Monedha e përbashkët europiane, euro, e mbylli vitin 2018 në nivelin e 123.42 lekëve, niveli më i ulët në të paktën 10 vitet e fundit.
Referuar të dhënave historike të Bankës së Shqipërisë, euro e nisi vitin 2018 në 133.07 lekëve dhe qëndroi mbi 130 lekë deri në fillim të muajit prill. Në vijim, pasi ra poshtë këtij kufiri, tendenca ka qenë vetëm në rënie. Kjo detyroi Bankën e Shqipërisë të ndërmarrë një sërë ndërhyrjesh të jashtëzakonshme në tregun valutor, me synim për të ndaluar rënien drastike të euros.
Por, pavarësisht blerjes së eurove nga banka qendrore, monedha europiane nuk e ndali rënien, që u përshpejtua pas muajit shtator. Gjatë vitit 2018, Banka e Shqipërisë bleu mbi 400 milionë euro, në funksion të stabilizimit të kursit dhe rritjes së rezervës valutore. Guvernatori, Gent Sejko, përjashtoi, për momentin, një ndërhyrje të re të Bankës së Shqipërisë në kursin e këmbimit valutor.
Megjithatë, në konferencën e fundit për vitin 2018, Guvernatori Gent Sejko tha se aktualisht tregu nuk ka çrregullime dhe lëvizjet reflektojnë faktorë sezonal dhe ofertën e lartë të euros. Sejko nënvizoi se Banka e Shqipërisë beson te regjimi i lirë i kursit të këmbimit dhe ndërhyrjet eventuale mund të motivohen vetëm në funksion të objektivit të inflacionit apo korrigjimit të çrregullimeve të përkohshme.
Sesionin e fundit tregtar të vitit 2018, euro e mbylli në 123.42, duke humbur rreth 9.6 lekë ose rreth 7.1%, raporton Scan.