Virusi
Një virus i rrezikshëm me origjinë si zakonisht nga lindja e largme po e kanos sërish njerëzimin njoftojnë, duke mos e fshehur dot ankthin e tyre, agjencitë kryesore të lajmeve, akoma pa e marrë veten siç duhet nga puna e stërlodhshme me rastin e gripit të shpendëve që, me virusin e tij H5N1 vdekjeprurës për njeriun, shkaktoi mijëra të vdekur, shumë prej tyre edhe në vendet e industrializuara; njoftojnë pra, duke iu referuar një komunikate të thukët (që nuk premton bereqet) të OBSH-së, e cila bën të ditur ekzistencën kërcënuese të një tjetër virusi, L7M12, kësaj radhe shkaktar i të ashtuquajturit grip të plepave që, në provincën Hian çin të Kinës Juglindore jo vetëm shkatërroi krejtësisht pyllin e madh të plepave buzë liqenit Sangò por, njofton organizata, edhe pse autoritetet kineze janë ende, si zakonisht, retiçente, shkaktoi vdekjen e papritur të 5 rojtarëve të këtij pylli, si pasojë e një pneumonie krejtësisht atipike që nuk i përgjigjej mjekimit klasik me antibiotikë, çka flet për një shndërrim të papritur të virusit në fjalë në një formë agresive edhe për njeriun, çka alarmoi pjesën tjetër të botës populluar me plepa e cila, fatkeqësisht, nuk arriti t’i përdorë në kohë mjetet parandaluese ndaj përhapjes së virusit me anë të pushit të plepave që më fort se kurrë shpërtheu këtë pranverë dhe u davarit botërisht nga 12 tajfunët stinorë dhe nga 1 273 512 turistët kinezë të muajit maj (që qe e pamundur të ndaloheshin aeroporteve të planetit) dhe 2 029 734 kinezëve të arratisur brenda të njëjtit muaj, veshur tesha doku, sipas tezgjahistëve vendi i preferuar ku bën folenë pushi i plepave me gjasë me virus brenda, dukuri këto (natyrore dhe njerëzore) që sollën tharjen e plot 7 133 pyjeve me plepa në gjithë planetin, përfshi atë rrotull Lanës në kryeqytetin e shqiptar, i cili u bë simbol i rezistencës karshi virusit teksa kërkues shkencorë të Universitetit të Rrashbullit aplikuan aty të parët në botë dhe me shumë sukses vaksinimin e plepave kundër këtij gripi, vaksinim që realizohej nga njerëz të mirëmbrojtur nga veshje firmato dhe maska kundragazi që, me shiringa gjigante në formë turjele, gërryenin trungjet e plepave dhe aplikonin në zgavër vaksinën, teksa Shumëkombëshja me qendër në Bilisht që merrej me prodhimin e rrjetave të telit për dritaret e 100-fishoi prodhimin.
Postë-Komunikacion
Mësuam që tri javë më parë Scotland Yard-i arrestoi në banesën e tij në Sheffield, P.M., 47 vjeç, punonjës i Postave të Madhërisë së Saj, që shquhen për përpikmërinë dhe efikasitetin e tyre, në garazhin e të cilit u gjendën plot 32 ton letra të pashpërndara, që ai thjesht i kishte grumbulluar aty pa marrë kurrë mundimin t’i dorëzonte në destinacion, qysh nga dita e tij e parë e punës e një karriere 17-vjeçare në Postat Angleze. Dje për një rast analog dëgjuam edhe në Itali. Këtu tonët e letrave, grumbulluar kësaj radhe në një kolibe në fund të kopshtit të shtëpisë, ishin vetëm 24. Megjithëse për momentin nuk kemi fakte që të na bëjnë të mendojmë se këta dy persona kishin lidhje, besojmë fort që pakoja-dhuratë që i nisëm vjet mbesës sonë në Angli të dergjet, ende e paprekur, në depozitat e njërit prej personave në fjalë. Menduam t’u nisim për këtë një letër Postave Italiane dhe përkthimin e saj në anglisht atyre angleze për të mundur, në një orvatje të dëshpëruar, të rekuperojmë pakon. Mësuam, ama, ndërkohë që Scotland Yard-i ka nisur një aksion në shkallë të gjerë kundër punonjësve të Postave Angleze duke shoqëruar, anipse në gjendje të lirë, edhe 12 të tjerë pranë prokurorëve të çështjes. Një procedurë analoge kanë ndërmarrë edhe karabinierët në Itali. Kjo na bëri të mendojmë që numri i punonjësve të postave angleze dhe italiane që mbajnë nëpër shtëpira letrat e dërguesve të ndryshëm nga e gjithë bota me gjasë është shumë herë më i madh dhe se këta dy prototipa përbëjnë vetëm majën e ajsbergut të një dukurie të shtrirë.
Kështu nuk e shkruam letrën dhe bile vendosëm për sivjet të mos nisim Urime Kërshëndellash nga Italia në Angli.
***
Vetëm dy ditë pasi pamë në televizor katastrofën hekurudhore në Japoni, si rezultat i daljes nga shinat të një treni pasagjerësh në një kthesë pranë stacionit të Osakës, ngaqë ecte me shpejtësi sa dyfishi i asaj të lejuar sepse, siç theksoi policia japoneze, kishte akumuluar një vonesë prej 30 sekondash, ndodheshim në stacionin e Padovës duke pritur trenin Eurostar që vjen nga Roma me destinacion Venecian, tren i cili normalisht akumulon gjatë rrugës një vonesë prej të paktën 30 minutash, u habitëm kur vumë re që ia mbërriti me vetëm 25 minuta vonesë, ndoshta, e cilësuam, si homazh të makinistëve italianë ndaj atyre japonezë në këto ditë të vështira për ta, me në qafë sëpatën e përpikmërisë dhe atë të cilësisë së lartë në shërbimin të pasagjerëve, ku cilësi e lartë quhet shpënia e tyre shëndoshë e mirë në destinacion, kahera maja e diamantit e hekurudhave italiane, shquam, me bisht syri, një grup turistësh japonezë vënë në radhë për të hipur në trenin që do t’i çonte në qytetin aq të ëndërruar dhe të shpeshfotografuar prej tyre, në Venecia, që në masë, si ta kishin bërë me fjalë, shkundnin me tërsëllëmë krahun e majtë, në një si punë tiku kolektiv. Menduam, krenarë, që është në nder të hekurudhave italiane që, duke parë katrahurën që po ndodh në vende të tjera, asnjë të vdekur nuk pati as sot nga radhët e pasagjerëve që udhëtuan nëpër Itali, nga veriu në jug, me të vetmin incident që mbeti, siç pamë, luksacioni bërrylor i një grupi turistësh japonezë tek orvateshin të rivinin në punë orët e tyre të dorës që i mendonin krejt të dala faret.