Behar Sefer (Sofia), viktima e atentatit të sotëm me armë zjarri pranë Piramidës, në Tiranë, rezulton me rekorde kriminale.
Emri i 66-vjeçarit del në ngjarjen e gushtit 2009, ku në Durrës u vranë 4 policë gjatë operacionit për të arrestuar Dritan Dajtin.
Behari ka qenë i pranishëm, dhe disa herë bizneseve të tij i është vënë lëndë eksplozive, që i ka pasur afër stadiumit Dinamo në Tiranë.
Behar Sofia ishte gjithashtu i njohur me nofkën “Padrino i drogës”, për shkak të aktiviteteve kriminale në fushën e narkotikëve, dhe se së fundmi ishte duke u verifikuar për pastrim parash.
E kaluara e 66-vjeçarit të lë të mendosh se nuk bëhet fjalë për një atentat të nxitur nga një konflikt i çastit. Behar Sefer Sofia është qëlluar mëngjesin e sotëm me dy plumba, me armë tip silenciator, teksa po ecte në rrugën e Elbasanit, pranë Piramidës.
Autori dyshohet se ishte në këmbë, kur ka qëlluar drejt shënjestrës së tij, dhe se është larguar nga vendngjarja me një makinë të drejtuar nga një bashkëpunëtor.
Deri në këto momente, nuk ka ende asnjë pistë hetimi. Por, policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave.