Policia ka sekuestruar 3,5 kg kokainë në pikën kufitare të Kakavijës. Është arrestuar zotëruesi i lëndës narkotike, 46-vjeçari Selim Lazaj, nga Patosi.
Gjatë kontrollit të detajuar të automjetit të këtij shtetasi, policia konstatoi se në baterinë e automjetit ishin fsheur dy pako të mbështjella me natriban, me kokainë brenda.
“Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur grupi hetimor dhe Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër. Nga peshimi i pakove rezultoi se brenda tyre kishte një sasi prej 3 kilogramë e 545 gramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve të kryera nga Specialistët për Hetimin Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit të lartpërmendur për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë. Neni 283/a i Kodit Penal”.