Shqiptarët vijojnë të vjedhin energjinë elektrike, ose të ndërhyjnë tek matësat. Një aksion i OSHEE-së në Shkodër ka zbuluar 63 familje të cilat kishin lidhur energjinë në mënyrë të paligjshme, ose që nuk kishin kontratë.
“Gjatë dy javëve të fundit janë realizuar rreth 1000 procedura verifikimi në qytetin e Shkodrës nga Departamentit të Kontrollit dhe Rekuperimit të Humbjeve (njësi e specializuar Task Forcë).
Gjatë dy javëve janë konstatuar 18 raste linjash furnizimi jashtë matjes, 35 raste rilidhjesh të paligjshme, 7 raste furnizimi pa kontratë dhe 3 ndërhyrje në sistemin e matjes.
Në vijim të këtyre rasteve të konstatuara, OSHEE ka depozituar procedim në organet e drejtësisë për 63 konsumatorë (biznese dhe familjarë).
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do të vazhdojë kontrollet jo vetëm në qytetin e Shkodrës por në të gjithë territorin për të garantuar zbatimin e ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike”, – thotë OSHEE.