Aktualitet

Viola Cramon kërkon “Tirol jugor” për Luginën














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:15 - 04/05/21 |
Xhemal Ahmeti

Të reflektojmë në mënyrë kontrafaktike: Po të dilnin dy qeveritë (Shqipëri, Kosovë) me një «non» apo Paper dhe të kërkonin «Tirol jugor» për shqiptarët e Luginës, një për Sanxhakun, një për shqiptarët në Maqedoni, një për ata në Mal të Zi dhe një për ata në Greqi … a do t’i konsideronte njëjtë të mundshme, të realizueshme parlamentarja europiane Von Cramon? Pse BE dhe OKB, të cilat me dekret bënë dy shtetet Izraelin dhe Palestinën nuk u ofruan edhe atyre modele si ai i Tirolit jugor? Parasë gjithash: ç’manifestion deklarata analogjike e Skënder Hysenit rreth Kosovës dhe Palestinës?





I.
Në prag të qëndrimit të delegacioneve kosovare e serbe në Bruksel, zonja Viola von Cramon-Taubadel mbështeti përmbajtjen e «Non Paperit II» që qarkullon ditëve të fundit rreth zgjidhjes së mundshme të krizës serbe me Kosovën. Në simbiozë me parareagimin e autokratit serb Vuçiç, i cili tha letra të jetë e përgatitur «djallëzisht mençur» nuk mbetet më shumë hapësirë për të spekuluar dikë tjetër si autorë të kampanjave «nonpaperiste» përveç BE-së në koordinim me shtetin serb. Këta natyrisht se nuk do e pranojnë kurrë të jenë autorë të fletërrufeve aktuale, por një proverb i caktuar pavarësisht kulturosferës kallëzon çelësin se si denoncohen vetë ata që kanë lënë fekaliat udhës dhe bëjnë sikur s’dinë gjë.


Zyra aktuale e kësaj bashkësie që merret me menaxhimin e krizës serbo-kosovare beson se Kosova do të dorëzohet dhe në një apo tjetër mënyrë do të jetësojë asociacionin e komunave serbe ashtu siç e kërkon Serbia. Minimum këtë. Dhe ky asociacion në sytë e tyre duket me fuqi ekzekutive, praktikisht vetëm pro forma i lidhur me Prishtinën. Dhe autokrati Vuçiç si duket është pajtuar me këtë punë. Floska se Serbia nuk do ta njohë Kosovën kurrë është besimi i tij personal se e fundit do të mjaftohet dikur me një ulëse në OKB dhe dy shtetet do vazhdojnë pa e njohur njëra-tjetrën dhe njëkohësisht, çka për nonpareristët duket me rëndësi, ta bëjnë këtë por pa vrarë idealin e ultranacionalizmit serb për rikthim në Kosovë, nëse jo këtë shekull atëherë tjetrin.





Është e mundshme kjo? Shumica e shteteve arabe përreth jo që nuk njohin Izraelin si shtet, por po të mundeshin edhe e kishin zhdukur që sot. Në këtë kontekst Kosova i ka punët shumë më mirë se Izraeli, ngase vetëm njëri nga fqinjët e saj do ta zhdukë, të tjerët jo, përkundrazi e mbrojnë dhe do futnin rajonin në flakë po ta provonte edhe njëherë Serbia siç ka bërë gjatë 4 shekujve të fundit. Pse atëherë Serbia qyqe vetë në rajon, me trastën në moral e histori si gjenociduese permanente e kosovarëve dhe tjerëve ka mundësi dhe fuqi ta kushtëzojë ekzistencën e Kosovës si shtet e gjitha ato vende arabe as në ëndërr s’mund ta ndalin ecjen e Izraelit drejt njërit nga kombet dhe shtetet më të përparuara globit? Pse? Sepse kosovarët vetë ndihen si Palestina e jo si Izraeli. Respektivisht këta, parë për nga pozita, qëndrimet, marrin pjesë në dialogun e detyruar nga BE si palestinez dhe jo si hebrenj, pra jo si viktima të djeshme por edhe si viktima të sotme dhe të nesërme.



II.
Se qeveritë e deritanishme kosovare paskan vepruar nga ky pozicion u pa nga qëndrimi i ish-koordinatorit kombëtar të dialogut Skënder Hyseni, i cili tha: «Jemi në status quo, Kosova mund të mbetet si Palestina» (Gazeta Express). Në status quo ndaj kujt dhe për çka? Nuk gjendet Kosova si shtet në status quo, por ato 5 shtete të BE-së bashkë me zyrat aktualisht nën ndikimin rus janë ato që gjenden në status quo karshi një shteti të njohur. Janë OKB dhe BE që vuajnë nga paranojat e tyre për të mos shkaktuar kriza të reja globale si ajo në Lindje. Këto duhet të bindin Serbinë që të pranojë etnocidet historike dhe të heqë dorë nga një vend i huaj.


Të përdorësh Palestinën si analogji do të thotë të jesh mediokër në histori dhe të mos kesh fare strategjinë tënde brenda një dialogu por vetëm të presësh se ç’ashti do të të hedhin tjerët. Ata më të mençurit se ti. Nuk ka asnjë analogji të mundshme as historike as politike ndërmjet Palestinës dhe Kosovës. Theodor Herzl me cionistët e tij nga Bazeli dhe Vjena nuk kanë vrarë katër shekuj arab para se OKB t’ua jepte shtetin. Atje kemi të bëjmë me dy popuj autoktonë që luftojnë për dominim politik mbi të njëjtin vend, ndërsa në rastin e Kosovës kemi të bëjmë me një popull autokton, i cili pushtohet dhe gjenocidet katër shekuj nga një popull tjetër që ka ardhur nga diku.

Izraeli u krijua me dekret të OKB-së pas suspendimit të protektoratit britanik mbi rajonin. Palestina u bë shtet me dekret të OKB-së, duke e futur brenda si anëtare vëzhguese, për inat të Izraelit dhe me financim të BE-së. Kosova u bë shtet pas çlirimit me asistencë perëndimore nga një agresor që kishte nisur gjenocidet që në vitin 1689 kur Arsenije III donte që nga Shumadija e sotme nëpërmjet Malit të Zi të depërtojë me etnocid në Kosovë dhe pasi që s’mundi përfundoi me serbet në Vojvodinën e sotme [Malcolm, 1998: 153-154]; Kosova u çlirua nga një okupator që pastaj ushtroi të njëjtin gjenocid në vitet 1909-1912 për ta zbrazur rajonin e Nishit e poshtë, etnocid i cili pasi që ishte aq brutal shtyu vetë serbin Dimitrije Tucoviç të përpiqej ta alarmojë botën për gjenocidin që ndodhte, çka pastaj me sukses e realizoi Lev Bronstein Trotzki [Schmitt 2008: 177]; një vendi që në vitet e 1941-60 ekzekutoi sërish mijëra shqiptarë Tivarit e gjithandej dhe dëboi mbi 300 mijë shqiptarë Anadollit turk; një vendi që në vitet ‘90…gjenocidet më të reja i di gjithkush. Serbia në Kosovë nuk erdhi me urdhrat e OKB dhe BE (tash përpiqet të kthehet në këtë mënyrë) por donte ta zbrazë Kosovën me gjenocide të dokumentuara. Palestina nuk ka tapi të GJND-së, Kosova po. Këtë paradë listuese faktesh mund ta vazhdonim në disa libra. Të atilla që Hyseni dhe kolegët e tij as që do i lexonin. Ata si duket as realitetin e jetuar vetë refuzojnë ta lexojnë e lëre më të tjerat.

Historia është njëra anë, ndërkaq strategjia diplomatike e një shteti është tjetër. Siç duket deri më sot qeveritë kosovare janë nisur në Bruksel pa qëllime strategjike (së paku jo të atilla në të cilat do besonin vetë). Pa parime e me parullën: «hajt po shohim ça po del». Janë nisur atje me frikën që mos përfundojnë si Palestina. U nisën edhe ata që luftuan me dekada dhe gjithë ata që u vranë për Kosovën me këtë qëndrim? Dyshojmë rëndë. Një kauzë nuk fitohet pa qenë besimtar kategorik i finales së saj: nuk shkohet në Bruksel për të mos përfunduar si Palestina (analogji mediokre), por duke qenë i bindur se je në anën e drejtë të historisë; se ke fakte për gjenocidet, se ke argumentet nga instancat ndërkombëtare; se ke të drejtë të jesh shtet sovran pa marrë parasysh se kush do të të zhdukë dhe kush do të ta fusë, ngase të konsideron injorant, lypës, fukara.

III.
Është kjo njëra nga arsyet se pse plot njerëz edhe votuan Albin Kurtin. Ngase ky thotë se para çdo dialogu duhet sqaruar parimet se si ndodh ai. Ende nuk dimë se ç’nënkupton ai me “parimet”, por nëse mendon se niset nga një pozitë krejt ndryshe, me besimin se Serbia s’ka as fuqinë historike e as aktuale të determinojë ecjen e Kosovës si shtet dhe si fqinj dhe i cili shtet mund të flasë (për të vetët brenda) vetëm atëherë kur të ketë pranuar krimet, të ketë kthyer kufomat, të ketë paguar dëmet (e pa çmim), dhe i cili shtet pastaj e veç atëherë të mundet të kandidojë në BE pa u penguar nga shqiptarët, atëherë kjo do ishte drejtësia, këto do të ishin parimet logjike dhe të drejta. Kosova duhet të bëjë strategjinë e saj (si Serbia) jo vetëm të detyrimit të Serbisë që të mos sulmojë vazhdimisht Kosovën, por edhe të pengojë atë gjithandej e deri sa ajo t’i ketë larë borxhet – aktivisht, frontalisht. Nëse Kosova nuk i ka këto kapacitete duhet t’i gjejë. Ndryshe nuk do të humbë vetëm territore.

Serbia është privilegjuar pikërisht për këtë arsye; se me të kanë dialoguar njerëz të pavendosur, stafe pa strategji, njerëz që s’kanë ditur ta mbrojnë vendin e tyre edhe në këto kushte, kur të gjitha faktet historike, politike, gjeografike dhe demografike i kanë në favor të tyre.

10


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas