Kuvendi është përfshirë nga tensionet që në nisje të seancës, kur kryeministri Edi Rama nisi të flasë dhe tha se do t’i falte minuta e tij kreut të opozitës.
“Minuta e mia do ia fal liderit të opozitës, i kthyer këtu me mandate të pjekura, por jo të djegura. Askush më kollaj se vetë Lulzimi nuk mund t’u tregojë shqiptarëve pse zgjidhja e vetme është kjo maxhorancë qeverisëse, kurse unë vetë do të shkoj të vazhdoj dialogun me studentët”, ishte kjo fjala e Ramës që duket se ka acaruar deputetin e PD, Endri Hasa i cili tentoi ta qëllonte me vezë dhe topa boje.
Teksa Hasa është afruar në foltore për t’u përplasur edhe fizikisht me Ramën, ka ndërhyrë garda, ndërsa Kryeministri i kërkoi Ruçit që të nxirrte jashtë deputetin e PD.
“Nxirrej jashtë këtë”, tha Rama.
Ndërsa Ruçi i kërkoi Hasës që të lërë Kuvendit, pasi është i përjashtuar nga seanca e sotme.
Me tone të ashpra ka marrë fjalën në foltoren e parlamentit edhe kryedemokrati Lulzim Basha. “Lëri gomarllëqet, kemi ardhur për buxhetin e studentëve këtu. Gjysma prej jush duhet të jenë në burg. Ke shkelur Kushtetutën, ke shkelur procedurën, po kap edhe Bankën e Shqipërisë me 28 firma. Ky hajduti psiqik të ndalojë vjedhjet, lërini gomarrliqet, tufë horrash dhe banditësh. Vetëm banka të ka ngelur pa kapur, po do e shihni se ku do përfundoni,” u shpreh Basha.
Nga vendi replikoi me kryedemokratin, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla,të cilit Basha iu drejtuar me fjalët “qepe gojën ti, bandit”.
Burime nga Partia Demokratike bënë me dije se kjo e sotmja nuk do të jetë seancë normale.