Në Bashkinë e Lezhës është bllokuar puna në dy KZAZ, por deri më tani nuk ka përplasje fizike. Gazetarët kanë qenë prezent dhe kanë filmuar momentin kur Policia Bashkiake ka shkuar pranë dy shkollave që shërbejnë si KZAZ, për të kërkuar lirimin e ambienteve. Bëhet fjalë për KZAZ-të me nr 12 dhe nr 13 të vendosura në dy shkollat “Besëlidhja” dhe “Hydajet Lezha”, të cilat prej 3 ditësh janë rrethuar nga forcat e Policisë së Shtetit.
Policia Bashkiake u paraqit sot për të verifikuar zbatimin e urdhrit të kryetarit të Bashkisë Fran Frrokaj, por nuk u lejua që të hynte brenda nga Policia e Shtetit. Pak para se të mbërrinte Policia Bashkiake, blute e Lezhes mbyllën derën kryesore për të penguar hyrjen e përfaqësuesve të bashkisë pavarësisht kërkesës për mbështetje, për lirimin e ambienteve në shkollat “Besëlidhja” dhe “Hydajet Lezha”.
Në komunikimin mes drejtuesve të Bashkiakes dhe Policisë së Shtetit u bë e ditur se brenda KZAZ-ve nuk kishte asnjë anëtar të saj. Policia bashkiake është tërhequr duke pritur një tjetër moment për të ndërhyrë në këto KZAZ.
Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, Policia Bashkia dhe mbështetës të opozitës kanë tentuar të lirojnë me forcë disa ambiente të KZAZ-ve në mbarë vendin. Policia e Shtetit sakaq ka hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Gjatë gjithë ditës së sotme kemi raportuar për momente tensioni në KZAZ-të e bashkive: Kamëz, Kukës, Burrel, Berat, Bilisht, Pogradec, Gjirokastër, Kavajë dhe Skrapar. Ndërsa dje ka patur përplasje në Shkodër dhe Tropojë. /Mapo.al
*Më poshtë pamjet e Lezhës