Për një teatër fatkeq, ekzekutuar pas shpine në pikë të natës, tragjedia e vërtetë luajtur në të e me të, i mbet sesi as përmes misionit për të përsëritur një skenë jete, e as gjer me të bërit e vetes fli, nuk ia mbërriti dot t’ia përcillte më qartë jetës mesazhin e përsëritjes së një skene, e se si fill më pas do të ekzekutohej pas shpine në pikun e natës edhe vetë aktori i saj njeri.
Kur e përmendëm para pak ditësh Alber Kamynë me shkas ditëlindjen e tij, ishte më shumë për shkak të dramës “Kaligula” kryevepër e kryer në moshën veç 20 e ca vjeç, por dhe Kaligulës perandor mizorie reale, që realisht emëroi gjer kalin e tij senator.
E jo thjesht për informacion dijeni letrare apo kënaqësi estetike i vërvisim faqet e librave nëpër rrjet, edhe përkundër vetë etikës së botimit si akt, po edhe për të përsëritur e paralajmëruar një skenë.
Për të ndërhyrë e kuptuar edhe dramën e një kali, që (ose në këtë rast, i cili) në dallim nga njeriu, sido që mund edhe ta ndiejë fizilogjikisht gjendjen e re përmes trajtimit dhe tagjisë së veçantë që po i jep statusi i emërimit senator i përjetshëm, nuk mund të kryejë dot dorëheqjen e vet nga kushti.
Dhe sesi Kaligula degjeneroi e shkatërroi tërë një perandori veç në shërbesë të mynxyrës së fjalamanisë së tij, që e quante talent për të kapur e kallur të tjerët brenda lojërave me delir prej silogjizmi të sëmurë.
Kur përmendim ripërsëritjen e një skene filozofie në moton e tij “rebelohem pra jam” te vepra “Njeriu i revoltuar”, këtu e në shërbim të hallit tonë të ditës për të ushqyer shpirtin e rebelimit, ia njohim hyrjen në hak letërsisë dhe shkrimtarit.
Duke e ditur mirë se atij i rreh më së pari tek ajo lloj proteste ngritur në rrafshin estetik e ekzistencialist, si e vetmja kundër Absurdit të thellë të jetës, e jo drejtpërsëdrejti ndaj kusureve të jetës konkrete, qoftë nevojës përkundër shtypjes prej pushteteve.
Ai vetë ishte ndjerë si “I huaj” dhe qe dorëhequr nga kategoria e “ekzistencialistëve” praktik. Por ama, nën konceptimin e tij antimarksist dhe kritikën totalitariste të komunizmit real, kurrsesi nuk do të hiqte dorë një njeri si ai, që sërish rikthehej të përsëriste skenën e shtysave të vetvetes në rini, dhe definicionit pa ekuivok se “vjen gjithmonë një çast ku duhet me zgjedh mes aktit të kundrimit dhe aktit të veprimit, e kësaj i thonë të bërit njeri”.
Sa më shumë kohë kalon, aq më tepër vetë koha shkon e vërteton atë të vërtetë varianti mizor të vdekjes së Kamysë e mikut Gallimard me hedhje në erë, përplasur me pemën.
Porse 60 vjet më parë, ende nuk kishin mbirë plotësisht ekologjizmat dhe izmat gjithfarësoj që fshihen sentimentalisht pas peme.
Kur e përmendëm teatrin me barrën e artistit edhe për misionin se si të mos lejojë që rrënoja të shndërrohet gërmadhë, e di mirë që metafora e tejkalon vetë konceptin e një ekspozite arti edhe nga vetë nevoja për ndryshim që konteksti dikton.
Kur përmendëm para dy-tri ditësh që Teatri Kombëtar i Kukullave tona paska 70-vjetor e do t’i kishin hije thinja e rrudha, lexuar si metaforë, nuk e prisnim një datë për të shpallur një ese si ‘Vaji i kukullave’, dhe shpërfilljes së tyre që i mjafton vetvetja të kallë datën.
Mirëpo, është edhe ai çasti ku lypset të zgjedhësh nga e para: mes kundrimi dhe veprimi.
Në një nga librat e hershmërisë, të kohës së Algjerisë, Kamy pat hedhur marazin: “nuk ekziston një shfaqje më dëshpëronjëse se kjo mizerie, mu në bash të vendit më të bukur në botë.”
Edhe këtë poezi timen, sigurisht e vë jo pa dhimbje këtu e në datën që nuk i takon. Është si t’i lutesh një çasti të trishtë dhe të presësh të dëgjojë një Krisht.
Do t’i mjaftonte gjuhës ku prehet në librin me titullin e gjatë “Për në jug të gjërave kjo hartë virgjine shpalosur dheut gati të çelë botë”.
Mirëpo, nën premtimin e një lodre nuk mund të presësh kërshëndellat nga e para, pa qenë një çilimi.
Edhe Kundera, që dinte, ndonëse jo kaq sa ne, nga terri obskurantist i propagandës, na tha se ‘diktaturat i katandisin popujt e tyre në popuj fëmijë’.
Mirëpo, vjen gjithmonë ai çasti… i çarjes në rendin e gjërave… ose thjesht në renditjen e lodrave.