fbpx

Aktualitet

Virion Graçi, me një elegji për të rinjtë e vitit ‘90





               Publikuar në : 11:33 - 24/11/19 |
Alessia Selimi

Alessia Selimi


Në një dehje të kthjellët, mes emigrimit për një jetë më të mirë dhe qëndrimit në atdhe, Virion Graçi ka sjellë së fundmi për lexuesit një tablo të shkarjes në anonimat dhe jo vetëm. I përhumbur në kujtime studentore, sikurse e pohon edhe vetë shkrimtari, “Dead End” është libri i tij më autobiografik. Kurrsesi i shkëputur nga kriza e gjithanshme ideologjike, morale e shpirtërore e Shqipërisë së viteve ’90, Virion Graçi mëshon përmes unit se të rinjtë mund të shënohen pa frikë si viktimat e parë të asaj periudhe. Jo më kot libri ka për titull një gjetje kompozicionale, një sinjalistikë ndërkombëtare, rrugë pa krye. “Cikli shumëvjecar i ëndrrave? Ku shkuam ne? Po aspiratat tona? A u bë Shqipëria si e gjithë Europa? A u bëmë më të mirë, më të kulturuar, më të lexuar, apo më human?”  Të përforcuara përgjatë kohës, ishin pikërisht përgjigjet e marra ndër vite që e shtynë Virionin të reagonte. Gjuha e tij e meditimit ka përftuar kritika pozitive dhe mjaft vëmendje në Panairin e Librit, ndonëse nuk ka gjetur shumë terren në hapësirat mediatike.



E takojmë në një lokal modest tek Pedonalja. Në moshën 51-vjeçare, Virioni duket se gëzon kureshtjen e një fëmije për çka ndodh rrotull. Nuk është një klient i ri, përshëndetet miqësisht me kamarierin. Ky i fundit largohet brenda pak çastesh, për t’i lënë vend një bashkëbisedimi ku shkëmbehen pyetje e përgjigje si rrallëherë për klientelizmin e thekshëm, ndjeshmërinë e tepruar të shkrimtarëve dhe raportin e tyre me fëmijët e lexuesit e rinj.


“Romani i fundit më zhvendos rreth atyre viteve ku më ndryshonte përceptimi për jetën. Isha pjesë e atij brezi që përjetoi ndryshime të mëdha, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë Evropën Juglindore, madje edhe në Gjermani. Kasta jonë politike këmbëngulte në një kohë kur u rrëzua muri i Berlinit dhe u vra diktatori rumun Nikolai Çaushesku se, ne nuk ishim Lindje dhe as Perëndim. Sipas tyre, nuk duhej të prisnim një diktator apo një sistem të ri, sepse ne kishkërkim gjetur një të mesme të artë. Ne ishim një brez tërësisht i ekspozuar ndaj propagandës zyrtare që fliste për parajsë socialiste, si dhe ndaj hipokrizisë së “etërve” tanë të kombit, të atyre që dilnin nëpër gazeta dhe televizione.

Të konfuzuar midis asaj çka na ushqehej me dhunë dhe realitetit mjeran, zgjodhëm të protestonim. Por, them se ky brez e shikon veten pa rol në historinë e mëvonshme. Ne nuk e artikuluam dot vetveten, në çfarëdolloj fushe të mundshme”-thotë fillimisht Virioni.

“Nëse do të doja të sillja për lexuesin vetëm historinë e dashurisë së dy të rinjve, do e shkruaja në ’94, kur edhe u konfirmova si një shkrimtar që e levroja zotësisht zhanrin e romanit. Nuk e shkruajta asokohe, pasi prita që dielli i shpresave tona politike të bënte rrugën në qiellin e historisë”- thekson më tej ai.

Më 13-17 nëntor, Virioni ishte në Panairin e Librit së bashku me romanin e tij. Veçse, nuk u vu re shpesh. Kjo s’do të thotë se e tradhtoi lexuesin. Nuk e ka bërë kurrë diçka të tillë. Por, duket se bëhej fjalë për një vendim të mbështetur në një arsyetim shkrimtari, prej atyre të vërtetëve, që u pëlqen zëri i realitetit të ngjeshur, jo më monotonë se vetë jeta.

“Libri im nuk pati shumë vëmendje mediatike, pasi minutat e programacioneve televizive rezervohen me klientelizëm. Nuk më bezdis aspak kjo gjë. Madje, lejomëni t’ju them se nuk doja as që të më shitej libri për faktin se mund të gjendesha në Panair. Të rrish fizikisht tek stenda është si të jesh një muzikant rruge, që pret të të vlerësojnë performancën falë disa qindarkave. Libri është dashuri intime, me stilin dhe elegancën e shkrimtarit. Më vjen keq që Panairi funksionon si një librari provizore”-thotë Virioni, duke u ndalur kështu edhe tek karakteri i asaj që konsiderohet si një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore të vitit.

Një librari të tillë provizore vendi ynë e meriton në 365 ditë të vitit, ku njerëzit nuk ka përse të shtyhen. Fundja, pse të mos krijohet një atmosferë e tillë që çdokush të lexojë 10 faqe nga libri që u pëlqen? Për t’u mos mjaftuar me kaq,  ndodh edhe një zhvlerësim moral, se porsadel nga shtypshkronja shitet me 20% ulje, ndërkohë që nuk i është tharë ende zamka e ngjitjes. Nuk dua të keqkuptohem. S’po pretendoj të ndryshoj diçka brenda politikave ekonomike, por po përpiqem të them se duhet ta shohim Panairin si një mundësi të mirë ku shkrimtarët të takohen me lexuesit me qëllimin për të bashkëbiseduar.”

Virioni prek po ashtu konkurrencën brenda shkrimtarëve, si edhe mënyrën sesi ato e trajtojnë produktin e tyre artistik. “Shkrimtari shqiptar e rrëzon konkurrencën me ndjeshmërinë e tepërt, se çfarë ka bërë tjetri më shumë. Më vjen keq që nuk e kanë kuptuar ende se gjithsecili duhet të gëzohet me praninë e sojit, sepse vetëm kështu mund të forcohet besimi dhe psikologjia e besimit tek letërsia shqipe. Kam konstatuar gjithashtu se mungon trajtimi i mirëmenduar i librit. Që të ekzistojë si një institucion, libri duhet të ketë lexues. Shkrimtarët tanë mendojnë se shkruajnë për elitat, jo për turmat. Ky është një koncept idiotesk, don kishotesk. Vetë Viktor Hygo i dërgonte botuesit të tij një letër me tre pikëpyetje të mëdha, pikërisht për të ditur nëse kishte arritur të prekte një masë të gjerë lexuesish”-shprehet ai, duke cekur paksa edhe marrëdhënien e shkrimtarëve shqiptarë me fëmijët dhe të rinjtë e sotëm.

“Tek shkrimtarët që i përkasin brezit tim, ka një lloj snobizmi. Ata i prezantojnë të rinjve shkrimtarë të qindra viteve më parë, me qëllimin për t’u dukur të lexuar dhe të ditur. Në të vërtetë, veçse tregojnë padituri. Fluksi i ngjarjeve të ditës mund të jetë më emocionues se ato që të rinjtë mund të gjejnë nëpër faqe libri. Në të tilla raste, s’po flasim për letërsi. Ajo duhet të sjellë një realitet tërheqës, nuk po them detyrimisht fals. Le të ndalemi tek tekstet shkollore. Fragmentet e zgjedhura nga letërsia e huaj apo shqipe, s’bëjnë gjë tjetër veçse e zvetënojnë  dashurinë e fëmijëve për letërsinë. Tekstet shkollore janë banalizuar. S’duheshin bërë alternative, sepse secili lobon për të fituar në Ministri të Arsimit…Bëhet një mishmash i vërtetë, deri në kufijtë e korrupsionit. Dhe këtu, hyn edhe neglizhenca ndaj asaj se çka i serviret fëmijëve”.

Bashkëbisedimit shumë shpejt po i vjen fundi, ndonëse provokon pafundësisht pikëpyetje të mëdha. Një ndër to, që padyshim mund të cilësohet edhe si ndër më naivet, është sesi mund të jetë jeta e një shkrimtari në vendin tonë. Me një buzëqeshje të çiltër, aspak tallëse, Virioni preferon të flasë për veten e tij.

“Kam bërë një jetë monotone. Mund të them se kam praktikuar një skemë të mbyllur veprimi (punë-shtëpi). Por, jeta e një shkrimtari merr ngjyra në varësi të shkallës së përjetimit të brendshëm, se sa ai azhornohet me ndjesitë dhe fatet e personave që e rrethojnë. Kjo gjë dëshmohet fare mirë tek veprat e tyre. Shkrimtari i njohur francez, Gustav Flober pohonte se nuk dallonte fare nga kopshtari i tij për nga pamja fizike. Madje, ky i fundit kishte për të pamje më premtuese si mendimtar apo filozof. E megjithatë, nuk shkruante vepra letrare…”

 

* Shkrimtari Virion Graçi është nga më të suksesshmit e kohës së demokracisë. Pedagog në Universitetin “Eqerem Çabej” në Gjirokastër dhe studiues pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA). Lindur më 14.02.1968, në Gjirokastër, ka kryer fakultetin “Histori-Filologji” (Tiranë), në degën gjuhë- letërsi shqipe, në vitet 1988-1992. Nga viti 1993-2010, Virioni ka punuar si pedagog në universitetin “Eqerem Çabej”. Prej vitit 2010 është punonjës shkencor në Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë.

 

 


Etiketa: ,

Pas