Të shumta janë llogaritë e WhatsApp-it që janë vjedhur në Shqipëri. Jo më larg se dje, Policia e Shtetit u bëri thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm përballë këtij fenomeni.
Por çfarë po ndodh konkretisht?
I ftuar në emisionin “Opinion”, eksperti Gentian Progni tha se vjedhja e llogarive dhe të dhënave në WhatsApp ka lidhje me zgjedhjet më 25 prill.
Ai shtoi se është në dijeni për sulme që po i bëhen gazetarëve dhe personave të angazhuar në politikë, me qëllim për t’i denigruar gjatë fushatës elektorale.
Pjesë nga intervista në studio:
Progni: Nuk është rastësi që po vidhen informacione para fushatës. Unë kam informacion se të dhënat që po vidhen do të përdoren gjatë fushatës për të denigruar imazhe publike ose kandidatë.
Fevziu: Bëhet fjalë për vjedhje të WhatsApp-it apo materialeve që gjenden në të?
Progni: Bëhet fjalë për vjedhjen e materialeve.
Fevziu: E zbrazin WhatsApp-in apo ti je në posedim dhe nuk e kupton?
Progni: Janë të dy metodat. Për personat që e kuptojnë ata bëjnë bllokimin total të WhatsApp-it, bën crash automatikisht, kur hap një mesazh bllokohet ose telefonatat nuk i merr dot. Metoda tjetër është që e përdor normalisht WhatsApp-in, por të gjithë bisedat kopjohen.
Fevziu: Policia thotë që nuk mund të bëhet pa bashkëpunimin e poseduesit…
Progni: Tek kjo foto, mesazhi i parë që vjen është kjo sms që thotë për të aktivizuar WhatsAppin ju kam dërguar këtë kodin. Ky mesazh mund të vijë edhe nga një person që ti e ke kontakt. Të vjen ky mesazh që thotë: të kam dërguar një mesazh me kod 6 shifror gabimisht, mund ta transferoni tek unë? Në shumicën e rasteve është bërë ky gabim, është dërguar kodi. Mesazhi është i virusuar dhe kjo i shkon hakerit.
Fevziu: Nëse unë i shkruaj një mesazh me tekst?
Progni: Atëherë nuk ka problem.