Një ish-mësues italian, i shpallur në kërkim prej 4 vitesh nga drejtësia e vendit të tij për dhunë seksuale me të mitur, është arrestuar mbrëmjen e së mërkurës në Tiranë, gjatë një operacioni të përbashkët mes Policisë shqiptare dhe asaj italiane. Sipas gazetës Panorama, Masimilliano Croce, 45 vjeç, nga Ciampino, Romë, i diplomuar për pedagogji për të mitur, u arrestua në periferi të kryeqytetit, ku ishte strehuar në një banesë me qira. Sipas vendimit të Gjykatës italiane, 45-vjeçari, në një periudhë prej 7 vitesh, nga viti 2007 deri në 2014, ka kryer krime kundër të miturve, abuzime seksuale me fëmijë dhe pedofili.
Ndërkohë, në vitin 2017 është dënuar nga Gjykata italiane me vendim të formës së prerë, me 16 vite burg, për veprën penale “Dhunë seksuale ndaj të miturve”. Sipas dosjes së Policisë italiane, gjatë periudhës së kryerjes së këtyre krimeve, Croce ka shërbyer si mësues komuniteti për fëmijët e varfër dhe jetimë, në provincat e Romës dhe në qytetin e Romës. Drejtori i Policisë Kriminale, Eduart Merkaj, tha dje gjatë një konference për shtyp, se hetimet e përbashkëta me Policinë italiane kanë nisur në mes të tetorit dhe janë mbyllur në më pak se 15 ditë me arrestimin e tij.
ipas raportimeve të mediave italiane, ish-mësuesi Masimilliano Croce që u arrestua në Tiranë, është dënuar dy herë për krime kundër të miturve dhe pedofili. Dënimi i parë për të është dhënë në vitin 2014 dhe dënimi i fundit në vitin 2017, pas të cilit ai u shpall në kërkim ndërkombëtar. Hetimet e organeve ligjzbatuese italiane kishin zbuluar edhe një tjetër rast abuzimi ndaj të miturve në vitin 2015, duke nisur investigimin, pas të cilit u siguruan provat e nevojshme që sollën edhe dënimin e tij në mungesë.
Ai i ishte shmangur përballjes me drejtësinë për 4 vite me radhë dhe nëpërmjet avokatit të tij nuk kishte shfaqur pendesë për krimet e kryera, madje ka akuzuar autoritetet që e kanë persekutuar. “Ish-mësuesi Masimilliano Croce, në prill të vitit 2014 u dënua me 9 vjet burg për abuzimin e vazhdueshëm seksual ndaj një fëmije 8 vjeç, në një shtëpi ku ai kishte shërbyer. Por para kësaj, ai ishte dënuar edhe me 3 vjet burg për akuzën e dhunës ndaj fëmijëve të tjerë, që i ishin besuar atij në kujdesin shtëpiak.
Operacioni u krye në bashkëpunim të ngushtë mes Policisë së Shtetit me Shërbimin Qendror Operativ në Drejtorinë e Përgjithshme Antikrim, skuadra e lëvizshme e kuesturës së Romës dhe Zyra e Interforcës pranë ambasadës italiane në Shqipëri.