Ndërron jetë pas 8 ditësh në reanimacionin e Djegie Plastikës në Tiranë, 60-vjeçarja Tatiana Haxhiaj, e cila mori plagë të rënda në trup nga zjarri që ra në fshatin “Asim Zeneli”.
60-vjeçarja bëhet kështu viktima e dytë e zjarreve në Shqipëri, pasi bashkëshorti i saj, Andrea Haxhiaj humbi jetën javën e kaluar (3 gusht) teksa po shuante zjarrin pranë banesës së tij.
Viktima e dytë është konfirmuar në një reagim në rrjetet sociale nga kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi.
“Vështirë të gjesh fjalë për të ngushëlluar familjen Haxhiaj në fshatin Asim Zeneli, që humbi sot edhe gruan e cila mbeti e plagosur nga zjarri i disa ditëve më parë. Pas bashkëshortit kjo ishte një tjetër humbje e madhe. Kurajo dhe qofshin me kaq kusuret! Mbyllja e një dere është një gjëmë që s’përshkruhet dot sado të mudohesh të qëmtosh fjalët e duhura. Të ndëshkohen maksimalisht sipas ligjit ata që ndezën zjarre qëllimisht dhe kanë përgjegjësi për këtë katastrofë. Përsëris apelin për banorët dhe këdo tjetër: Mos luani me zjarrin, tregoni kujdes në çdo rast sepse askush nuk është aq trim apo i zoti përballë flakëve!”, shkruan kryebashkiakui Gjirokastrës
Andrea Haxhiaj, viktima e parë e zjarreve në vend
Burrë e grua, të vetëm, tentuan me çdo mjet të zbrapsin flakët që po i afroheshin shtëpisë së tyre. Bashkëshorti 64-vjeçar asfiksohet nga tymi dhe bie pa ndjenja, duke humbur jetën nga flakët brenda pak minutash, ndërsa Tatiana merr djegie të rënda në trup dhe transportohet me urgjencë në spital.
Megjithë përpjekjet e mjekëve, ajo nuk arriti të mbijetojë, pasi kishte djegie në 70% të trupit. Çifti kishte 2 fëmijë, njërin me studime në Tiranë, e tjetrin që jetonte me ta në fshat.
LEXO EDHE:
Viktima e parë e zjarreve, del foto e të moshuarit – tentoi të mbrojë shtëpinë