Gazetari i Klan+ Renaldo Salianji u dhunua nga truproja e Kryeprokurores Arta Marku, teksa kjo e fundit bisedonte me Mimi Kodhelin dhe deputetë të tjerë të PS-së. Marku refuzoi tu përgjigjet gazetarëve për hetimet që po zhvillohen për grabitjen e Rinas. Por Marku, jo vetëm që nuk u përgjigj, por vazhdoi rrugën e qetë, pasi një gazetarë ishte dhunuar në sytë e saj.
Vetë gazetari Salianji ka reaguar, dhe nxjerr në pah një tjetër element. Ai thotë se është deri diku i kuptueshëm reagimi i një truproje, por nuk arrin të kuptojë reagimin e kryetarit të Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja. Siç do ta shihni në pamjet më poshtë, Ulsi Manja tenton të mbrojë Markun, duke i larguar mikrofonin gazetarit.
Statusi i plotë i gazetarit
Injoranca nuk është Argument zonja prokurore PPP.
Mund të zgjedhësh të heshtësh për të mbuluar kokëboshësinë. Mund të zgjedhësh të mos flasësh për të fshehur budallallëkun që të karakterizon. Por nuk ke pse ushtron dhunë ndaj një gazetari, (të pa armatosur), të pa rrezikshëm, që do të dijë vetëm pse ju nuk nisni hetime për përgjegjësit e ngjarjes në aeroport.
Unë do të vazhdoj të bëj punën time me ndershmëri, dinjitet dhe pasion, ashtu siç e kam bërë deri tani. Unë nuk jam i përkohshëm. Nuk jam nga ata që i bëjnë fresk pushtetit, dhe nuk kam për të qenë kurrë.
(P.S. Mirë truprojën, e kuptoj, se është një copë mishi me dy sy që ashtu i kanë dhënë urdhër, po Ulqiu ç’të mamit të vet do që përpiqet të më largojë dorën, kur i drejtoj mikrofonin prokurores së përgjithëshme të përkohshme, për ta pyetur për hetimet e grabitjes? Pse i djeg Ulqiut?)”
GAZETARËT NË PROTESTË
Ditën e premte (12.04) rojet e sigurisë së Prokurores së Përgjithshme të Përkoshme Arta Marku, ushtruan dhunë fizike ndaj gazetarit Renaldo Salianji, gjatë kohës që po kryente detyrën e tij.
Pak ditë më parë, Kryetari i Bashkisë së Pukës kërcënoi me “varje” gazetarin e emisionit Investigativ “Fiks Fare”, teksa ky i fundit kryente detyrën.
Forcat e policisë penguan gazetaren Dorjana Bezat teksa raportonte live për shembjen e banesave tek “Bregu i Lumit”.
Dhuna policore qëlloi mbi gazetarin Erion Skëndaj gjatë raportimin të protestës së opozitës.
Komuniteti i gazetarëve dënon keto akte të rënda dhe të papranueshme të ndodhura vetëm së fundmi me punonjësit e medias. Këto veprime cënojnë jo vetëm integritetin fizik të gazetarëve, por edhe lirinë e medias.
Sot, gazetarët në Shqipëri po përballen me sulme fizike nga zyrtarë dhe njerëz të pushtetit, sikundër edhe me arrogancën institucionale, që shkel rëndë misionin e medias.
Si reagim i fortë ndaj dhunës që kërcënon gazetarët, heshtjes së institucuoneve përgjegjese për të dënuar këto akte, kemi vendosur që ditën e Dielë ora 16:00-17:00 para Prokurorisë së Përgjithshme të protestojmë.
Ne kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të Truprojës së Arta Markut dhe që Prokuroria e Përgjithshmë të kërkojë falje për aktin e kryer.
Ne kërkojmë zbatimin e ligjit për kryetarin e Bashkisë së Pukës.
Ne kërkojmë të na lini të kryejmë detyrën tonë!
Ne protestojmë për çdo akt që cënon lirinë e medias dhe gazetarit!
Lajmësi është i shenjtë!