Mapo Letrare

Vitrina e librit/ Njohja e vonë e Juan Rulfos




               Publikuar në : 15:32 - 04/02/19 |
mapo.al

Nga Alda Bardhyli


“Atje do të më dëgjosh më mirë. Do të më kesh edhe më pranë. Zëri i kujtimeve të mia do të jetë më pranë teje sesa vdekja ime, nëse vdekja nuk ka pasur ndonjëherë zë”.

Huan Preciado, rrëfimtari i romanit “Pedro Maramo” do t’i sillte shpesh në mendje fjalët e së ëmës, teksa përpiqej të kuptonte zërat dhe murmurimat që i kumbonin kudo, sapo mbërriti në Komala. “Erdha në Komala sepse më kishin thënë se këtu jetonte im atë, njëfarë Pedro Paramo. Ime më ma pat thënë. Dhe unë i premtova se do të vija ta takoja para se ajo të vdiste. I shtrëngova duart, si shenjë që këtë do ta bëja, sepse ajo ishte duke vdekur dhe unë po i premtoja gjithçka. “Mos rri pa e takuar”, më këshilloi ajo”.

Me këto rreshta nis romani “Pedro Paramo” shkruar nga Juan Rulfo, ardhur me një shqipe të bukur nga Bajram Karapolli. Njohja me Huan Preciadon, një personazh që “vritet” nga murmurimat, në një kohë kur letërsia duket se nuk flet më përmes tyre, është nga ato takime që të mbetet gjatë në mëndje. Teksa ndjek udhëtimin e tij për të njohur thellësitë e Komalës, ti arrin të ndjesh nga një faqe në tjetrën, të njëjtat zëra, rënkime shpirtrash apo vaje, si ai. Gjithë thellësitë e sekreteve të një vendi papritur pushtojnë vetëdijen tënde, e do të duhet kohë të shpëtosh nga e gjitha kjo. Me aftësinë e shkrimit, Rulfo arrin ta kthejë lexuesin në personazhin e tij, e ti bëjë të përjetojnë trazimet që vijnë nga shpirtrat e lënduar të Komalës.

Për një lexues të shekullit të XXI, njohja me këtë vepër që Rulfo e ka shkruar 1956, është një njohje tjetër me realizmin magjik në hapësirën e madhe të letërsisë latino-amerikane pothuajse të panjohur në Shqipëri. Juan Rulfo hyn tek ata autorë që kanë ardhur vonë në shqip dhe pse ndikimi i tij në botën letrare ka qënë i fortë që pas viteve 60-të. “Pedro Paramo” është ndoshta vepra më përfaqësuese e kësaj letërsie, e cila edhe pse ka më shumë se gjysëmshekulli jetë, vazhdon të jetë një ikonë e vërtetë frymëzimi për shkrimtarët, për prirjet, për epokat dhe stilet e ndryshme letrare. Një libër i cili është i pashtershëm për studime dhe analiza të postmodernitetit. Eshtë një ndër veprat për të cilën kanë shkruar emrat më të njohur të letërsisë hispanike, por kjo nuk i pengon kritikët kudo në botë të mos vijojnë të gjejnë elemente të reja në prozën e Rulfos. Kjo pasi leximi i tij është një dehje që kërkon ta ndash me të tjerët.

“Pedro Paramo” hyn në kategorinë e të çuditshmes, është puro magji dhe shprehur me një gjuhë poetike dhe simbolike. Dy realitetet, ai të gjallëve dhe i të vdekurve janë përzier aq mjeshtërisht sa është e vështirë të gjesh kufirin midis tyre. Shpesh rrëfimi ngjan i ndërlikuar, por shumë shpejt e kupton se torturat e Huan Preciados, na bëjnë ta kuptojmë më mirë karakterin dhe gjithë historinë e Pedro Paramos. Personazhet e këtij libri ndërtohen përmes oshtimave të zërave që vijnë nga larg, duke u konfiguruar nga një faqe në tjetrën, si silueta në mendjen tënde. E tillë është dhe Dolorita. Dhe pse nga një tjetër botë, ajo të magjeps me lehtësinë e të vepruarit dhe aftësinë për të mos u ndalur, deri sa të çojë në vend brengën e saj. Një grua që i ikën dashurisë nuk do të jetë kurrë e qetë. E tillë është dhe Dolorita dhe në botën tjetër. Ajo e kishte braktisur Pedro Paramon, por ai nuk kishte ikur kurrë prej saj. As tani, kur zëri i saj vjen mendueshëm prej largësish.

I gjithë libri është historia e jashtëzakonshme e një historie, ngritur e gjitha mbi murmurimat e qenieve që vijnë nga botë të tjera, por që pengjet i kanë bërë të mos shkëputen prej vendit ku kanë jetuar. Ti arrin të ndjesh dhembjen e tyre ashtu siç ndjen vdekjen e Suzanës, së vetmes grua që Pedro Paramo kishte dashur në jetë. Ti arrin të dëgjosh zërin e saj, ashtu siç dëgjon zërin e dhjetëra njerëzve që shfaqen nga humnera e vdekjes. Kjo është një ndër aftësitë e letërsisë së Rulfos, i cili jo vetëm na njeh me personazhet, por na bën të dëgjojmë dhe zërat e tyre. Në historinë letrare ky është ndoshta fshati më i pazakontë, të cilin Rulfo e ndërtoi në vetëm 132 faqe, (aq ka botimi i tij në shqip). Një fshat e një kohë, njohja e të cilit do të mbetet gjatë në kujtesën tuaj. ” Kur lexon “Murmurimat” për herë të parë të duket sikur një erë e fuqishme – era e vdekjes – t’i rrëmben faqet dhe episodet e një libri shumë më të madh: për të rikuperuar kuptimin e historisë, lexuesi duhet të bëjë një sforcim tejet të madh për të rivendosur pjesët, për të ribërë historitë e veçanta, për të plotësuar jetët e cunguara të shumë të vdekurve” shprehet Oktavio Paz pas leximit të këtij libri.

Por nëse mendoni se leximi i Juan Rulfos do të prishë qetësinë tuaj dhe e lini për një kohë tjetër e keni gabim. Njohja me letërsinë e tij dhe leximi i “Pedro Paramos” i ngjasojnë përvojave që nuk duhen humbur në jetë dhe se takimi me të vdekurit e Komalës do t’u bëjë të lini aty të gjitha frikërat tuaja.

 


Etiketa: , ,

loading...

loading...
KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Pas