Ka dalë para gjykatës 26-vjeçari shqiptar, i identifikuar vetëm me emrin Aleks, i cili vrau pak ditë më parë babanë e tij, me pretendimin se kishte abuzuar seksualisht me të kur ishte i vogël dhe motrat. Krimi ka ndodhur në Zakyntho të Greqisë në darkën e 27 majit.
Teksa i riu shqiptar po hynte në mjediset e gjykatës me pranga në duar, është befasuar nga turma e njerëzve, e cila e ka pritur me duartrokitje.
“Të lumtë! Bravo! Ne jemi me ty! Ne jemi krah teje!”, brohorisnin qytetarët që e kanë mbështetur veprimin e djalit, raportojnë mediat greke. Për ta, 26-vjeçari ishte njeri shumë i mirë dhe se asnjëherë nuk kishte shkaktuar probleme në shoqëri. Ndërkohë, vetë shqiptari pranoi krimin, ndërsa tha se babai i tij kishte abuzuar me të dhe motrat, por edhe me vëllanë e tij më të vogël, raporton Panorama.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në datën 27 maj, kur i moshuari, babai i 26– vjeçarit, ka qenë në makinë kur është qëlluar për vdekje nga djali i tij me armë gjahu. Madje, mësohet se autori ishte djali i 70-vjeçarit nga martesa e tij e dytë. Rrëfimi i 26vjeçarit në gjykatë nisi në orën 11:00 dhe zgjati rreth gjashtë orë. Ai mbërriti në gjykatë, në Zakynthos, i shoqëruar nga avokati i tij, Panagiotis Kefallinos.
“Rrihte mamanë time dhe ajo u divorcua me të 16 vite më parë, kur unë isha 10 vjeç. Vinte në dhomën time kur flija dhe… nuk më kujtohet më shumë, mos më pyesni prapë për këtë temë. Kur vdiq në tetor 2010 gruaja e tretë rumune, unë shkoja shpesh dhe shikoja motrën dhe vëllain tim nga babai. U trondita një ditë kur mësova se motra ime 9-vjeçare ankohej se ndiente dhimbje në organet e saj gjenitale.
Dhe pastaj mendova se do të bënte të njëjtën edhe me atë. Që atëherë unë vendosa se ky përbindësh nuk duhet të jetonte më, që mos të bëjë vëllain e motrën time të vuajnë. Ishte thjesht çështje kohe që ta vrisja”, është shprehur 26vjeçari.
Vrasja ndodhi mbrëmjen e 27 majit në ishullin grek Zakyntho. Viktima ishte një postier i dalë në pension dhe ishte martuar tri herë dhe nga këto martesa kishte katër fëmijë.