Aktualitet

Virtytet njerëzore të VIP-ave në situata ekstreme














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:15 - 25/02/21 |
Pëllumb Nako

Aktualisht, prej më shumë se një viti, vendi ynë si dhe shumë vende të tjera të globit tokësor ndodhet përballë një shtrëngese të rrezikshme siç është pandemia Covid-19 e cila po merr jetë njerëzore në mënyrë të përditshme, thuajse masive dhe që në aspektin social po ushtron një presion ekstrem mbi sjelljen e individit në shoqëri. Aktualisht shoqëria njerëzore, përveç problemeve të rënda ekonomike, nuk po funksionon e lirë, por nën presionin e një pandemie që ngjall masivisht pasiguri. Ndryshe nga shumë vendi të tjera, ky i yni ndodhet edhe nën një presion të dytë, në atë të shtrëngimit që ushtron mungesa e vaksinave për të gjithë shtresat sociale të vendit. Të dyja këto shtrëngime krijojnë krejt natyrshëm mbi mbarë shoqërinë shqiptare një presion të madh i cili kalon në ekstrem dhe në këtë mënyrë kushtëzon sjellje të ndryshme të secilit individ karshi të tjerëve krahasuar me kohën normale. Thënë me fjalë të tjera, jemi në kushtet e një situate ekstreme me rrezik jete që vë në provë dimensionin human të çdo individi përballë paqartësisë për të jetuar vetë dhe sigurisë të të tjerëve që do të vazhdojnë të jetojnë jo vetëm për shkak të shëndetit të tyre, por sidomos për shkak të vaksinave që po marrin.





Sipër kësaj situate me përmasa ekstreme, i qetë qëndron Kryeministri i cili bën një ndarje fillestare se kush do të bëjë i pari e kush i dyti vaksinën e cila të sqaron përfundimisht paqartësinë për të vazhduar jetën. Gati të gjitha mediat dhe analistët iu sulën kryeministrit për këtë vendim të tijin. Në fakt kot. Sepse Kryeministri ka dhënë prova që duke pasur një komitet ekspertësh lidhur me pandeminë, jo rrallë ka dalë sipër tij dhe ka marrë vendimet që i ka gjykuar më përfituese. Po ashtu edhe komiteti i ekspertëve në grup dhe veç e veç ka dalë publikisht në mbështetje të çdo veprimi të tij. Të presësh nga ky komitet që të kundërshtojë Kryeministrin për këtë apo atë vendim, është po aq e pamundur sa të kërkosh që diplomatët dhe ambasadorët të cilët morën dekorata për hapjen e negociatave të vendit tonë me Bashkimin Europian, t’i kthejnë ato pas si të paqena, sepse vendi ynë ende nuk i ka hapur ato. Pa folur këto për sjellje të panumërta të Kryeministrit të ngjashme më këtë.


Sigurisht në kushtet kur shoqëria e sotme botërore, në thuajse gjithë aspektet e saj njerëzore po dominohet gjithmonë e më shumë nga kompanitë multinacionale të fuqishme që përplasen në sfera të ndryshme të globit, nuk mund të presësh nga një kryeministër me profil të theksuar makiavelik i një vendi të vogël periferik, të shfaqë dimensione humanizmi sidomos në një moment kur ai përballet edhe vetë personalisht me një shtrëngim tjetër siç janë zgjedhjet që po trokasin. Koha e gjigantëve humanistë si mjeku Jonas Salk që shpiku vaksinën kundër poliomielitit i cili prekte aq shumë fëmijët e atyre viteve që sot na drejtojnë, ka përfunduar. Kur atij i thanë se përse nuk e ruajti, por e fali për gjithë njerëzimin patentën e vaksinës që sapo kishte shpikur, ai u përgjigj: “Nuk mund t’iu shes njerëzve diellin.” Në këto kushte Kryeministri ynë rezulton produkt tipik i kohës që po jetojmë ku përgjithësisht qeveriset me shpirtra të kalbur që ndryshojnë nga njëri–tjetri vetëm nga çmimi i tregut dhe nga një klasë intelektuale që në momente ekstreme e humbet tërësisht dimensionin e saj human, duke u tkurrur nën pamjen e një individi të frikësuar në rastin konkret prej Covid-19.




Me përmasa më të buta, situatat ekstreme të Covid-19 dhe mangësia në vaksinat kundër tij, po e vënë edhe shoqërinë shqiptare, edhe atë të shumë vendeve të tjera të ngjashme me të, përballë sprovash të cilësive njerëzore të individit dhe të vetë shoqërisë thuajse njëlloj me situatat ekstreme që janë evidentuar edhe në kushtet e kampeve famëkeqe naziste njëlloj si ato komuniste ku jeta dhe vdekja jetonin bashkë në çdo moment. Sigurisht në një kontekst të ndryshëm, por pasiguria për jetën që përjetohej në kampet e dikurshme të përqendrimit apo të punës përballë kërcënimit të xhelatëve nazistë apo komunistë më pas, po përsëritet edhe në këto kohë përball kërcënimit të Covid-19 dhe mangësisë në vaksina duke dominuar natyrshëm sjelljen jo vetëm të individëve të thjeshtë, por edhe të atyre me peshë publike. Njëlloj si dikur po vihen në provë cilësitë njerëzore kur në çdo sekondë jeta e njeriut vihet përballë mundësisë së vdekjes.


Këtu vjen në plan të parë edhe cilësia e sjelljes njerëzore të personaliteteve të spikatura të vendit të cilat Kryeministri i zgjodhi për të bërë të parët vaksinën mbi bazën e kontributeve të tyre intelektuale dhe jo mbi bazën e atyre shëndetësore. Secili prej tyre i zuri radhën dikujt që mund të kishte nevojë më urgjente për vaksinën sesa ata. Asnjëri syresh nuk e pa të arsyeshme të kërkonte shpjegime se si do të ishte më mirë të organizohej vaksinimi me ato pak vaksina që kanë mbërritur. Ose të paktën të mos pranonte që të kryente vaksinën në prani të medias, në mesin e një tamtami propagandistik duke hyrë me dëshirë të plotë në një lojë me vlera përdorimi. Do të ishte ndonjë problem i madh sikur të gjithë ta kishin kryer vaksinën jashtë kamerave? Madje ta vinin si kusht këtë fakt dhe nëse Kryeministri nuk do ta zbatonte, ta denonconin duke e kundërshtuar publikisht. Nuk ishte shfaqje dinjitoze të shihje se si njëri pas tjetrit të veshur e të stolisur shkonin drejt Arenës si në një mbrëmje gala.


Edhe në kampet naziste, përballë kërcënimit të shfarosjes kriminale pati shumë nga ata që bënë zgjedhjen për të jetuar siç bënë VIP-at e kombit tonë megjithëse situata për këta të fundit përballë rrezikut të Covid-19 nuk është aq radikale, ose aspak, sa në kampet e përqendrimit. Krahasimi ndoshta duket i fortë, por pasiguria e jetës në ato kushte ekstreme, ishte e mjaftueshme që me një gjest të vogël mund të ktheheshe në hero duke sakrifikuar jetën tënde e shpëtuar atë të tjetrit, madje edhe për pak ditë më shumë, ose duke shpëtuar thjesht jetën tënde për të pasur cilësinë e të mbijetuarit ndoshta edhe ca ditë po ashtu. Nuk munguan rastet e shumta kur individët pasqyruan cilësi njerëzore të shpërfytyruara përballë humbjes së jetës. Pati raste kur nëna bëri sikur nuk e njohu të birin në momentin që atë e pushkatuan në sy të saj, vetëm e vetëm që ajo të jetonte edhe disa ditë më shumë ose e kundërta kur fëmijët u rrëmbenin me forcë bukën prindërve të tyre.

Por pati edhe raste sublime. Njëri nga të mbijetuarit e Auschwitzit, 30 vite më vonë do të kujtonte që mbijetesa e tij iu dedikohej disa personave të cilëve nuk ua dinte emrin por i kujtonte gjithmonë me fytyrë njerëzore dhe me zemër njerëzore.

Në rast se VIP-at tanë të kohëve të lumtura do të ishin treguar VIP-a edhe të kohëve ekstreme, me siguri që në mos nuk do të pranonin vaksinimin mbi këto kritere, të paktën nuk do të shfaqeshin në ekran si mollë e ndalueme për dikë që ka më shumë nevojë, por më pak mundësi.

1


Etiketa:

Share
Mbyll
CLOSE
CLOSE
Pas