Shtëpia botuese UET PRESS promovoi dje librin “Natyrë mort me kulturë”, një gjetje simbolike e autorit, e cila është një përmbledhje esesh që shtrihen brenda ekspertizës dhe aktivitetit letrar të autorit
Në disiplinën e arteve pamore, naturemorte, ajo që pikturon subjekte të pajeta, të pjella prej natyre apo prej dorës së njeriut, i lë liri artistit në arranxhimin e elementëve brenda një kompozimi. Nëse kjo do të përkthehej në zhanrin e letërsisë do të prodhonte një vepër si ajo e Virgjil Muçit, e cila u promovua ditën e djeshme në sallën ovale të Pallatit të Kongreseve në kuadër të Festivalit të Librit dhe Arteve.
“Natyrë mort me kulturë”, një gjetje simbolike e autorit, është një përmbledhje esesh të cilat shtrihen brenda ekspertizës dhe aktivitetit letrar të autorit.
Ka një kufi të padukshëm e të paqartë, ku shkrimtarët kanë gjithmonë tundimin të kalojnë tek ajo që quhet publicistikë, shprehet Virgjil Muçi, i cili në këtë libër të dytë të tij me shkrime kritike, botuar nga “UET Press”, të ndarë në katër kapituj sjell një përmbledhje të të gjitha problemeve që shqetësojnë shoqërinë shqiptare. Një lloj përgjigjeje më shumë sesa një denoncim ndaj një gjendjeje faktike të jetës së përditshme.
Në vlerësimin që redaktori Alfred Lela bën për librin, e quan një lloj vademecuum-i mendimi. “Cila është Eneida jonë kulturore? Domethënë, cili është ai shqetësim, ajo brerje për kulturën apo kultura, për mendimin apo letrat, që bëhet personazh brenda nesh dhe udhëton. I largohet rutinës, molepsjes vrastare me të përditshmen dhe kotnitë e saj, dhe kërkon qendrën e vet kulturore. Vademecuum-in e mendimit. Duke lëvizur në shumë qendra. Për t’u ndalur edhe ndër të tjera edhe në Butrint. Ku libër i Virgjil Muçit, shqiptarit, jo romakut pa mbiemër, është një ekskursion i tillë. Këto tekste janë Eneida e tij eseistike dhe qytetare. Enea, personazhi i brendshëm i Virgjilit tonë është në kërkim të qendrës ku do të vendosë ngulimin e vet. Secili lexues mund të jetë një koloni”, – shkruan Lela.
Drejtoresha e Botimeve UET Press, Valbona Nathanaili u shpreh se këto shkrime shënojnë disa nga momentet më nevralgjike të shoqërisë sonë. “Ato na mësojnë të lexojmë në të ftohtë atë që zoti Muçi e ka shkruar në të nxehtë. Gjithsesi, libri është i mbushur me shpresë dhe me dëshirën për të ndryshuar”.
Vetë libri është i përbërë nga katër pjesë –Kaleidoskop, AlbanicusErectus, ExLibris, Admemoranda –ku secila prej tyre është një lloj imazhi ose një lloj simboli i të gjitha eseve të cilat janë të përfshira. Shkrimet përfshijnë një përudhë shumë të gjerë, fillojnë nga viti 2001 deri në 2015.
Shkrimtari dhe skenaristi Ylljet Aliçka e vlerësoi këtë libër sa informativ, aq edhe analizues dhe interpretativ. “Është një analizë tepër e thellë, e shprehur me një narracion të zhdërvjellët, madje gati në mani për gjuhën shqipe. E quaj pa frikë një homazh për gjuhën shqipe e për pasurinë e neologjizmave në shkrimet e tij. Së pari është një analizë pa kompromis. Shpeshherë është i ashpër, gjë që është jo e zakontë në eseistiken ose në kronikat, ose në analizën apo recensionet që bëhen sot”, – u shpreh Aliçka.
Një tjetër tipar që Aliçka nënvizoi mbi librin “Natyrë mort me kulturë” është imazhi, pesha e të cilit ndikon në fatin e këtij vendi. Autori revoltohet ndaj stereotipisë dhe klisheizmit perëndimor të opinionistëve të huaj, të cilët përpiqen që brenda një kohe të shkurtër të nxjerrin konkluzione të shpejta për këtë popull. Është një pozicionim i pakompromis i Virgjilit, gjë që vërtet të prek. Mund ta quash edhe patriotizëm por edhe një pozicion estetik të tij kundrejt këtij fenomeni. Është një element që na ringjall, edhe pse ndoshta është çështje brezash, shijen e librave ose e epokës kur toka nuk rrotullohej rreth diellit, por rreth librave. Epoka e artë e leximit dhe një pjesë e madhe për kohën bënë analiza për librin”, – përfundoi Aliçka.
Virgjil Muçi e quajti këtë libër një tundim drejt publicistikës, së cilës ai iu dorëzua. “Mendoj që ka një kufi të padukshëm e të paqartë ku shkrimtarët, në këtë rast po fus edhe veten, kanë gjithmonë tundimin të kalojnë tek ajo që quhet publicistikë. Anasjelltas ndodh edhe kjo që publicistët kanë prirje të kalojnë te fiksioni; te romani ose te tregimi i shkurtër. Ky lloj tundimi është i hershëm tek unë, ka filluar që para viteve ‘90. Një nga “djajtë” që më nxiste ta bëja këtë ishte Remzi Lani me gazetën e tij, ku kam botuar shkrimet e para të karakterit kritik dhe më pas edhe letrar. Me këtë libër jam përpjekur të krijoj një lloj mozaiku, i cili sigurisht është i paplotë, por ajo që është kryesore dhe më ngroh disi janë fjalët tuaja, nëpërmjet të cilave mozaiku fillon të krijojë njëfarë figure e përcjell një imazh disi të plotë te lexuesi. Pjesa që unë do doja të veçoja nga ky libër është ajo që unë e kam quajtur “ExLibris” që në fakt ka të bëjë me rileximet në një periudhë të vonë, ku filloi të shkruhej për librat, kryesisht të viteve para ‘90”.
Virgjil Muçi ishte nga ata intelektualë që së pari kthyen sytë nga përrallat, duke u bërë kështu jo vetëm zëdhënës i tyre, por shkroi edhe vetë të tilla.
Krijimtaria letrare e Virgjil Muçit është e gjerë dhe e larmishme, ai është autori i 17 librave, të cilët përfshijnë një spektër të gjerë. Është poet, regjisor dhe skenarist i filmit dokumentar; është kritik sa i takon shkrimeve letrare dhe sociale. Është përkthyes, ka më shumë se 35 tituj të përkthyer të autorëve, si Sontag, Lindgren, Bukowski, Albahari Kagan, Dickens, Galbaraith, Nikolaidis, Dahl, Bernd Fisher etj. Është publicist, i pranishëm në shtypin e përditshëm dhe atë periodik, kryesisht me shkrime nga fusha e kulturës.