Ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas dënimit me 20 vite burg për disa akuza. Dënimi ishte dhënë nga gjykata e Romës.
Policia e Tiranës tha se, ka vënë në pranga Petrit Lekndreaj, 43 vjeç, banues në Tiranë.
Ky i fundit është prangosur përkohësisht, me qëllim ekstradimi drejt Italisë ku do të duhet të vuajë 20 vjet burg.
Lekndreaj, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma/Itali, pasi autoritetet gjyqësore italiane e kanë dënuar me 20 vjet burgim, për veprat penale ‘trafik droge’, ‘plagosje’ dhe ‘armëmbajtje pa leje’.
Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Roma/Itali, po kryejnë të gjitha procedurat e nevojshme për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.