Aktualitet

Virusi i rrezikshëm zbulohet dhe në SHBA, autoritetet: Nuk është momenti për panik





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 11:12 - 22/01/20 |
mapo.al

Të paktën 9 veta kanë vdekur brenda muajit për shkak të një virusi misterioz në provincat kineze. Ministria e Shëndetësisë e Kinës informoi të mërkurën se numri i të infektuarve është rritur mbi 400 ndërsa mbi 1,300 të tjerë po mbahen nën vëzhgim pasi kanë qenë në kontakt me pacientët.


Mendohet se virusi po ripërshtatet gjenetikisht. “Virusi është shpërndarë kryesisht nëpërmjet aparatit të frymëmarrjes dhe me gjasë do pësojë mutacione, çka rrit rrezikun e epidemisë. Këtë rrezik e ka shtuar edhe lëvizja masive e njerëzve që do festojnë Vitin e Ri Kinez, duke e vështirësuar marrjen e masave efektive parandaluese,” deklaroi zëvendësministri i shëndetësisë, Li Bin.



Si zanafillë e epidemisë konsiderohet qyteti portual lindor i Vuhenit, dhe më saktësisht një treg ku shiteshin ilegalisht kafshët e egra. Autoritetet kanë bërë thirrje që të mos udhëtohet drejt qytetit, dhe që qytetarët e tij të mos largohen.


Pas rasteve në shtetet aziatike dhe në Australi, Koreja e Veriut i ka paraprirë përhapjes së sëmundjes duke pezulluar turizmin e huaj në vend, ndërsa Rusia ka shtuar kontrollet në aeroporte.

Edhe në Amerikë u raportua të martën të paktën një pacient i infektuar me virusin e panjohur.

I riu 30-vjeçar kishte udhëtuar disa ditë më parë në Kinë dhe së fundmi po shfaqte simptomat e frymëmarrjes së rënduar, kollës dhe etheve që janë karakteristike të epidemisë.

“Si guvernator i Uashingtonit u them qytetarëve se nuk është momenti për panik ose ankth. Duhet thjesht të rritim vigjilencën dhe të identifikojmë personat që mund të jenë prekur, që të përkujdesemi për ta,” u shpreh guvernatori i shtetit.

Gatishmëria është rritur edhe në aeroportet europiane, të cilave u është rekomanduar të testojnë personat e linjave të caktuara për të evituar  transmetimin e viruseve në të gjithë kontinentin.


Etiketa:

Pas