Aktualitet

Virusi që vret e varfëron, miliona euro për t’u kuruar në Turqi dhe Shqipëri








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:00 - 23/11/20 |
mapo.al

Kur vjen puna te shëndeti, askush nuk bën llogari, por shpenzimet e shqiptarëve janë dramatike. Burime të sigurta, bëjnë me dije për gazetën MAPO, se vetëm muajin e fundit ka pasur 200 çartera mjekësorë nga Rinasi drejt Turqisë. Vetëm fluturimi kushton nga 15 mijë deri në 20 mijë euro, ndërkohë që qëndrimi atje në spital është 1500 euro nata. Po edhe spitalet private në Tiranë, që janë drejt fundit të kapacitetit nuk ngelen pas. Në disa raste, paguhen mbi 2 mijë euro nata, hoteleria plus shërbimi. Ndërkohë, qeveria thotë se sistemi ynë shëndetësor ka kapacitete dhe ofron shërbim si gjithë Europa.



Nga aeroporti i Rinasit të shtunën më datë 21 nëntor janë nisur 5 avionë charter me të sëmurë me COVID-19 drejt Turqisë.


Gazeta MAPO mëson se fluturimet e avionëve-ambulancë drejt Turqisë vijojnë dhe pse mediat turke lajmëruan dje se ministria turke e shëndetësisë u ka kërkuar kompanive private të mos pranojnë më pacientë nga jashtë për shkak të gjendjes emergjente ku ndodhet vendi me shtimin e rasteve të infektimeve.




Por shqiptarët janë me sytë nga Turqia për të shpëtuar jetën e tyre dhe pse u duhet të paguajnë qimet e kokës për këtë.



Me një kosto udhëtimi që varion nga 15 mijë deri në 20 mijë euro dhe kosto hospitalizimi që kushton mesatarisht 1200 deri 1500 euro nata shqiptarët po e “blejnë” shëndetin e tyre shumë shtrenjtë deri në kufijtë e varfërimit.


Qindra të sëmurë me covid i janë drejtuar Turqisë dhe vendeve të tjera si Italia apo Austria për t’u kuruar pasi nuk kanë pasur besim te spitalet tona.

Duke harxhuar dhjetëra mijëra euro për kurim ata kanë shpenzuar kursimet e jetës së tyre ose janë futur në borxhe të thella për të shpëtuar jetën.

Sipas një investigimi të fundit të BIRN-it gjatë pandemisë pacientët shqiptarë kanë shpenzuar mbi 6.7 milionë euro për udhëtime dhe 12 milionë euro të tjera për kurimin në spitalet private jashtë vendit.

Numri i fluturimeve jashtë vendit për arsye kurimi u rrit nga 5 të tilla në muajin maj, kur epidemia COVID-19 ishte ende nën kontroll, në 152 fluturime gjatë muajit tetor.

Ndërsa muaji nëntor shënoi një rekord të ri me 206 fluturime për qëllime mjekësore deri më datë 18.

Një pacient për t’u kuruar harxhon mesatarisht 45-50 mijë euro në spitalet turke, pa përfshirë këtu kostot shtesë të të afërmve të tyre që mund t’i shoqërojnë gjatë qëndrimit atje.

Ndërkohë që qindra shqiptarë po fusin veten në borxhe për t’u kuruar jashtë vendit, mijëra të tjerë po ashtu po kurohen privatisht në Shqipëri, duke i besuar spitaleve private ose mjekimit në shtëpi, pa asnjë ndihmë nga shteti.

Kjo sakrificë nuk vlen vetëm për ata që kanë marrë rrugët e qiellit për të shpëtuar. Kostot financiare për kurimin nga covidi po bëhen stratosferike dhe brenda vendit.

Me plotësimin e kapaciteteve në spitalet shtetërore, ku autoambulancat me të sëmurë qëndrojnë në oborret e spitaleve covid, pacientët po i drejtohen spitaleve private duke pranuar kostot marramendëse të kurimit.

Kurimi në privat dhe shtëpi

Me shifrat e fataliteteve në rritje shumë pacientë kanë frikë t’i drejtohen spitalit shtetëror.

45-vjeçarja E.V i tha gazetës MAPO se iu desh të mjekonte prindërit e burrit në shtëpi duke marrë shërbim nga një spital privat në Tiranë pasi nuk kishte besim te shërbimi në spitalet shtetërore.

“Të dy të moshuar me sëmundje bashkëshoqëruese si diabet e tension u sëmurën me covid dhe gjithë kurimin e tyre e kam realizuar në privat pa asnjë shërbim të marrë nga shteti, përveç një vizite rutinë në fillim të sëmundjes te mjeku i familjes.

Dy mjekë vijnë t’i vizitojnë gjatë ditës me kosto 5 mijë lekë të rinj për vizitë. Pra, 10 mijë lekë të rinj në ditë për vizitat mjekësore plus blerja e ilaçeve dhe bombolës së oksigjenit, ne nuk dimë se sa do të na shkojë fatura përfundimtare e kurimit”- thotë ajo.

Nëse do t’i duhet të shtrojë vjehrrit e saj në spital ajo duhet të marrë parasysh një dhjetëfishim të kostove.

Burime nga një spital privat në Tiranë i thanë MAPO-s se një natë shtrimi në spital për të sëmurët me COVID-19 kushton mesatarisht 2000 euro nata.

Shqiptarët janë mësuar të paguajnë për shëndetin e tyre pavarësisht se mund të kenë sigurime shëndetësore dhe se dëgjojnë nga mëngjesi në darkë propagandën qeveritare për “mjekësinë falas”.

Mijëra të infektuar me covid po trajtohen në mënyrë private në shtëpi, duke i besuar vizitat dhe kurimin e tyre në klinikat dhe spitalet private, të cilat këto ditë nëntori kanë një fluks të madh mbingarkese me pacientë.

Për të mos vënë jetën e tyre në rrezik duke pritur radhën për një skaner apo tampon në shtet ata të dëshpëruar i drejtohen privatit ku sipas llogaritjeve vetëm kostoja e diagnostikimit shkon rreth 35-70 mijë lekë.

Lexo edhe :  Biberaj dënon gjuhën e Ramës ndaj Francës: Vargje pa vlerë

Sipas çmimeve, një tampon PCR te privatët kushton 12 mijë lekë; një skaner kushton nga 15 mijë deri në 35 mijë lekë dhe grupi i analizave të gjakut për të vlerësuar të gjithë parametrat që lidhen me Covidin kushtojnë midis 10-12 mijë lekë.

Kostoja e kurimit varet nga shkalla e sëmundjes, duke shkuar dhe deri në 1500 euro nëse do t’i duhet të marrë mjekim të specializuar dhe oksigjen.

Hapet pavijoni COVID-3, gati COVID-4

Nga fluksi i pacientëve me koronavirus, pritet që nga e hëna të hapet një tjetër pavijon në spitalin Covid-3. Ky pavijon mësohet se do të ketë në dispozicion rreth 40 shtretër për të prekurit me Covid.

Brenda javës pritet të hapet edhe spitali Covid-4, po për trajtimin e të sëmurëve me koronavirus. Me 100 shtretër në total, ky spital do të administrohet nga QSUT.

Ndërsa pacientët e shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, përpara se ky të bëhej Covid-2, janë transferuar te departamenti i Mjekësisë Interne.

Aktualisht në 3 spitalet COVID, po trajtohen 449 pacientë, 12 në terapi intensive, 6 pacientë janë të intubuar.

Bilanci i zi i së dielës, 14 viktima

Një dimër i vështirë ka nisur për shqiptarët. E diela ka shënuar një bilanc tjetër të zi me 14 viktima të reja nga pandemia e COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë raportoi dje një rënie të numrit të rasteve të reja me COVID-19 në vend në krahasim me ditët paraardhëse, por fatalitetet mbetën në shifra alarmante me 14 humbje jete në 24 orët e fundit.

Sipas të dhënave më të fundit nga autoritetet e shëndetësisë, në 24 orët e fundit u shënuan 565 qytetarë të prekur rishtas nga koronavirusi dhe 14 qytetarë që kanë humbur jetën prej tij.

Gjithsej janë deri tani 699 të vdekur nga COVID-19.

Pjesa më e madhe e të prekurve janë në kryeqytet dhe të tjerët janë zbuluar në Gjirokastër, Lezhë, Elbasan e pothuaj në të gjithë territorin e vendit.

Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki:146 raste në Tiranë, 71 raste në Gjirokastër, 50 raste në Lezhë, 37 raste në Elbasan,30 raste në Lushnjë, 28 raste në Gramsh, 25 raste në Sarandë, 24 raste në Kavajë,22 raste në Shkodër, Fier, 18 raste në Kuçovë, 17 raste në Korçë, 14 raste në Tepelenë,13 raste në Përmet, 10 raste në Krujë, Pukë, 7 raste në Vlorë, 5 raste në Librazhd, 4 raste në Devoll, 3 raste në Has, 2 raste në Malësi e Madhe, Bulqizë, 1 rast në Kurbin, Dibër, Pogradec, Peqin, Kolonjë.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 373 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 15.842 që nga fillimi i epidemisë.

Aktualisht në 3 spitalet COVID, po trajtohen 449 pacientë, 12 në terapi intensive, 6 pacientë janë të intubuar.

Apeli i mjekut: Zgjohuni! Të sëmurët po dergjen në autoambulanca

Mjeku i njohur i Urgjencës, Dritan Kociaj i bëri dje thirrje publike kryeministrit Edi Rama, ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe Komitetit të Ekspertëve për gjendjen apokaliptike në Spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Duke ndarë eksperiencën e tij personale, Kociaj shkruan në “Facebook” se nuk ka shtretër për të sëmurët me Covid në urgjencën pritëse dhe pavijone.

Ai kërkon të hapet sa më parë spitali Covid-4, duke lënë të kuptohet se numri i të prekurve nga Covid-19 sa vjen e rritet.

Postimi i Dritan Kociajt në “Facebook” në orët e para të mëngjesit kur ai ishte në punë u bë viral duke sjellë një tablo të dhimbshme të situatës në spitalet covid.

“Ju lutem zgjohuni nga gjumi! Është ora 03:00 e mëngjesit, sot është data 22 nëntor. Është ftohtë dhe kam 3 orë e gjysmë me pacientë në autoambulancë në derën e spitalit “Shefqet Ndroqi”.

Porsi unë janë dhe 6 autoambulanca të tjera me pacientë. Vende në urgjencën pritëse po kështu dhe në pavijone nuk ka. Vazhdojmë t’i ndërrojmë bombolat e 02 autoambulancave por kjo nuk është zgjidhje.

Ndërkohë me bindje jua them se në linjën e 127 kush e di sa janë në pritje. Ju lutem, zgjohuni nga gjumi hapni sytë dhe shikoni të vërtetën në sy. Ju lutem, zgjohuni dhe hapni Covid 4 qoftë edhe me infermierë për oksigjenimin e pacientëve me saturime të ulëta.

Ju lutem, zgjohuni dhe angazhoni shtretërit në spitalet rajonale, sadopak qofshin ato. Ju lutem, zgjohuni se nesër do të jetë vonë. Po kolapsohet sistemi. Çdo jetë vlen.

Dhe çdo jetë e humbur do të jetë në ndërgjegjet tuaja, jo të ne mjekëve apo infermierëve që punojmë e do vazhdojmë të punojmë”, shkruan në apelin e tij mjeku.

1


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas