Gjykata e Vlorës ka lënë në burg autorin e dyshuar për vrasjen e Vasil Dervishajt. E njëjta masë është dhënë edhe për një nga bashkëpunëtorët, Amarildo Grembin.
Kurse për bashkëpunëtorin tjetër trupi gjykues vendosi arrest shtëpie me mbikëqyrje elektronike. Seanca ndaj tyre është zhvilluar me dyer të mbyllura. Vrasja e Vasil Dervishajt ndodhi të hënën në lagjen “Pavarësia” të Vlorës.
Vrasja e biznesmenit, vetëdorëzohet 28-vjeçari: Nuk jam unë autori
Pak orë pasi Policia e Vlorës e shpalli në kërkim si një prej autorëve të vrasjes së biznesmenit, Vasil Dervishaj, i riu me iniciale A.C., 28 vjeç, është vetëdorëzuar. Pasi është paraqitur me vullnetin e tij në Polici, ai ka deklaruar se nuk është i përfshirë në vrasjen e Dervishajt. Policia e Vlorës deklaroi një ditë pas vrasjes së 29-vjeçarit Dervishaj se kishte arritur të zbardhte ngjarjen dhe vuri në pranga dy persona që kishin ndihmuar autorët.
Policia identifikoi si autorë përveç të vetëdorëzuarit A.C., edhe 31-vjeçarin me inicialet E.A., të dy lindur në Tepelenë dhe banues në Vlorë. Ky i fundit është ende person në kërkim. Mësohet se 28-vjeçari i është drejtuar ambienteve të Policisë pas deklaratës për shtyp të kreut të Policisë së Vlorës, Gentian Shehaj, i cili bëri publike emrat e dy personave të dyshuar si dhe njoftoi arrestimin e dy personave të tjerë që kishin ndihmuar në ngjarjen e rëndë.
Ndërkohë që vetë 28-vjeçari mohon të jetë autor i vrasjes, nga hetimet e deritanishme të Policisë mësohet se shkak i vrasjes së Vasil Dervishajt ka qenë një sherr, që ka ndodhur në lokalin e tij të quajtur “Gimoka”, raporton Panorama.
Burime nga Policia e Vlorës kanë konfirmuar se të katër personat e përfshirë në ngjarje, dy personat e dyshuar si autorë dhe dy të tjerët si persona që përkrahën autorët, kishin ngacmuar një të afërm të Dervishajt.
Ky i fundit kishte shkuar për t’u sqaruar, por më pas konflikti u përshkallëzua. Në automjetin e viktimës është gjetur edhe një armë tip “Kallashnikov”, armë e cila nuk është shkrehur në momentin e ngjarjes dhe nuk ka qenë e mbushur. Mësohet se pasi ka dalë nga automjeti i tij tip “Ford” me targa italiane, Dervishaj është qëlluar me pistoletë, duke marrë dy plumba. Një në dorë dhe një tjetër pranë pjesës së kokës, që i ka shkaktuar edhe vdekjen e menjëhershme.
Mësohet se në ngjarje janë përdorur dy automjete tip “Audi”, të cilat kanë shërbyer për personat e përfshirë që të largoheshin nga vendi i ngjarjes. Kamerat e sigurisë në afërsi të zonës kanë fiksuar vetëm momentet e lëvizjes së automjeteve, por jo momentin e krimit.
Nga Policia e Vlorës mësohet se dy personat e dyshuar si autorë, por edhe personat të cilët ndihmuan në ngjarje, kanë tentuar të largohen nga vendi për t’u arratisur në Greqi, por nuk ia kanë arritur. Dy personat e parë janë arrestuar si përkrahës në ngjarje dhe pikërisht shtetasit Nekid Arapi dhe Amarildo Grembi(Muka). Ndërsa në pranga ka përfunduar edhe A.C., 28 vjeç, i cili është vetëdorëzuar në Polici me pretendimin se nuk ka shtënë ai me armë në vendin e ngjarjes. Mbetet ende në kërkim E.A., 31 vjeç.