Kryesore

VIDEO/ Palushi: Pse Rama po na dërgon në një situatë ‘anadollake’








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:37 - 09/07/19 |
mapo.al

Kryeredaktori i gazetës Mapo, Enton Palushi, analizon situatën aktuale politike në A2 CNN. Ai thotë se integrimi i Shqipërisë ka ngecur dhe vendi mund të shkojë në një situatë paragjykimi të rrezikshme.


Deri tani është folur shumë për rrezikun që Shqipëria të bjerë në ndikimin e Rusisë, Kinës apo Turqisë, por frika më e madhe që ndjehet në Bruksel është se pasi Maqedonia të marrë dritën jeshile, do mbetet Shqipëria, Bosnja, Kosova si vendet më të izoluara, duke krijuar paragjykimin se vendet myslimane nuk përparojnë dot me reformat. Ky paragjykim është më i rrezikshmi ku mund të ketë përfunduar Shqipëria. Për ironi, kjo situatë anadollake e Shqipërisë, këtë prapambetje, ku vendin tonë e parakalon Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, e krijon një njeri që duket se tendencën për të thënë që nuk është anadollak, një njeri që përdor terma si kazan, filxhan, tepsi. Por kam frikë se anadollakë në sytë e botës po na bën njeriu që na hiqet si më anti-anadollaku në Shqipëri”.



Zoti Palushi u rikthye opozita shqiptare sërish në rrugë edhe pas 30 qershorit, me të njëjtën mënyrë aksioni. Çfarë ju bëri më shumë përshtypje nga protesta dhe nga mesazhet e zotit Basha?


Fillimisht të ndalemi te protesta. Te nevoja për të pasur një protestë pas 30 qershorit. Ka tre momente pse Lulzim Bashës i duhej të dilte në shesh pas 30 qershorit. E para sepse kriza vazhdon të jetë e pranishme aty, në mos është thelluar ose i janë shtuar elementë, por vazhdon të jetë e pranishme. E dyta, sepse kemi pasur zgjedhje që janë interpretuar nga palët si një referendum, dhe opozita ka mendimin, të cilin e mbështes, se mospjesëmarrja ose bojkoti masiv ishte një lajm i mirë për të, ose mbështetje për të. Dhe e treta, se është e nevojshme në kohët e sotme kur komunikimi është shumë i pranishëm, mediat është shumë agresive- e ka nevojshme që t’i shohë liderët aty, që opozita të jetë e pranishme me aksionet e saj. Në këtë kuadër, të gjitha mesazhet e zotit Lulzim Basha ishin në këtë linjë.


Nga tetë qershori deri në 8 korrik, duket se protagonist në aksionin për largimin e zotit Rama nuk është vetëm zoti Basha apo zonja Kryemadhi, por edhe presidenti i Republikës. Si i komentoni qëndrimet e tij, deklaratat e tij, që kanë qenë të bujshme dhe të shumta?

Meta ka qenë aktor i kësaj historie, pavarësisht se këto ditë është më agresiv ose më i pranishëm në media. Për mua, aktori kryesor i opozitës vazhdon të mbetet zoti Lulzim Basha, për shkak se fokusi i gjithë veprimtarisë së tij politike është shumë më i gjerë se ajo që po aplikon zoti president. Nëse zoti Meta ndalet shumë tek historia e reformës në drejtësi, zoti Basha flet për një gjë edhe më të madhe, për zgjedhjet, për faktin që të gjitha pushtetet po bien në një dorë, për median e lirë. Jo se zoti Meta nuk flet për këto, por dukshëm shqetësimi i tij është reforma në drejtësi, fakti që një aktor i rëndësishëm i huaj si miliarderi Soros ka ndikuar që kjo reformë të bjerë në duart e kryeministrit Edi Rama, pra fokusi i tij është më i ngushtë dhe loja e tij është me porta më të vogla.

Me këto figura në betejën politike, a i japim të drejtë kryeministrit Edi Rama, që thoshte se protestat nuk janë të njerëzve, por të vetë figurave politike?

Është një pyetje interesante. Megjithatë duhet të kemi parasysh një gjë. Ne bëmë një palë zgjedhje. Cili ishte kuptimi i atyre zgjedhjeve? Mazhoranca dhe Edi Rama na dërgoi drejt atyre zgjedhjeve si në një referendum. Pra ishte një votim për t’u lexuar. Rezultatet janë për t’u lexuar. Shihni atë që ndodh në Greqi. Zgjedhjet europiane u bënë, mesazhi u lexua nga Cipras, vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme, ai humbi zgjedhjet dhe u largua. Votimet e 30 qershorit ishin për t’u lexuar nga mazhoranca. Unë nuk kam parë zëra racionalë, nuk kam parë media të huaja që thonë se pjesëmarrja e këtyre zgjedhjeve ishte një lajm i mirë për zotin Rama. Ne duhet të shkojmë në këtë pikë që zoti Rama ta lexojë këtë mesazh. Ky votim ishte një referendum, pasi kryeministri u mor me politikën e gjerë. Ne kemi një referendum, që po ashtu ishte i manipuluar. Duhet të lexohet mesazhi, nëse jo, problemi është i madh.

Kemi zëra nga mazhoranca, që thonë se gara ka qenë vetëm tek ecuria e procesit. Megjithatë sot ata kanë 61 bashki. Kjo fitore absolute a mund të quhet fitore për Edi Ramën apo do e dobësojë pushtetin e tij?

Shumë e vështirë ta gjykosh, duhet të jesh në rrethin e ngushtë të Edi Ramës të dish mendimin e tij. Nga ajo që po shohim, ai po vazhdon revanshin, të paktën projektligjet e paketës antishpifje janë një alarm i madh. Kalimi për miratim i tyre, përkundër alarmit ndërkombëtar, tregon se ai nuk po i lexon mirë mesazhet që i vijnë nga populli, organizatat ndërkombëtare ose mediat dhe shoqëria civile. Pra është duke marshuar drejt marrjes së gjitha pushteteve. Nga pikëpamja demokratike kjo tregon dobësim, jo forcim të tij.

Faktori ndërkombëtar ka qenë i pozicionuar pro mbajtjes së zgjedhjeve. Si mund ta shohim pozicionimin e tyre pas zgjedhjeve të 30 qershorit dhe pas samitit të Polonisë?

Më vjen mirë që e nisni nga samiti i Polonisë, pasi ishte tregues për të parë sinjale ose shenja që na tregojnë nëse kryeministri shqiptar është benjamini i Brukselit apo Berlinit. Nga ky samit, pamë që nuk është as i preferuari as i Berlinit dhe as i Brukselit. Nuk është më. Duhet të kemi parasysh se mbështetja ndërkombëtare nuk është kur të thuhet të vazhdosh me këto zgjedhje. Sepse mediat e huaja thonë se këto zgjedhje kanë qenë goditje për hapjen e negociatave, kur vetë kancelarja Angela Merkel ishte e rezervuar për të thënë se Shqipëria do marrë dritën jeshile. Ata i kanë kërkuar mazhorancës që gjërat të vazhdojnë brenda sistemit dhe institucioneve, por nuk besoj se do pranojnë këto zgjedhje, që edhe pa opozitën, ishin sërish skandaloze. Si mund të quhen këto zgjedhje të një vendi kandidat të BE?

Edhe nga Polonia nuk morëm një sinjal për përgjigjen e tetorit? A duhet faturuar kjo tek sjellja e opozitës?

Dhe nuk do e marrim me këto zgjedhje. Pse në Poznan na bën përshtypje se si sillet kryeministri shqiptar, na bën përshtypje mënyra se si e trajtojnë? Sepse ai përfaqëson imazhin shqiptar, qeverisja është imazhi i Shqipërisë. Shqipëria është Edi Rama në sytë e të huajve. Ai është imazhi i shqiptarëve. Nuk mund të them se u përfaqësuam me një imazh të mirë.

Me këto zgjedhje nuk ka deadline. Me këto lloj zgjedhjesh nuk ka deadline. Edhe sikur Gjermania, CDU, që e përmendin shpesh sikur CDU është një faktor periferik, kur CDU është partia më e rëndësishme në Europë. Edhe sikur ajo të jetë dakord, sërish do kemi pengesën tjetër, që është presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili është aktori më i rëndësishëm në Europë. Edhe sikur këta të jenë dakord, do kemi problemin e Holandës, që është shteti më i rëndësishëm nga pikëpamja e financimit të BE. I gjithë problemi është se kjo situatë do na dërgojë në një situatë goxha të rrezikshëm në planin ndërkombëtar. Pse e them këtë? Deri tani është folur shumë për rrezikun që Shqipëria të bjerë në ndikimin e Rusisë, Kinës apo Turqisë, por frika më e madhe që ndjehet në Bruksel është se pasi Maqedonia të marrë dritën jeshile, do mbetet Shqipëria, Bosnja, Kosova si vendet më të izoluara, duke krijuar paragjykimin se vendet myslimane nuk përparojnë dot me reformat. Ky paragjykim është më i rrezikshmi ku mund të ketë përfunduar Shqipëria. Për ironi, kjo situatë anadollake e Shqipërisë, këtë prapambetje, ku vendin tonë e parakalon Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, e krijon një njeri që duket se tendencën për të thënë që nuk është anadollak, por thotë se ka elementë anadollakë në Shqipëri, një njeri që përdor terma si kazan, filxhan, tepsi. Por kam frikë se anadollakë në sytë e botës po na bën njeriu që na hiqet si më anti-anadollaku në Shqipëri.

Duket sikur faturat shkojnë të gjitha tek qytetarët…

Janë dhënë të gjitha sinjalet e mundshme politike. Opozita ka bërë protesta të dhunshme, paqësore, masive. Është dhënë sinjali me anë të zgjedhjeve. Tani është koha të reflektojmë, nëse nuk reflektojmë, i pari kryeministri, kam frikë se do të shohim skenare shumë të këqinj dhe dua të citoj këtu një shprehje të Xhon Kenedit, që thotë se kush bllokon revolucionin paqësor, ai i ka hapur në mënyrë të pashmangshme rrugën revolucionit të dhunshëm.

Dua të them edhe diçka tjetër, ka edhe shumë sinjale negative nga mënyra se si po ecën ekonomia shqiptare. Ndoshta ky ndryshim do i bëjë mirë edhe ekonomisë shqiptare, pasi është në gjendje depresionuese. Një ndryshim kursi do i bëjë mirë ekonomisë, shoqërisë dhe politikës.


Etiketa: , , , , ,

Pas