Pothuajse në të gjitha bashkitë ku drejton PD e LSI situata sot ka qenë situatë e tensionuar. Së fundmi raportohet se në Kukës protestuesit dhe Policia Bashkiake janë përplasur me Policinë e Shtetit.
Ata kanë djegur goma përpara gjimnazit të qytetit ku është vendosur KZAZ nr.11.
Në momentin kur është tentuar të thyhet dera, FNSH-ja ka hedhur gaz lotsjellës. Sakaq një polic i bashkisë ka mbetur i plagosur. Ndërsa shumë protestues kanë patur probleme me frymëmarrjen nga gazi lotsjellës.
Kryetari i bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehi i kërkon policisë të mbështesë bashkinë dhe i bën thirrje qytetarëve për vetëpërmbajtje.
“Nuk mund të ketë zgjedhje pa dekret të presidentit dhe çdo veprimtari që po zhvillohet pas dekretit është e paligjshme. Kam kërkuar lirimin e ambienteve. Kërkoj nga policia zbatimin e ligjit dhe mbështetjen e bashkisë. U bëj thirrje qytetarëve për vetëpëmbajtje. Situata është e acaruar. Ministri i Brendshëm të marrë masa për zbatimin e ligjit në krah të qytetarëve. I bëj thirrje OSBE/ ODIHR të mbajnë një qëndrim”, shkruan Shehi.