensohesh menjeherë, atëherë mund të marrësh vetëm 20% të vlerës, apo rreth 130 mijë lekë për një mijë metra në një nga zonat më të lakmuara të Tiranës, ku vlera a atyre 1 mijë metra mund të shkojë dhe 1 milion euro. Ky është ligji që Gjykata Evropiane e të drejtave të njeriut la në fuqi disa ditë më parë.

Kadastra
Ligji i dytë u miratua në fillim marsin e këtij viti. Eshtë një ligj, që me pak fjalë i përmbledh të gjitha institucionet e pronës në një dorë, atë të Artan Lames drejtorit të ri të kadastrës. Hipoteka, kadastra ALUIZNI dhe gjithë të tjerat janë në varësi të tij tashmë, dhe vetë Lame varet direkt nga Kryeministri Rama. Eshtë emërtuar si: “Ligji Për përfundimin e Proceseve Kalimtare të Pronësisë” por që nuk është asgjë më shumë e asgjë më pak por një ligj elektoral dhe goditje përfundimtare e 26 mijë dosjeve të pronarëve të ligjshëm që presin tani e 30 vjet. Ky ligj merr përsipër të legalizojë dhe regjistrojë në hipoteka të gjithë paligjshmërinë ose abuzivizmin me ligj që ka ndodhur në këto vite.

Njeh pronar ata që kanë zaptuar dhe ndërtuar pa leje, ata që kanë marrë ndërtesa shtetërore me çmime qeshrake, oligarkët që kanë ndërtuar në vendet turistike, ata që kanë ndërtuar në bregdet, duke marrë tokë prona sa i hante syri, që dikur kanë qenë të tjetër kujt. Të vetmit, që përjashtohen nga ky proçes janë ish pronarët, të cilëve qeveria i tregon tashmë vendimin e Strasburgut. Dhenia e çertifikatës hipotekore shuan çdo shpresë për ankimim të mëtejshëm të çështjes. Falë dhe vendimit absurd të Strasburgut tanimë pronarët duhet të pranojnë atë çka u jep qeveria, që sështë asgjë më shumë se një tallje me ta. Mbyllje më të keqe të këtij proçesi e smund të kishte.

Taksa e shitblerjes
Por kur vjen puna te taksimi, qeveria nuk përdor të njëjtën peshore “drejtësie”, si me pronarët. Për ta bërë më të qartë, po publikojmë çmimet e referencës që qeveria përdor në rast shitblerjes së pronave në të gjitha qytetet dhe qarqet e vendit. Aty përfshihen dhe zonat, për të cilat qeveria vlerëson se pronarët duhet të kompensohen me vlerën e tokës bujqësore, ose sipas zërit kadastral të momentit të shpronësimit në vitin 1945. Duhet thënë se për këtë lloj tatimi, qeveria nuk ofron asnjë shërbim atyre që e paguajnë. Ajo shkon për shumëçka, por vetëm tek pronarët jo.

Për më tepër që qeveria Rama e rriti këtë taksën nga 10 që ishte deri në vitin 2013, në 15%,, çka do të thotë një rritje me rreth 50 përqind. Por a ka më shkelje të madhe të të drejtave të njeriut, se prona e trashëguar të përdoret për përfitime qoftë nga shteti apo nga të tretët për qëllime përfitimi dhe pronarët të mos marrin asgjë? Një pyetje të cilës shteti shqiptar iu përgjigj me dy ligjet famëkeqe që vulosi brenda një harku prej diccka më shumë se 60 ditësh.


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas