“Gomari i Babatasit” është shfaqja më e re që do të ngjitet premierë në skenën e Teatrit Kombëtar më 11, 12 dhe 13 maj, ora 20:00.
Ajo është bazuar në veprën klasike të At Gjergj Fishtës dhe vjen në skenë nën kurimin dramaturgjik të Stefan Çapalikut dhe me regjinë e Altin Bashës. Vepra e Fishtës u botua në një situatë që përkonte me beteja të ashpra politike rreth formës që do të merrte organizimi i ardhshëm shtetëror i Shqipërisë.
Sot, të ftuar në emisionin “Zonë e Lirë”, kanë qenë regjisori Altin Basha dhe Pjerin Vlashi, Merita Smaja dhe Jozef Shiroka. Kjo shfaqje do të vijë në një perspektivë bashkëkohore, por që gjatë shfaqjes do të kuptoni se sa pak ka ndryshuar situata politike në Shqipëri në këto 100 vite.
Gjithashtu, ai ka thënë se në këtë shfaqje flitet gegërisht, një gjuhë që nuk e kanë ndryshuar që prej veprës.
“Kjo gjuhë i jep veprës një larmi të veçantë dhe publiku nuk zbulon vetëm një subjekt interesant, por edhe një gjuhë fantastike”, është shprehur ai.
Në këtë shfaqje merr pjesë banda e qytetit të Shkodrës dhe kasti përbëhet nga 13 aktorë. Tehu i sarkazmës fishtjane për politikanët, deputetët, ministrat dhe zyrtarët është më i mprehtë se kurrë.