Dhuna e policisë ndaj të miturit 15-vjeçar Sarandi Çobo, u bë virale dhe të shumtë ishin ata që e dënonin sjelljen e uniformave blu.
Për rastin në fjalë ka reaguar sot edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ku gjatë raportimit në mbledhjen online të Komisionit të Sigurisë, tregoi një video, të zonjës Zaida Çobo, e ëma e 15-vjeçarit të dhunuar, e cila mbante një pistoletë në dorë.
“Ja nga çfarë familje vjen djali”, ka thënë Veliu duke dashur të justifikojë me këtë “argument” dhunën e policisë ndaj të miturit. Rezulton se nëna e djalit 15-vjeçar është aktore dhe pamjet që ka paraqitur Ardi Veliu janë pjesë të një filmi.
Po si nisi e gjitha. Ishte deputeti Alban Zeneli, gjatë mbledhjes online të Komisionit të Sigurisë, që e ka ballafaquar Veliun me faktin, dhe ka prishur qetësinë e drejtuesit të Policisë, teksa i ka treguar foton e ngjarjes. Dhe e ka pyetur, nëse këto janë standardet për të cilat kryepolici pretendon. Janë dy momente që kanë nervozuar Veliun.
Fotoja e parë ku tregon dhunën e policisë ndaj një protestuesi tek Teatri Kombëtar, ku i kanë vënë këmbën mbi kokë.
Dhe fotoja e dytë ku forcat e policisë ushtrojnë dhunë ndaj të miturit tek Liqeni Artificial.
Pas një pauze rreth 1 orë, Ardi Veliu, rikthehet para deputetëve dhe Zenelit, ku tregon videon e famshme, se preja e dhunës së policisë, 15-vjeçari, ishte i biri i një mamaje problematike, dhe ishte jo i edukuar si duhet, duke sjellë një video të marrë nga rrjetet e saj sociale, ku shfaqet ajo në një sekuencë filmike, gjatë xhirimit të një filmi, që mban një armë.
Veliu pasdite vonë u justifikua.
“Së pari, fjala ime nuk mund të nxirret nga konteksti siç po bëhet. Së dyti, kam bërë një ilustrim të idesë se nuk mundet të fajësohet gjithnjë e vetëm punonjësi i Policisë duke u kapur pas një fotoje të rastit, pa konsideruar tërë kontekstin e një situate. Së treti, kam sqaruar se punonjësi në fjalë është pezulluar dhe ka nisur hetimi disiplinor dhe penal për të.”-tha ai.
Po sot, pasi Ardi Veliu tregoi pamjet e nënës së 15-vjeçarit, Partia Demokratike ka kërkuar shkarkimin e Drejtorit të Policisë së Shtetit, duke argumentuar se po justifikohet me sajesa, pra gjithçka është e pavërtetë, absurde dhe e dënueshme.