Gjendja që po dukej se po shkonte e qetë drejt seancës së nesërme të Kuvendit të Kosovës ka eskaluar këtë pasdite. Kandidatja për Kryeministre e LDK-së, Vjosa Osmani, është përplasur me krerët e partisë rreth mënyrës se si kanë vendosur t’i ndajnë postet qeveritare.
Vjosa Osmani kishte kërkuar postin e Ministres së Punëve të Brendshme dhe atë të Zv.kryeministres. Mirëpo, kjo gjë nuk ka ndodhur për shkak se Isa Mustafa ka anuar në drejtim të Agim Veliut.
Ajo i ka paralajmëruar në orët e pasdites se nuk e pranon postin e Kryetares së Kuvendit. Ndërkohë, kur kishte përfunduar procesi elektoral, zyrtarët e LDK-së kishin thënë se Vjosa Osmani do të zgjedhë se ku dëshiron të shkojë në insitucione.
Mirëpo, për shkak të zhvillimeve të fundit, duket që ky premtim nuk është mbajtur. Mbetet e paqartë se si do të reagojë nesër Vjosa Osmani apo që partia të mund të reflektojë dhe të ndryshojë vendimin e fundit për emërimet në psotet qeveritare.
***
Ndërkohë, LDK në mbledhjen e sotme të Kryesisë ka vendosur që Avullah Hoti do të jetë Zëvendëskryeministër. Anton Quni është propozuar për Ministër Mbrojtje. Besian Mustafa për Ministër Bujqësie. Hykmete Bajrami për Ministre Arsimi. Vlora Dumoshi është propozuar për Ministre Kulture dhe Lumir Abdixhiku për Ministër Infrastrukture.
Edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka propozuar ditë më parë emrat për ministra dhe zëvendëskryeministrin e dytë. Ai ka njoftuar se ka zgjedhur për zëvendëskryeministër të dytë, Haki Abazin. Ndërkaq, si ministre të drejtësisë, Kurti kishte njoftuar se kishin zgjedhur Albulena Haxhiun.
Ministër i Punëve të Jashtme ishte propozuar Blerim Reka, i cili pritet të zëvendësohet nga Glauk Konjufca, ndërsa, Ministër i Financave, Besnik Bislimi. Për Ministër të Ekonomisë Kurti ka propozuar Rozeta Hajdarin. Kurse Arben Vitia është propozuar si Ministër i Shëndetësisë dhe Sportit.
LEXO EDHE:
Ministrat në qeverinë e re të Kosovës/ Ja emrat e propozuar nga VV dhe LDK