Ishte jashtëzakonisht e suksesshme vizita e kryeministrit Rama në Beograd e Preshevë. Ai, jo vetëm arriti të dëshmonte një kalibër të ri të politikanit ballkanik, por njëherazi i dha një goditje të fortë një tradite të mykur të politikanit tribal shqiptar. Politikani tribal shqiptar, si model, nuk pyet për ngarkesë ideologjike të politikës së tij, nuk pyet për dinjitet të njeriut, nuk do t’ia dijë për aspirata të vërteta lirie sepse në të vërtetë nuk e kupton atë. Për politikanin tribal, thelbi i veprimit politik është pushteti vetëreferues me lakenj rreth e rrotull.
Vetë natyra antropologjike e politikanit tribal e formëson atë që të ketë vizion të ngushtë të marrëdhënieve politike dhe “ndërkombëtarja”, si hapësirë e ushtrimit politik, është për të e huaj, e frikshme, armike që cenon pushtetin e tij të vogël tribal. Përjashto Ismail Qemalin dhe Edi Ramën, shumica e politikanëve të tjerë të 100 viteve të shtetit shqiptar janë viktima të modelit “politikan tribal”. Studimet që shënojnë themelin e antropologjisë politike, nga M. Fortes dhe E. Evans – Pritchard me “African Political systems”, dëshmojnë se aktiviteti politik në një shoqëri pa shtet të organizuar mirëfilli është tipik tribal.
Ku qëndron merita krejt e veçantë e Ramës? Nëse ndiqet me vëmendje ligjërimi politik dhe publicistik i Ramës, ai tejshquan fort disa elemente komunikuese gjuhësore: “kapërcimin e politikës së vjetër” dhe “gjenerata tjetër”. Ky fakt dëshmon se ai ka kapur thelbin e mënyrës se si luftohet politika tribale. Ajo nuk luftohet në të njëjtën fushë beteje me të, sepse aty humbet beteja pasi politikanët tribalë janë të stërvitur mirë në atë arenë. Atëherë, vizita në Serbi ishte një ndër mundësitë e arta të Ramës për t’i sulmuar nga një terren që i shqetëson shumë politikanët tribalë. Ja si e realizon ai këtë luftë në përputhje me qëllimin e vizitës:
“Është e qartë për ne, si drita e diellit, se suksesi i çdonjërit prej vendeve tona në rrugën e integrimit europian dhe të zhvillimit ekonomik dhe social lidhet ngushtë me suksesin e rajonit si i tërë. E gjithmonë e më ngushtë do të lidhet vit pas viti. Të predikosh të kundërtën do të thotë të jetosh në kollajllëkun e retorikës pa të ardhme të së shkuarës së Ballkanit”. (Fjala e mbajtur më 11 nëntor në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Vuçiç. Beograd. 2014). Integrimi europian është fusha e re e betejës ku politikanët tribalë humbasin, ndërkohë që “të jetosh në kollajllëkun e retorikës pa të ardhme të së shkuarës” – është përshkrimi brilant i hapësirës jetike të politikanëve tribalë. Edhe fjala turke “kollajllëk” e shpreh mirë frymëzimin me natyrë tribale dhe impaktin kulturor të trashëguar.
Fraza tjetër interesante e fjalimit politik të Ramës është “gjenerata tjetër”. Ja si shprehet:
“Unë besoj se është një shans për vendet tona, që sot qeverisen nga një gjeneratë tjetër. Dua të besoj se gjenerata e re që qeveris sot Serbinë, do t’i shohë dhe do t’i respektojë shqiptarët e Luginës së Preshevës si një urë, me rëndësi strategjike, për lidhjen e fateve tona europiane.” (Po aty.)
Kjo mënyrë e të bërit politikë u heq një tjetër element të fortë politikanëve tribalë: mundësinë e trashëgimisë kulturore nëpërmjet komunikimit të ri politik. Gjenerata e vjetër do të largohet bashkë me politikën e vjetër. Me këtë lëvizje komunikative politike, Rama kërkon që gjenerata e re të ketë mendësi të re dhe të mos ketë lidhje shpirtërore me gjeneratën e vjetër politike. Këtu vërejmë një epërsi të madhe të Ramës përsa i përket politikës së re si “komunikim i ri politik”. Është veti tipike e politikës tribale mungesa e komunikimit në kuptimin e “communitas – bashkëndarje”. Beu, agai, bajraktari, si forma kulturore të politikës tribale, nuk bashkëndajnë kurrgjë me askënd, i duan të gjitha për vete. Kjo nuk është thjesht veprimtari me natyrë materiale, por e ka burimin tek botëkuptimi shpirtëror që nuk bashkëndan as idetë, as frymëzimin. Mendoj se nuk është rastësi që asnjë politikan shqiptar i rëndësishëm i 100 viteve të shtetit shqiptar, përsëri përveç I. Qemalit dhe E. Ramës, nuk ka shkruar një traktat politik. Traktati politik e bën politikanin të ri dhe e largon nga tribalja. Rama e ka bërë këtë hop cilësor politik shpirtërisht me librin “Kurban” dhe e bëri sërish si komunikim politik me vizitën në Serbi.
Veç impaktit politik, vizita pati edhe rëndësi kulturore pasi E. Rama foli për ura e për lidhje që zëvendësojnë dasitë. Në të njëjtën mënyrë fliste edhe poeti Ivo Andriç: “Nga të gjitha gjërat që ndërton njeriu, asgjë nuk është më e bukur dhe më e vlefshme se urat. Urat janë më të rëndësishme se shtëpitë … U përkasin të gjithëve dhe kanë qasje të barabartë për të gjithë dhe janë ndërtuar në pikat ku më e madhe është nevoja njerëzore për lidhje e bashkëpunim”.
Ndoshta fakti që Rama u prit me pak hatërmbetje nga Vuçiç ka të bëjë me ngjashmërinë e politikave tribale kudo që ato ushtrohen. Prandaj, në përpjekjen e drejtë për ta bashkuar Ballkanin mes vetit dhe me Europën, duhet të “shkatërrohet” më shumë sesa “ndërtohet”. Jo më kot De Gasperi, nga rrënojat e Luftës së Dytë Botërore, shprehej:
“Për ta bashkuar Europën, ndoshta duhet më shumë të shkatërrojmë sesa të ndërtojmë; të shkatërrojmë paragjykimet, hatërmbetjet, urrejtjet. A nuk kemi bërë kështu edhe për bashkimin e Italisë, ku çdo qytet kishte mësuar vetëm të mohonte e të urrente qytetin që kishte pranë? Duhet të bëjmë të njëjtën gjë për të shkuar në Europë. Të flasim, të shkruajmë, të insistojmë e të mos ndalemi për asnjë moment në rrugë tonë”. (DE GASPERI, A, L’Europa. Scritti e discorsi)
Sigurisht, të mosqenët politikan tribal, nuk është kusht i mjaftueshëm për të qenë një politikan i mirë, por është kusht i domosdoshëm për rikthim në thelbin e të bërit politikë: polis. Këtu i vjen në ndihmë Ramës edhe filozofja H. Arendt, për një dëshirë që pati shprehur ai sapo fitoi zgjedhjet për të mbetur në histori. Arendt pohon: Nëse në veprimin e tij politikani, i lirë dhe i interesuar vetëm për përmbushjen e virtytshme të principit që e frymëzon, udhëhiqet ekskluzivisht nga “dashuria për botën”, atëherë ai do të dallohet e do të kujtohet përherë.