Një tjetër efektivi të Policisë së Shkodrës i është vendosur tritol në banesë. Ngjarja ndodhi pas mesnatës, rreth orës 02:25.
Efektivi Pëllumb Vuka ndodhej në shtëpi, së bashku me familjen e tij. Si pasojë e shpërthimit, ka vetëm dëme materiale në banesë, si dhe është dëmtuar mjeti i tij tip ‘Benz’, i parkuar para banesës.
Pista kryesore e hetimit të shpërthimit me tritol është për shkak të detyrës.
Në dëshminë e parë të dhënë para kolegëve, Vuka ka deklaruar se nuk ka konflikte me persona të tjerë.
Ky është rasti i katërt brenda pak javësh që oficerët e policisë së Shkodrës bien pre e sulmeve. Më 20 maj, u vendos tritol në lokalin në pronësi të efektivit Ndrek Rrasa, 46 vjeç.
Më 27 prill u dogj makina e Dritan Turhanit në lagjen Perash, ndërsa më 14 maj makina e Sokol Kroni në lagjen “Tre Heronjtë”.
Duket se qëllimi i tyre, është të paralajmërojnë efektivët për ndonjë përplasje që mund të kenë pasur më parë, që shpesh herë vjen për shkak të detyrës.