Familja me 13 anëtarë e Esat Zykollarit nga fshati Gungas i Lushnjes, prej vitesh ka jetuar nga të ardhurat që u siguronte toka. Këtë vit ata mbollën 5 dylym sera dhe deri më tani nuk kanë shitur asgjë. Djemtë e familjes kanë vendosur të ikin në emigracion.
“Çunat e mi kanë qenë në Greqi, qeveria bëri propagandë dhe tha kthehuni tokës se do të merrni subvencione, bëni sera. U bë 8 vjet që merremi me këtë punë dhe ende nuk kemi marrë lekët që kemi hedhur”, shprehet fermeri, Esat Zykollari.
“Keni mbjellë domate, kastraveca, speca çfarë do bëhet me këtë prodhim? Do t’i hedhim të gjitha në tokë e do të ikim, jemi tre vëllezër do shkojmë të gjithë në Greqi. Kredi kam mbi 20 milion lekë të vjetra. Vjen data 20 dhjetor do lekët ai boti”, shprehet djali i Zukollarit.
Më tej djali i dytë i familjes shpjegon se “Kemi marë 22 milion lekë të vjetra kredi dhe vjen fundi e shikojeni vetë…. Përse nuk shitet ky prodhim? Si është historia e çmimeve të produkteve bujqësore? Thonë që kanë helme dhe hormone. Shteti le të vijë dhe të kontrollojë serat”.
Pas dështimit me serat, ata shprehen se do nisen për Greqi. Do mbledhin ullinj në Kretë. Por rrugën e emigrimit do ta marrin duke mbajtur kokën pas, sepse bashkëshortet dhe fëmijët do jenë të detyruar ti lënë në Lushnje.
/Top Channel