Studentët kanë nisur marshimin e tyre në Bulevard për t’u stacionuar para Ministrisë së Arsimit ku do të mblidhen në një protestë masive sot. Studentët e Politeknikut, Arteve dhe Gjeologji-Minierave janë mbledhur tek Korpusi dhe më pas kanë parakaluar në Bulevard para kryeministrisë.
Ata e kanë nisur me këndimin e Himnit Kombëtar dhe më pas me parulla për plotësimin e kërkesave të tyre, kryesisht uljen e tarifave. Studentët e Gjeologji-Minierave janë me kaska të verdha, ndërsa studentët e arteve kanë marrë veglat muzikore.
Nga disa prej drejtuesve të turmës së studentëve është kërkuar të ndalohet një minutë para kryeministrisë për të mbajtur 1 minutë heshtje, por protestuesit nuk janë ndalur.
Ndërkohë ka nisur marshimi nga të gjitha fakultetet, drejt rrugëve që të shpien për në Ministrinë e Arsimit, atje ku është protestuar prej një jave.
Ora 16:00 e ditës së sotme është afati i fundit që studentët i kanë lënë qeverisë për të plotësuar 8 kërkesat e tyre. Në skadim të këtij afati, kanë paralajmëruar përshkallëzim, deri në grevë urie.