Kryeministri Edi Rama mori sot dozën e tretë të vaksinës, Pfizer.
Për të bindur publikun që nuk po injektonte ujë, ai futi dhe median në lojë.
Dy prej tyre tërhoqën dy vaksina dhe në fund Rama bëri njërën nga vaksinat që përzgjodhi gazetarja.
Rama: Bëra dot vaksinën e tretë me zgjedhje të rastësishme këtu dhe mes të dyjave me një zgjedhje tjetër të rastësishme. Nuk e kuptoj dot sesi në shekullin XXI nuk i besohet shkencës dhe autoriteteve por ca sharlatanëve dhe delirantëve në internet që shpërndajnë gjithëfarë teorish konspirative. Si mund të jetë një lojë në gjithë planetin dhe asnjë kanal serioz informimi të mos flasë. Flasin për tu vaksinuar gjithë Akademitë e botës dhe flet kundër vaksinës një lumë konspiracioni në facebook dhe internet. Është skandaloze dhe e turpshme. Vaksina nuk të mbron nga infektimi por nga vdekja, e kalojnë me simptoma të lehta.
Duke risjellë në vëmendje masat e fundit të ndërmarrë nga shumë vende të BE pas shfaqjes së Omikron, Rama tha se as Shqipëria nuk do ta lërë në rrjedhje të lirë këtë situatë.
Rama: Ndërkohë që Austria është mbyllur komplet, vendet e tjera po marrin gjithëfarë masash kemi bërë çmos të mos ngarkojmë psikologjikisht dhe të mos stresojmë sektorët e jetës këtu por nuk mund ta lëmë situatën në rrjedhën e lirë, të dalë ku të dalë.
Nga stadiumi “Air Albania” ai lëshoi një paralajmërim të fortë për nëpunësit e shtetit, qytetarët dhe bizneset.
Rama: U them të gjithë atyre në radhë të parë që janë nëpunës të këtij shteti që të vaksinohen sepse mund të vijë momenti që ndalohen të shkojnë në punë pa pasur kartelën e vaksinimit online, po u ndaluan të shkojnë në punë nuk do të paguhen sepse nuk duan të vaksinohen. U them të gjithë atyre që kanë të bëjnë në veprimtarinë e tyre me hapësira publike, hapësira ku bëhet pazar. Hapësira të mbyllyra të vaksinohen se mund të vijë momenti që nuk do të lejohen të hyjnë në merkato, në dyqane të pavaksinuar. U them atyre që kanë dyqane të vaksinohen sepse mund të vijë momenti tu mbyllet dyqani nëse janë të pavaksinuar. Nuk mundet dot të rrezikojë pjesa më e madhe e popullsisë për shkak se një pjesë tjetër i bën karshillëk shkencës, shëndetit. Nuk e kuptoj. Aq më tepër sot se gjithë bota është e shqetësuar me versionin e ri, po bëhen analiza dhe studime, por e sigurt është se vaksina mbron, shpëton jetën.
E njëjta gjë dhe në kufi.
Rama: Duke parë çfarë po ndodh rreth e rrotull është shumë e qartë, për më tepër mund të vijë dhe vendimi që kush do të vijë në Shqipëri duhet të tregojë që është vaksinuar dhe nuk do të lejohen të hyjnë të pavaksinuar në Shqipëri për të bërë pushime këtu, të vaksinohen.
Vaksinimi nuk është me detyrim. Nuk është detyrim por ajo çfarë bën gjithë bota, shkoni në Itali, Francë, Austri. Kush nuk do të vaksinohet është në të drejtën e vet por nuk mund të kërcënojë të tjerët.
Përjashtim nuk bëjnë as universitetet.
Rama: Edhe në Universitete studentët të vaksinohen se mund të vijë dita që nuk do të lejohen të hyjnë më të pavaksinuar në auditore.
Vendimin se kur do të mund të marrin fuqi këto masa Rama tha se ia ka lënë në dorë Komitetit Teknik të Ekspertëve.
Rama: Këtë nuk e vendos unë, as qeveria por Komiteti. Nuk do marrim vendime politike vet.