Policia e Tiranës ka zbardhur disa vjedhje të ndodhura në kryeqytet, si dhe ka ndaluar një person e ka shpallur në kërkim dy bashkëpunëtorët e tij. Gjatë operacionit të koduar “Shëtitësit”, u ndalua 27-vjeçari Eriol Pane.
Ky i fundit dhe dy bashkëpunëtorët e tij M.V. 31 vjeç dhe A.L. 19 vjeç, vidhnin televizorë, materiale ndërtimi, sende parukerie, kabuj elektrik, një sërë kaçavidash dhe mjete prerëse, të cilat më pas i shisnin në qytetin e Durrësit.
Nga veprimet hetimore të kryera është dokumentuar me prova shkencore se shtetasit e mësipërm dyshohet se janë autorë të ngjarjeve të mëposhtme:
1. Më datë 13.03.2018 në Unazë të Re dyshohet se kanë vjedhur dyqanin me vegla pune si dhe disa kuti me tela të ndryshme elektrike, me ngjyra e dimensione të ndryshme në pronësi të shtetasit A.P.
2. Më datë 14.03.2018, në rrugën “Sokrat Miho” në zonën e Unazës së Re në Tirane, dyshohet se kanë vjedhur një televizor, në një magazine në pronësi të shtetasit M.K.
3. Më datë 03.03.2018, në rrugën “Azem Meshi”, gjatë natës dyshohet se kanë vjedhur me thyerje kasetofonin e mjetit tip “ Fiat” në pronësi të shtetasit G.S.
4. Më datë 06.03.2018, në rrugën “Thoma Koxhaj” gjatë natës dyshohet se kanë vjedhur magazinën në përdorim nga shtetasi E.D., ku i kanë marrë disa vegla pune.