Sport

Vlen sa një thesar, Hysaj tani mund të mbushë arkën e Napolit…








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:46 - 06/04/18 |
mapo.al

Kombëtarja shqiptare ka një yll. Përbërja e futbollistëve kuqezi është e tillë që shpesh trajnerët (më parë De Biazi dhe tani Panuçi) ankohen për minutazh të pakët aktivizimi me skuadrat në kampionatet respektive. Por, kuqezinjtë kanë në organikë një lojtar që edhe për Napolin konsiderohet yll. Elseid Hysaj, me paraqitjet e tij dhe vazhdimësinë e treguar nën drejtimin e Mauricio Sarrit, është katapultuar mes atyre që vlejnë shumë. E kush më mirë sesa Napoli do t’i gëzohet këtij fakti…


Klasifikimi i futbollistëve nga CIES (Observatori Europian i Statistikave dhe Verës së futbollistëve) tregon edhe vlerën aktuale të gjithsecilit prej lojtarëve, duke përfshirë të gjithë parametrat e nevojshme: Moshë, ndeshje, imazh, vlerë kartoni etj). Mirëpo, kjo vlerë për gjithsecilin nga lojtarët ka nxjerrë në pah edhe elementët që kanë pësuar rritjen më të madhe. Shqiptari i Napolit renditet i 34-ti, pikërisht për shumëfishimin e vlerës së tij. Pak vite më parë, Napoli pagoi vetëm 5 milionë euro për kartonin dhe më pak se një milion euro për komisionet dhe klauzolat ekstra. Duke e konsideruar gjashtë milionë euro shifrën e transferimit, shqiptari tani vlen më së paku dhjetëfish. Sipas “CIES”, vlera e tij është 62 milionë euro dhe me premisa pozitive për të pësuar rritje edhe në të ardhmen. “Hysaj, Kulibali e Insinje janë ‘ar’ për Napolin. Vlera që kanë i katapulton mes yjeve”, është titulli i shkrimit në një prej portaleve napolitane, që janë pranë skuadrës së shqiptarit.


Aurelio De Laurentis është duke tentuar të blindojë të gjithë yjet e skuadrës. Në ditët në vijim, mes tij dhe menaxherit të Elseid Hysajt do të ketë një takim për të biseduar në lidhje me të ardhmen e mbrojtësit. Sajtet pranë skuadrës axurre kanë bërë me dije se numri një i klubit kërkon që të shtyjë qëndrimin e shqiptarit në Napoli, duke rinovuar kontratën, parametrat financiarë që përfiton mbrojtësi, por edhe klauzolën e një largimi të mundshëm, e cila mund të shkojë deri në 100 milionë euro.


Interesimi nga dy skuadrat angleze, Mançester Junajtid dhe Arsenal, ka marrë edhe dje një tjetër konfirmim. Ka qenë gazetari pranë Napolit, Çiro Venerato: “Dy klube angleze janë gati për të nisur bisedimet në mënyrë që ta kërkojnë zyrtarisht”, ka deklaruar ai.




Etiketa: , , , ,

Pas