Aktualitet

Vizita e Komisionerit/ Brukseli: Nuk ka negociata me Ramën














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:23 - 08/10/20 |
mapo.al

Shtyrja vazhdimisht e negociatave dhe dështimi i Ramës në plotësimin e kushtit për reformën zgjedhore kanë vënë në rrezik integrimin. Brukseli po bën të ditur se s’mund të ketë negociata me këtë qeverisje e këtë kryeministër. Gjermania nga ana tjetër nuk tërhiqet dhe vazhdon të mbajë qëndrim mohues për Shqipërinë pasi qeveria Rama nuk ka plotësuar asnjë kusht të Bundestagut. Konferenca ndërqeveritare e dhjetorit mund të jetë shansi i fundit për integrim, pasi politikat e zgjerimit nga ana e BE-së janë drejt fundit, Varhelyi: Reforma zgjedhore, kyçe për negociatat, lejoni koalicionet.





Mesazhi në parlament i komisionerit për zgjerimin Oliver Varhelyi, ishte i qartë për 97 deputetët që votuan ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor, reforma zgjedhore është kushti kryesor për negociatat.


Madje, këtë qëndrim ai e përforcoi akoma më shumë në konferencën e përbashkët për shtyp që zhvilloi me kryeministrin Rama, ku u shpreh dhe për koalicionet pas edhe parazgjedhore, ndalimi i të cilave sipas BE, është ndalim i të drejtave të të zgjedhurve për të dalë në zgjedhje ashtu siç preferojnë.





“Ne na duhet reformë e besueshme zgjedhore për të patur zgjedhje të lira. Ky është testi i vërtetë për Shqipërinë. Për momentin po analizojmë reformën që ka miratuar Kuvendi. Duke u bazuar te debati që është bërë gjatë gjithë procesit, duket që ka të bëjë me një çështje në thelb. Për aq kohë sa koalicionet paszgjedhore nuk parandalohen, pra nuk bëhen më të vështira, atëherë ne mund ta shikojmë atë ligj me një mendje të hapur. Nuk mund të kufizojmë të drejtat e të zgjedhurve, për të formuar koalicionet qoftë më parë apo pas zgjedhjeve. Për reformat e datës 5 Qershor, mendoj se ato ishin shumë të rëndësishme, dhe shpresoj që në bazë të asaj marrëveshjeje ne t’i kemi të gjithë partitë politike në zgjedhje, kjo është një çështje vendimtare”, – u shpreh Varhelyi.



Komisioneri tha se Gjykata Kushtetuese duhet të jetë funksionale. “Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të jenë në funksion. Ka akoma punë për të bërë që Shqipëria të ecë përpara për negociatat e anëtarësimit. Organet duhet të bëjnë punët e tyre”, – tha Varhelyi.


Politikat e zgjerimit

Por Komisioneri për zgjerimin bëri një paralajmërim, që në rastin e Shqipërisë duhet marrë si kambanë alarmi. Teksa fliste për të ardhmen e Ballkanit perëndimor në BE ai u shpreh se politikave të zgjerimit po iu vjen fundi, prandaj është insistuar që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të jenë bashkë në mbledhjen e parë ndërqeveritare që pritet të mbahet në dhjetor. Me pak fjalë, në rast të një ndarjeje nga Maqedonia e Veriut, vendi ynë mund të përballet me mbetjen jashtë Bashkimit Evropian. Kjo me sa duket është dhe arsyeja se përse Gjermania ka insistuar fort që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të jenë së bashku në këtë rrugëtim, përkundër disa zërave të tjerë si Franca apo Holanda që kërkojnë ndarjen e Shqipërisë.

“Ne kemi ardhur ose po vijmë në fund të rinovimit të asaj që quhet politika e zgjedhimit. Kur nisëm punë si komision, ne e bëmë të qartë që ditën e parë të detyrës. E kemi me të vërtetë dhe do të vazhdojmë punën me Ballkanin Perëndimor. Do e bëjmë këtë dhe me politikën e zgjerimit. E kemi seriozisht. Ne kemi mundur që të marrim dakordësinë për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, -tha Varhelyi teksa fliste për fondin prej 9 miliardë euro që BE pritet t’i akordojë Ballkanit në vitet e ardhshme.

Lexo edhe :  Rama publikon video: Do t'ju kthej borxhin ku më futët në 25 prill

“Mendojmë se plani që jemi këtu sot, mund të ndryshojmë panoramën e rajonit për 4-5 vitet e ardhshme. Ne po përfitojmë 9 mld euro me grante për këtë plan. Ne duam që me këto fonde të arrijmë dhe një shtesë prej 20 mld euro. Po flasim për një plan madhor, që do të sjellë vende pune dhe rritje ekonomike. Ka një hendek të madh mes disponueshmërisë së internetit, me nevojat e biznesit. Jemi këtu për të ndihmuar”,-tha Varhelyi.

“Jo” e Gjermanisë

Por kostoja e ndryshimeve kushtetuese dhe e kodit zgjedhor, paraqet një panoramë të zymtë, sidomos kur bëhet fjala për Gjermaninë. Erisa Zykaj, korrespondente e ABC News nga Brukseli tha dje duke iu referuar burimeve të besueshme, se Gjermania do iu thotë “jo” negociatave me Shqipërinë. Sipas gazetares Erisa Zykaj Gjermania ka qenë hartuesja e 9 kushtëzimeve të cilat më pas u shtuan në 15 kushte që iu vendosën Shqipërisë për hapjen e negociatave.

“Janë tre kushte që nuk janë plotësuar të cilat dolën qartazi në raport-progresin dje. E para ishte mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese, mbetet pengesa numër një për shtetet anëtare për të aprovuar kuadrin negociues për të mbajtur konferencën ndërqeveritare. Çështja tjetër është se ata kanë dëgjuar se ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë të një përmase shumë të madhe ndaj Varhelyi është shprehur se duhet ta shohë vetë këtë gjë nga afër. Kjo tregon se sa serioze është çështja për Komisionin dhe për shtetet anëtare dhe që bëhet pengesë e dytë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE. Pika e tretë që del nga progres-raporti është ligji për median, sipas tyre ligjin për median nuk e kemi të qartësuar dhe të kristalizuar, dhe këtë Komisioni e ka thënë në mënyrë të qartë. Këto janë 3 nga 6 parakushtet e Komisionit Europian”, raportoi gazetarja Zykaj.

Rishikimi i kodit

Veç kryeministrit, zoti Varhelyi pati dhe takime me kreun e PD Lulzim Basha, dhe Presidentin Ilir Meta. E megjithatë ajo çka duket qartë është se shkelja e marrëveshjes së 5 qershorit, që ka të bëjë me ndalimin e koalicioneve, por edhe mos ngritja e Gjykatës Kushtetuese, mund t’i kushtojnë shumë Shqipërisë. Bëhet fjalë për integrimin në BE që shqiptarët kanë 30 vjet që e presin.

Ramës i mbetet një mundësi e fundit, të rishikojë dhe një herë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pas kthimit nga ana e Presidentit.  Vetë Meta, pas takimit me komisionerin lajmëroi se kodin do ia kthejë mbrapsht kuvendit, dhe për këtë ka vënë në dijeni dhe zotin Varhelyi. Më tej hap pas hapi të shikohet dhe ngritja e Gjykatës Kushtetuese. Po të plotësohen këto dy kushte, Shqipëria do kishte shanse të merrte një “po” nga ana e Gjermanisë. Në të kundërt një ndarje nga Maqedonia e Veriut, do ishte fatale për vendin tonë.

Pavarësisht se Rama kërkon ta adresojë fajin te mosmarrëveshjet brenda BE-së, siç tentoi të bënte dhe dje, mesazhet janë të qarta dhe reforma zgjedhore është pika kyçe e saj.

1


Etiketa: , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas