Si nuk u bëra anëtar i Bibliotekës Universale” zë fill e ngjizet prej një trishtimi e brenge shumëvjeçare që quhet anëtarësim në familjen europiane. Le të kujtojmë diçka, lëvizja studentore nisi me sloganin “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, diçka që zor se e hasim në lëvizjet për demokraci të vendeve të tjera të Europës Lindore. Prej vitesh kjo ëndërr dhe ky rrugëtim historik, paradoksalisht është shndërruar në një narrative biblike dhe, duke iu referuar Dhjatës së Vjetër, të ndërmend arratinë e popullit izraelit nga skllavëria e faraonëve të Egjiptit drejt Tokës së Premtuar. Prej afro tridhjetë vjetësh, shqiptarët, ndoshta populli më europian në mbarë lindjen europiane, mbasi dolën nga diktatura vazhdojnë endjen në kërkim të Tokës së Premtuar që për ta është Bashkimi Europian, i cili, për fat të keq, ashtu si një mirazh herë duket e herë zhduket nga shikimi.
“BU”-ja është një alegori politike, një roman i shkruar me pretenciozitetin për të krijuar një metaforë që të nxjerrë në pah e të shpjegojë absurditetin e atij procesi që në gjuhën burokratike quhet “integrim në familjen europiane”. Mënyra e të ligjëruarit të personazheve të romanit lidhet ngushtë me mënyrën e të menduarit e të konceptuarit të botës dhe dukurive i kapërthejnë në vorbullat e saj.
Autori Virgjil Muçi është lauret i Çmimit Kadare në vitin 2018, libër të cilin e ka botuar në UET/PRESS.
Në një pikë të caktuar romani merr një kthesë, gati-gati marramendëse dhe alegoria politike ia lë vendin atij që autori preferon ta quajë Realizëm fantazmagorik. Kjo ndodh kur protagonisti, i lodhur, i mërzitur e i zhgënjyer, heq dorë dhe ia beson asistentit të tij anëtarësimin në Bibliotekën Universale. Befas romani hyn në rrjedhën e një thrilleri, protagonisti kërkon të hedh dritë për vdekjen e prindërve, pas takimit me një personazh të pazakontë, Moll. Ndërkaq në skenë shfaqen engjëj, djaj e gjithfarësoj krijesash të tjera të jashtëbotshme.
Ideja është se kur popujt e Ballkanit e humbasin busullën europiane, si pa e kuptuar kthehen nga e kaluara tragjike dhe jetojnë me mitet e sendërgjuar prej nacionalizmave, të cilët, siç ka dëshmuar përvoja jo fort e hershme, i shpije në luftra e konflikte të përgjakshme.