Dy turistë gjermanë ishin bërë kuriozë për të parë dhe filmuar ish-uzinën e Azotikut në Fier, por papritur kanë humbur biçikletat e tyre. Policia tha se një 19-vjeçar është hajduti që ka vjedhur biçikletat e turistëve. Policia arriti ti gjente ato ndërsa hajduti është shpallur në kërkim.
Njoftimi i policisë dhe pamje nga momenti kur turistët marrin biçikletat e tyre në komisariat:
Policia e Fierit falë bashkëpunimit me qytetarët u gjen në kohë rekord dy turistëve biçikletat që u kishte vjedhur një 19-vjeçar
Gjatë ndjekjes nga Policia autori mundi të largohet, por është identifikuar dhe shpallur në kërkim.
Në zonën e quajtur “Azotiku”, një shtetas u kishte vjedhur biçikletat dy turistëve gjermanë, duke shfrytëzuar momentin kur këta të fundit ishin duke filmuar.
Një qytetar, i cili kishte parë momentin e vjedhjes, njoftoi policinë dhe menjëherë drejt vendngjarjes u nis njësia “Shqiponjat”, e cila u vu në ndjekje të autorit. Gjatë ndjekjes, autori braktisi biçikletat në lagjen e romëve dhe arriti të largohet. Policia po punon për kapjen e shtetasit K. M., 19 vjeç dhe vënien e tij para përgjegjësisë ligjore.
Shërbimet e Policisë “Shqiponjat” u kanë dorëzuar biçikletat turistëve gjermanë, të cilët kanë falënderuar Policinë për gjetjen e tyre.
Policia e Fierit falënderon qytetarin për besimin, bashkëpunimin dhe reagimin qytetar, pasi raste të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në imazhin e vendit dhe fton cilindo që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin 112 ose në “Komisariatin Dixhital”, duke garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.