Policia është vënë në kërkim të dy turistëve, të cilët bënë “striptizëm” dhe pozuan për fotografi në një shatërvan pranë monumenteve më të njohura në Romë.
Njëri prej turistëve britanikë u pa duke hequr të mbathurat, ndërkohë që po zbaviteshin në ujë. Burrat u filmuan duke qeshur e duke treguar muskujt para turistëve të zhgënjyer.
Policia po kërkon britanikët, pasi ishin filmuar nga një udhëzues turnesh në monumentin dedikuar të vdekurve të luftës, që fillimisht ishte ndërtuar në nder të Victor Emmanuel, mbretit të parë të Italisë së bashkuar.
Ky ishte shembulli i fundit i sjelljes së pahijshme të turistëve në Itali. Në incidentet e mëparshme turistët kanë gdhendur inicialet e tyre në muret e Colosseum, janë grindur për pikat më të mira për të bërë fotografi në shatërvanin Trevi si dhe janë larë në kanalin e Venecias./tvklan.al