Opinionisti Olti Curri ka përcjellë së fundmi një situatë aspak të këndshme, ndërkohë që tragjedia ka kapluar prej më shumë se 17 orësh vendin tonë.
Një përdorues rrjetesh sociale i ka dërguar një video në “Instagram”, përmes së cilës tregon se si policët rrugorë të kryeqytetit i kanë vendosur gjoba atyre personave që janë mobilizuar për t’i ardhur në ndihmë të prekurve nga tërmeti i fuqishëm i orëve të para të mëngjesit të së martës.
Olti nuk ka ngurruar ta publikojë, duke mos e kursyer aspak ironinë ndaj qeverisë Rama.
“Unë qendrova pak orë. Fondacioni Fundjavë Ndryshe dërgoi disa kamionë me batanije, veshje dhe ushqime, kurse policia vendoste gjoba te vullnetarët dhe dhuruesit. Po si mundet???”-shkruhet përmbi video. “Jemi shtet i fortë!”– komenton opinionisti.
Risjellim në vëmendje se tërmeti i fuqishëm me magnitudë 6.3 ballë dhe me epiqendër në Durrës, ka marrë 21 jetë njerëzish dhe ka plagosur mbi 600 qytetarë, kryesisht të Durrësit, Thumanës, Kurbinit dhe Lezhës.