Rrëmbime në qendër të qytetit të Vlorës, piratë në mes të detit dhe vrasje të tmerrshme, ishin fokusi kryesor i Top Story-t. Nëpërmjet dëshmive ekskluzive dhe dokumenteve të prokurorisë, Top Story zbërtheu një seri rrëmbimesh, të kryera për shkak të përplasjeve në trafikun e drogës.
Gjithashtu, Top Story ka siguruar ekskluzivisht statistikat zyrtare të të zhdukurve në qytetin e Vlorës, për trafikun e drogës.
“Rezulton se numri i personave të raportuar, të zhdukur, të humbur, nga familjarët… nga viti 2015 deri tani, ka pasur një numër rreth 80 referimesh”, – thotë prokurorja Flora Çela.
Albano sapo ishte kthyer nga Belgjika. Në Anversë, një qytet ky belg i njohur për një prezencë të madhe të komunitetit shqiptar, kishte qëndruar tre muaj ndaj kish shumë për t’i rrëfyer mikut të tij. Teksa konsumonin kafen, Albano merr një telefonatë dhe i kërkohej një takim i menjëhershëm. Pak minuta më vonë, një makinë tip Audi, me targa AA560 TR ndalon në lokalin e rrugës Transballkanike.
Babai i dy fëmijëve hipën në të, e më pas askush nuk e sheh më me sy. Daniela, duke menduar se bashkëshorti i saj ishte nën shoqërinë e miqve, nuk shqetësohet se Albano nuk u kthye në shtëpi. Gruan e re e zë paniku të nesërmen, kur telefoni i dilte i fikur. Për 7 ditë me radhë ka trokitur në çdo derë të miqve të bashkëshortit të saj, por asnjëri prej tyre nuk e kishte parë.
Mëngjesin e 25 qershorit, ajo i është drejtuar komisariatit të Policisë së qarkut të Vlorës. Oficerit të policisë gjyqësore, Fatmir Myrtajt, i ka rrëfyer gjithë sa dinte për zhdukjen pa lënë gjurmë të burrit. I ka treguar se kush e thërriti Albanon në telefon e kush ishte personi i fundit që e ka parë të gjallë. Neglizhenca e treguar nga policia detyroi Lutfi Xhaferrajn, babai i 34 vjeçarit, të denonconte publikisht zhdukjen e Albanos. “Po tani atje se kush e mori dhe i tha hajde, dhe ai iku. Nuk mori as pasaportë, as dokument, as nuk i tha as gruas së tij, edhe mund të jetë rrëmbyer, edhe mund të jetë larguar prap, kështu e kanë këto punë”, – tha Lutfi Xhaferri, babai i Albano Xhaferrit.
Më 2 korrik Daniela i drejtohet prokurorisë së Rrethit të Vlorës për fatin e hetimeve. E dërgojnë sërish në dyert e policisë, ku gruaja e re jep të njëjtën dëshmi, por tek një tjetër oficer të policisë gjyqësore, Gjergji Çepele.
Një tjetër djalë i ri zhduket mbrëmjen e 17 korrikut 2018 në Vlorë. Elis Troqe, 24 vjeç rrëmbehet në mes të qytetit. I sapokthyer nga Italia, ku kishte kryer dënimin për trafikim të lëndëve narkotike, Elvisi kishte vendosur të ndërtonte një jetë të re. Ditën e ditëlindjes së nënës, Marselës, më 17 korrik 2018, do t’i prezantonte dhe vajzën e ëndrrave të tij.
Pak para darkës së madhe, rreth orës 18:00, ka dalë nga shtëpia, për t’u takuar me një mikun e tij. Vendtakimi ishte Bar “Havana”. Ka porositur një kafe dhe ujë dhe pas 5 minutash është ngritur nga tavolina duke i thënë mikut të tij se do të takonte 2 minuta një shok e do të kthehej shpejt. Një “Mercedes Benz” me ngjyrë gri, e priste në rrugën kryesore. Ervisi pasi përshëndetët me drejtuesin e mjetit hipën në makinë ku dallohen dy persona. Makina merr rrugën për në “Lungo Mare”, tek vendi i quajtur “Kryqëzimi i shtatë pallateve” drejtohet për nga hotel “Rexhina”. Më pas makina zhduket në afërsi të kompleksit ‘Oslo’ në Vlorë.
Në mbrëmjen e vonë, Krenar Troqi shqetësohet për mungesën e të birit, nis të kërkojë për të nëpër lokalet e qytetit. Asgjëkundi nuk gjen gjurmë të Elvisit. Po atë natë, Krenari i është drejuar Policisë duke denoncuar humbjen e të birit. Zhdukja e Albano Xhaferajt dhe Elvis Troqes janë rastet e zhdukjes së personit që po hetohen nga prokuroria.
Për zhdukjet u dyshua Edison Harizaj, i njohur edhe si Faqedjeguri i Vlorës. Ai u ekzekutua në një atentat mafioz në afërsi të Shkozetit në Durrës, bashkë me mikun e tij, Genci Çaçi. Policia shoqëroi 40 persona, por deri më sot nuk ka një të ndaluar për këtë ngjarje të rëndë kriminale. Në dosjen e prokurorisë janë vetëm gëzhojat e sekuestruara në vendngjarje dhe skeletet e dy makinave, një të djegur që autorët braktisën dhe makina e bërë shoshë nga plumbat, me të cilën udhëtonte Harizaj dhe shoku i tij.
I papërmenduar asnjëherë publikisht, por i skeduar nga policia si një person me rrezikshmëri të lartë, vetëm pas vrasjes, në media rrodhën informacione në lidhje me aktivitetin kriminal të Edison Harizajt. Informacionet implikonin Harizajn edhe në vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Komomi, ngjarje kjo e ndodhur në shtator të vitit 2013. Makina e gjyqtarit shpërtheu në qendër të Vlorës. Harizaj kishte përfituar edhe nga sistemi i drejtësisë duke kryer pak vite burg pasi u dënua fillimisht me 24 vite vjet heqje lirie për akuzën e vrasjes të shtetasit Erjon Ahmeti dhe plagosjen e rëndë të dy shokëve të tij Ferdinand Deda dhe Neritan Rama, krim i ndodhur në 22 korrik 1999. Përplasjet mes grupeve kriminale kanë prodhuar një numër të lartë viktimash, por zyrtarisht prokuroria nuk e konfirmon.
Por ishte kryeministri Edi Rama ai që certifikoi këtë luftë mes bandave kriminale në vend. Duke folur në emisionin “Repolitix” kreu i qeverisë deklaroi se vrasjet e fundit janë produkt i përplasjeve mes grupeve kriminale, për të cilët u shpreh “le të hanë kokat e njëri-tjetrit”.