Kur udhëheqësit janë në kapërcyell të kohëve, pra kur po sosin ditët e pushtetit, krahasimet gjithnjë të vijnë në mendje, bëhen gati të detyrueshme.
Shqipëria kishte 8 vite në krye Sali Berishën, me bilancin më të mirë që një Kryeministër mund të prodhojë, me punë publike, rrugë, shkolla të reja, rritje pagash e pensionesh. Çdokush që është duke udhëtuar në këtë moment në një aks të Shqipërisë, po përplas gomat e makinës në një projekt të realizuar nga qeverisja e tij, në fushë, mal, kodër, qytet, fshat, bregdet, tunel apo kudo qoftë.
Arritje spektakolare në politikën e jashtme me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, me liberalizimin e vizave me zonën Shengen, me pavarësinë e Kosovës, pas vizitës së Presidentit Bush në Tiranë.
E përsëri, ky lider, që erdhi në pushtet me votë, në fund të udhëtimit nuk bëri asnjë marifet elektoral, asnjë hile, asnjë makinacion për ta ndihmuar atë artificialisht që të vijonte ekzekutivin. Edhe pse i kishte të gjitha shanset të nxiste ndryshimin e sistemit, Kodin e shumë të tjera, për të penalizuar kundërshtarin.
Sali Berisha zgjodhi të ikte me dinjitet, me votën e pëlqimin e qytetarëve, me konsensus, me zgjedhje të mira.
Ja ku jemi sot.
Kemi Edi Ramën. Nga ta nisësh një analizë të punëve të tij. Nuk ka arritje në infrastrukturë, s’ka ngritje pagash e pensionesh, dhe negociatat çdo vit e më shumë të rilindjes së tij vështirësohen me kushte të reja, për shkak të krimit, trafikut, prishjes së zgjedhjeve. Të vetmin shans që kishte për të mbyllur me dinjitet mbretërimin e keq, gjithë timonin në duart e tij, po e shkel me këmbë çdo ditë që ka fal Zoti.
Ky shans ishte të tregonte vullnet e të lejonte votën e lirë. Ishte shtegu i fundit nga ku mund të ruante pak lavdi e të hynte në histori, siç ai e ka ambicien. Dera drejt jetës së tretë.
Me bizantizma e ushtrim të pushtetit, ku bien në sy shantazhi e ryshfeti, ai po largohet secilën dekikë që kalon nga marrëveshja, pakti e rënia dakord, në një përpjekje të dëshpëruar jo për të ditur se çfarë mendojnë shqiptarët e ç’do vendosin ata ditën e gjykimit, por për të mbajtur me çdo kusht pushtetin e karrigen.
Në fakt ai po djeg çdo mundësi të artë për të të thënë mirupafshim, si shtetar. Çka tregon një të vërtetë të dhimbshme, se i tillë nuk ishte asnjë ditë.
Këto rrethana e bëjnë çdokënd të sjellë ndërmend vitin e fundit të Sali Berishës dhe Edi Ramës. Dhe lehtësisht sekush arrin në përfundimin se i pari ishte një politikan dhe lider, i dyti një personazh rrethanash që shkoi kaq shumë më larg, jo vetëm më tepër nga ç’e meritonte, po përtej çdo fantazie njerëzore.