“Unë bashkohem me punëmbaruarit”- tha ish-miss Shqipëria, Valbona Selimllari, në krah të komisarit politik të emërua nga Edi Rama për fushatën zgjedhore në Tiranë.
Bëhet fjalë për Erion Veliaj, ose për atë që ledhaton veten duke u vetë-pagëzuar “Lali Eri”.
`Punëmbaruari` Veliaj është në mes të mandatit të dytë si i pari i kryeqendrës së vendit, ku edhe pritet që të zhvillohet beteja kryesore për ndarjen `e shapit nga sheqeri` në 25 prill të vitit që vjen.
Meqenëse ditën e djeshme ishte edhe përkujtimi i aktit heroik të Vojo Kushit, Lali Eri harroi këtë vit që ta kujtonte siç bëri gjatë fushatës së vitit 2019, ku u rizgjodh kryetar i bashkisë duke garuar me veten.
‘Lali Eri’ atëherë bëri një gafë të denjë për analfabetët funksionalë në lexim e histori, duke ngatërruar tanket e italianëve me ata të gjermanëve që erdhën në Tiranë, një vit pasi Vojo Kushi kishte dhënë jetën.
“Ta dinte Vojo Kushi, para se të hipte këmbëzbathur mbi tank, 20 e ca vjeç çun, që të ndalonte ofensivën gjermane që do të prishte të gjithë shtëpitë e tironsve tek Selvia…”, tha Veliaj duke lemerisur dhe gajasur këdo që e dëgjoi.
Gjithsesi thelbi nuk është ky, por hipokrizia e tij për mbrojtjen e “shtëpive të vjetra tironse” dhe godinave historike, të cilat ndoshta i shpëtoi atëherë Vojo Kushi nga tanket e italianëve, por nuk mbijetuan dot nga firmat që hedh non-stop, Erion Veliaj, për t’i shndërruar fillimisht në gërmadha, e pastaj për të ngritur kulla betoni ku të mundet.
“Punëmbaruari”, i cili erdhi për herë të parë në krye të bashkisë së Tiranës, duke premtuar zero ndërtime brenda unazës, si dhe mbrojtjen e rikuperimin e trashëgimisë historike-kulturore të kryeqytetit e të parqeve, në fakt ka mbaruar shumë punë në këtë drejtim.
Një greminë rindërtohet, duke punuar fort që ta shkatërrosh edhe më shumë atë. Ta thellosh sa të mundesh, në vijim të asaj që bëri për 12 vite shefi i tij Edi Rama.
Dhe pikërisht këtë ka bërë Erion Veliaj pa pushim, me Tiranën historike!
Nëse një ‘tirons’ apo kushdo tjetër që ka jetuar në këtë qytet dhe ka ikur nëpër botë kthehet pas shumë e shumë vitesh, nuk ka gjasa që të njoh më qytetin e tij. Madje, as lagjen dhe rrugicat ku është rritur.
‘Punëmbaruari’ vetëm në afro 5 vite që drejton kryeqendrën e shqiptarëve, ka një bilanc makabër dhe të pafalshëm në këtë drejtim.
Një bilanc të zi, i cili me shumë mundësi e ka bërë edhe Vojo Kushin që të planifikojë që të ngrihet nga varri e të hedh ndonjë bombë.
Ky operacion makutërie për shkatërrimin e kujtesës së Tiranës nëpërmjet betonizimit dhe i denoncuar, edhe nga agjencitë inteligjente ndërkombëtare si skemë për pastrimin e parave të krimit të organizuar, kulmoi me shembjen e Teatrit Kombëtar.
Ajo godinë që përfaqësonte një nga ikonat e trashëgimisë historike, arkitekturore, kulturore dhe identitare jo vetëm të kryeqytetit tonë por të gjithë Shqipërisë nuk u fal, edhe pse beteja për mbrojtjen e saj mori përmasa ndërkombëtare.
Pas Teatrit si një nga pjesët më kryesore të qendrës historike të Tiranës, e cila ka qenë zona më e vyer e kryeqytetit, Rama&Veliaj, guxuan që të prekin edhe simbolin e Tiranës: Kullën e Sahatit.
Atë kullë të cilin e kanë edhe simbol të qytetit dhe ja dhurojnë si suvenir, çdo personaliteti të huaj që viziton Tiranën.
Kulla tashëm është rrethuar nga përbindësha betoni, por `punëmbaruari` ka premtuar se do ti gjejë një vend tjetër më të denjë.
Do zoti nuk e transferojnë në Surel, apo Kodrën e Diellit!
Ruspa e Ramës dhe Veliajt nuk falën as dhjetëra godina dhe vila historike, të cilat prej shumë kohësh mbanin statusin “Monument Kulture”.
Status ky i hequr në mënyrë të dyshimtë dhe anti-ligjor, vetëm pak para shembjes së tyre për t’i hapur rrugë ndërtimit të ndërtesave gjigante, nga klientët e përhershëm.
Ju hoq mbrojtja dhe u shemb pa mëshirë ish-hotel Vjosa, një nga ndërtesat e fundit historike të qendrës së Tiranës;
Të njëjtin fat patën shtëpitë ‘tironase’ në fillim të rrugës së Dibrës; ato mbrapa hotel “Tiranës”; shtëpitë otomane në rrugën “Tefta Tashko”; muri i Teqes së Sheherlive në sheshin mbrapa Pallatit të Kulturës; gjimnazi “Sami Frashëri” si një ndër shkollat ikonë jo vetëm të Tiranës por të gjithë Shqipërisë, etj, etj.
Nuk po flasim pastaj për shkatërrimin e gati të gjithë parqeve dhe të çdo sheshi të lirë që kishte mbetur deri në momentin, kur Veliaj u fut në zyrën e kryebashkiakut.
Kjo është Tirana e komisarit ‘punëmbaruar’ të Edi Ramës, i cili e ka lëshuar për të mbledhur vota për një ‘mandate të tretë’ në kryeqytetin e trafikut, kaosit dhe stresit.
Tirana ku ndërkohë që njerëzit varfërohen gjithnjë e më shumë lulëzojnë shumëkatëshet që sipas Bankës Botërore dhe FMN ‘ujiten’ me para informale ose më shqip; para të krimit e drogës që vetëm rrisin çmendurisht çmimin e hapësirave të ndërtimit.
Dhe mbi të gjitha: pa memorie, pa histori dhe me perspektivë të vrarë nga makutëria dhe krimi i organizuar! /Syri.net/