Kronika

VOA: Gjermani që rrëzoi hetimet e dosjes ‘Toyota Yaris’





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:43 - 12/05/20 |
mapo.al

Mbrëmjen e 13 marsit 2019, një qytetar gjerman i quajtur Carlo Rizzatto zbriti në aeroportin e Rinasit me një histori të pabesueshme në bagazh – ai pretendon se është pronari i rreth 3.4 milionë eurove të sekuestruara në portin e Durrësit dy vjet më parë, si pjesë e dosjes hetimore të njohur si “Toyota Auris”. Ky material është në kuadër të bashkëpunimit të Zërit të Amerikës me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative, BIRN.


Ditën e dytë të qëndrimit në Tiranë, më 15 mars, 59-vjeçari nga Shtutgarti u shfaq vullnetarisht para një oficeri të policisë gjyqësore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ai u prezantua si biznesmen i përpunimit të floririt me ambicie për të investuar në fushën e turizmit në Shqipëri.


Rizzatto pretendoi gjithashtu se ishte burimi i shumës më të madhe të parave të sekuestruara ndonjëherë nga policia shqiptare.


Këto vlera monetare janë të ardhura që burojnë nga ushtrimi i biznesit të përpunimit të metaleve të çmuara në adresën Friedrich STR, 29, Gjermani,” mësohet të ketë thënë Rizzatto në dëshminë e tij. “Ia kam dhënë cash Elvis Vladit për fillimin e një veprimtarie biznesi”.


Pas ndalesës së shkurtër në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë, Rizzatto u nis sërish drejt Rinasit, prej nga u largua me një avion të orës 15:00 të linjës Austrian Airlines.

Në Tiranë, alibia e tij përmbysi rrjedhën e njërit prej hetimeve më të bujshme të viteve të fundit –e cila po shkon drejt gjykatës si një çështje e rëndomtë e mosdeklarimit të vlerave monetare në kufi.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes dokumenteve gjyqësore tregojnë se hetimet e kryera në Shqipëri, Belgjikë dhe Gjermani për zbulimin e rrjetit të personave që qëndrojnë pas 3.4 milionë eurove u barazuan me zero në gjykatë –pas shfaqjes së skenarit të denjë për një film, që aludonte se paratë kishin si burim një biznesmen gjerman dhe si destinacion, blerjen e një sipërfaqeje toke në bregdetin e Shqipërisë.

Në funksion të këtij versioni, i akuzuari kryesor i çështjes, Elvis Vladi pranoi se kishte kryer shkelje që nuk i deklaroi paratë në kufi, ndërsa shkarkoi nga përgjegjësitë pesë të pandehurit e tjerë të çështjes.

Alibia e Vladit i ngjan qindra skenarëve që përdoren rëndom në gjykata për t’i shpëtuar drejtësisë. Megjithatë, një gjyqtar i Krimeve të Rënda e konsideroi atë të besueshme dhe pasi rrëzoi akuzat për pastrim parash në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, e urdhëroi Prokurorinë që të faktonte pretendimet e të pandehurve.

Dokumentet gjyqësore tregojnë se Prokuroria nuk e verifikoi alibinë, ndërsa gjykata bëri një sy qorr ndaj hetimeve të mangëta, duke legjitimuar kërkesën e avokatëve mbrojtës për kualifikimin e veprës penale.

E pyetur për dështimin e hetimit, Prokuroria u përgjigj se ndryshimi i akuzave ishte diktuar nga vendimi i gjykatës. Në të kundërt, gjyqtari Fran Prendi fajëson në vendim Prokurorinë për hetime të paplota dhe mungesë provash ndaj të pandehurve.

Radovan Çela, avokat i të pandehurve Elvis dhe Alfred Vladi si dhe i Alban Mollaymerit i tha BIRN se “Prokuroria kishte zero prova përveç 3.4 milionë eurove”, ndërsa mburri vendimin paraprak të gjyqtarit Fran Prendi si një ndër më të mirët që kishte lexuar ndonjëherë.

Avokati Çela shtoi se alibia ishte mënyra e tyre për të treguar se kujt i përkisnin paratë, ndërsa ishte i paqartë për rrethanat e njohjes së Vladit me Rizzatton apo detajet e shkëmbimit të pretenduar të parave.

Karlo m’u duk bindës, ai është në moshë madhore dhe mban përgjegjësitë e veta për atë që deklaron,” tha avokati.

Aksi Belgjikë-Gjermani

Në qershor 2018, sekuestrimi i gati 3.4 milionë eurove në portin e Durrësit shpërtheu si një çështje që ndërthurte krimin e organizuar me botën e politikës në Shqipëri. Paratë u gjetën mëngjesin e 24 qershorit të ndara në 3.336.700 euro dhe 80 mijë franga zvicerane si dhe të fshehura në tapiceritë e dyerve anësore të dy makinave të importuara nga Belgjika.

Në Tiranë, lajmi mbërriti më herët se paratë.

Në një fjalim në Parlament më 21 qershor 2018, lideri demokrat, Lulzim Basha paralajmëroi trafikimin e parave me makina “Toyota Yaris” dhe akuzoi kreun e grupit socialist, Taulant Balla se kishte dalë garant për ato që i quajti “para të drogës”. Balla i mohoi akuzat dhe fitoi në gjykatë një padi për shpifje ndaj Bashës.

Denoncimi i Bashës i dha dosjes emrin “Toyota Yaris”, ndonëse makinat e dorës së dytë i përkisnin markës “Toyota Yaris”.

Nën drejtimin e prokurorëve Doloreza Musabelliu dhe Ened Nakuçi, Prokuroria e Krimeve të Rënda e regjistroi procedimin penal në korrik 2018. Hetimi u shtri më pas edhe në Belgjikë dhe Gjermani, shtete të cilat sollën një mal me dokumente në Shqipëri përmes letër-porosive.

Prokuroria akuzoi dy kushërinjtë Elvis Vladi, 39 vjeç dhe Alfred Vladi, 33 vjeç për krijimin e një organizate me qëllim pastrimin e parave me origjinë kriminale. Por kushërinjtë Vladi nuk u arrestuan asnjëherë nga policia.

Në pranga përfunduan pronarët e karroatrecit “Bizark”, Eduart Cani dhe djali i tij, Klevi Cani, shoferi Agim Çeka dhe Alban Mollaymeri – pronari i një servisi në Tiranë në emrin e të cilit u zhdoganuan makinat.

Sipas dokumenteve të hetimit, plani për transportin e parave përmes biznesit të importit të makinave të përdorura nga Belgjika duhet të ketë filluar në prill 2018, kur Elvis Vladi – një 39 vjeçar me origjinë nga Kalaja e Dodës, doli nga Shqipëria përmes pikës kufitare të Morinës, në shoqërinë e një personi me precedentë penalë.

Lëvizjet e Vladit nga prilli në qershor jashtë Shqipërisë mbeten të paqarta. Por më 12 qershor, kushëriri i tij, Alfred Vladi kontraktoi në Tiranë Eduart Canin për një rrugë transporti makinash të përdorura nga Belgjika.

Cani – i cili ndodhej në atë kohë në arrest shtëpie për dhunë në familje udhëroi të birin dhe shoferin Agim Çeka që të niseshin drejt Belgjikës. Mëngjesin e 13 qershorit 2018, karroatreci “Bizark” doli nga Shqipëria dhe pasi udhëtoi përmes pesë shteteve, mbërriti në qytetin Sherlo të Belgjikës pasditen e 16 qershorit.

Autoritetet belge kanë ndërtuar itinerarin e lëvizjes së kamionit në Belgjikë përmes aktivizimit të antenave telefonike–duke rrëzuar versionin e treguar në Shqipëri nga të pandehurit. Sipas letërporosisë belge, Çeka dhe Cani nuk janë furnizuar me makina në qytetin e Sherlos, por rreth 50 kilometra më në veri –në komunën Sint Pieters Leeuw në rrethinat e Brukselit.

Mëngjesin e 17 qershorit 2018, dy të arrestuarit janë takuar me Elvis Vladin në një servis makinash të quajtur AA and Automobile në Sint Pieters Leeuw, i cili menaxhohej nga vëllezërit me origjinë nga Gjakova, Alban dhe Arianit Nimani.

Siç rezultoi më vonë, Nimanët, rreth krushqie me familjen e zgjeruar Vladi që jeton në Bruksel, kishin ndihmuar me vendosjen në dispozicion të servisit për parkimin e makinave.

Dëshmitë e Agim Çekës, Klevi Canit dhe Arianit Nimanit identifikojnë Elvis Vladin si personin që kishte sjellë shtatë makinat “Toyota Yaris” në servisin AA and Automobile. Sipas dëshmive, dy prej makinave brenda së cilave u gjetën më pas dengjet me euro, ishin dërguar më vonë prej tij me ndihmën e një karroatreci.

Në dëshminë e tij për autoritetet belge, Arianit Nimani u distancua nga dijenia dhe tha se kishte autorizuar vetëm parkimin e makinave, me kërkesë të xhaxhait të Elvis Vladit.

Xhaxhai i tij, Rahim Vladi i cili jeton në Belgjikë më kontaktoi për të ditur nëse mund të bëja një shërbim të vogël për Elvisin. Shërbimi konsistonte thjesht në autorizimin për parkimin e disa automjeteve, derisa të vinin t’i merrnin. Duke qenë se Elvisi ishte i afërm i familjes sime, nuk pashë ndonjë të keqe këtu,” ka thënë Nimani në dëshmi.

Pyetjes nëse Elvis Vladi kishte dërguar më vonë dy makina “Toyota” me karroatrec, Nimani i është përgjigjur duke thënë se “nuk i kujtohej”.

Më 18 qershor, kamioni i ngarkuar me shtatë makina “Toyota” dhe me gjasë 3.4 milionë euro ka lënë Belgjikën dhe ka udhëtuar për 166 kilometra në lindje drejt qytetit Ahen të Gjermanisë. Stacioni në këtë qytet ishte biznesi i Ilir Doçit, një tjetër shqiptar me origjinë nga Kukësi, që përgatiti më pas dokumentet e eksportit.

I hetuar disa herë për evazion, mashtrim apo falsifikim dokumentesh në Gjermani, Doçi ka pranuar të merret në pyetje vetëm nga autoritetet gjermane, por jo nga ato belge apo shqiptare.

Dëshmia e Ilir Doçit nuk ka hedhur megjithatë më shumë dritë mbi historinë, pasi ai ka mohuar të ketë bërë ndonjë veprim tjetër përveç dokumenteve. Ilir Doçi ka mohuar gjithashtu njohjen me kushërinjtë Vladi. Ai ka pranuar se njihte vetëm Alban Mollaymerin, për të cilin kishte përgatitur edhe më parë dokumentacion eksporti.

Verifikimet e autoriteteve gjermane tregojnë se Mollaymeri ndodhej në Shqipëri ditën kur në emër të tij përgatiteshin dokumentet doganore në Ahen dhe nuk rezulton t’i ketë firmosur ato.

“Dy rrugë të tjera për llogari të Fredit”

Në shtator 2019, Prokuroria e Krimeve të Rënda i dorëzoi gjykatës kërkesën për gjykim për gjashtë të pandehurit e çështjes “Toyota Yaris”. Në kërkesë, e shkuara e të akuzuarit kryesor, Elvis Vladi është inekzistente, ndonëse 39 vjeçari nuk është një personazh krejt i panjohur.

Në maj 2015, Vladi shfaqet në raportet e policisë britanike si i arrestuar bashkë me një grup shqiptarësh të përfshirë në shpërndarje droge në Londrën veriore. Banda ndiqej nga një agjent i infiltruar prej muajsh në Britani dhe gjatë operacionit iu sekuestruan 16 kilogramë kokainë dhe një sasi parash në cash.

Megjithatë, Elvis Vladi u shpall i pafajshëm në janar 2016, pasi akuzat ndaj tij u rrëzuan.

Aktiviteti i Vladit përgjatë viteve 2016-2018 është i paqartë, por të dhënat nga Qendra Kombëtare e Bizneseve tregojnë se familjarët e tij janë angazhuar një varg biznesesh të vogla në Tiranë.

Njëri prej bizneseve – një kafe e njohur në një qendër tregtare administrohej nga Alfred Vladi që prej vitit 2014, ndërkohë që në vitin 2017, ai e ka zgjeruar aktivitetin sipërmarrës edhe me një agjenci makinash me qira.

Familja e madhe Vladi jeton e ndarë mes Tiranës dhe Brukselit –qytet ku janë vendosur vite më parë dy xhaxhallarët e Elvis dhe Alfred Vladit dhe një rreth i gjerë kushërinjsh.

Pas nisjes së kamionit me shtatë makina “Toyota Yaris” nga Belgjika drejt Shqipërisë, edhe Elvis Vladi është kthyer në atdhe. Dokumentet e hetimit tregojnë se ai ka udhëtuar drejt Shqipërisë më 22 qershor 2018 me një avion të linjës TUI Fly, me qëllimin e pritjes sipas Prokurorisë të parave të pista.

Shoferi Çeka i tha Prokurorisë se Vladin e kishte takuar për herë të parë në Belgjikë dhe e identifikoi atë si personin që i kishte furnizuar me shtatë makinat “Toyota”. Njëra prej “Toyotave” ku u gjetën më pas paratë, ishte pajisur me targa provizore në Gjermani dhe ishte drejtuar nga Klevi Cani gjatë rrugës së kthimit.

Çeka i tha Prokurorisë se kur makinat u bllokuan në portin e Durrësit, ai kishte dyshuar edhe tek punëdhënësi i tij.

E pyeta Klevin nëse kishte gisht për këtë punë, por më tha se nuk kishte asnjë dijeni,” ka dëshmuar ai.

Një ndër personat kyç në organizimin e transportit nga Belgjika në Shqipëri, Klevi Cani i tha Prokurorisë se makinat i kishte marrë nga Elvis Vladi në Bruksel dhe do t’ia dorëzonte kushëririt të tij, Alfred Vladi në mjediset e biznesit të tij të makinave me qira në Laprakë.

Për llogari të Fredit kam ngarkuar edhe dy herë të tjera tek e njëjta adresë në Belgjikë dhe i kam shkarkuar në vendin e quajtur treshi te Casa Italia,” dëshmoi Cani, i cili tha se paguhej 3 mijë euro për rrugë.

Edhe babai i tij, Eduart Cani deklaroi se i biri e kishte marrë porosinë nga Alfred Vladi, ndërsa mohoi të ishte në dijeni të parave të fshehura. Cani i tha Prokurorisë se ditën e bllokimit të makinave në Durrës, i biri e kishte njoftuar se e kishte ndaluar policia për shkak se shasia e një makine kishte dalë gabim.

Eduarti kishte telefonuar më pas Alfred Vladin -numrin e të cilit e kishte shënuar me “makina Belgjikë”. Vladi iu përgjigj se ishte nisur drejt Durrësit, por ishte përplasur me makinë në Vorë.

M’u duk shumë i shqetësuar. E kam marrë pas 20 minutash, por e kishte të fikur telefonin,” ka shtuar Cani për Prokurorinë.

Alban Mollaymeri, pronari i një servisi makinash në rrugën Princ Vidi në Tiranë rezulton si porositësi i makinave të blera në Belgjikë – akuzë të cilën ai e ka mohuar.

Ndonëse ka pranuar miqësinë me Alfred Vladin apo porositjen e pjesëve të këmbimit apo automjeteve në të shkuarën tek ai, Mollaymeri tha se nuk kishte asnjë lidhje me ngarkesën e bllokuar në Durrës.

Alibia e “pronarit” gjerman

Nëntë muaj pas zhdukjes pa gjurmë të Elvis Vladit, vizitorë të çuditshëm fillojnë të shfaqen në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. E gjitha në funksionit të alibisë së Vladit se paratë i përkisnin një biznesmeni gjerman dhe do të përdoreshin për blerjen e një toke në bregdetin e Semanit në Fier, me ndërmjetësimin e një avokati.

Alibia e Vladit iu prezantua prokurorëve të çështjes përmes një deklarate noteriale të lëshuar më 9 mars 2019. Për të mbështetur pretendimin, avokatët dorëzuan në Prokurori një aktmarrëveshje të datës 3 prill 2018, të lidhur sipas tyre mes Elvis Vladit dhe përfaqësuesit të studios ligjore BHF Consulting, Bledar Fejzo për blerjen e tokës.

Gjashtë ditë pas deklaratës noteriale të Vladit, në Prokurori u paraqit edhe 59 vjeçari gjerman, Carlo Rizzatto. Dokumentet e hetimit nuk shpjegojnë rrethana të njohjes mes Rizzattos dhe Vladit, por shtetasi gjerman deklaroi se i kishte besuar atij shumën prej 3.4 milionë eurosh cash në dorë.

Në dëshminë e tij më 15 mars, Rizzatto pretendoi gjithashtu se e vërtetonte pronësinë me faktin se këtë shumë parash e kishte pasur të depozituar në bankë 12 vjet më parë [në datat 12 mars- 1 qershor 2007]. Për këtë, ai dorëzoi edhe një statement bankar.

Si burim për këto para, Rizzatto tha se kishte shërbyer aktiviteti i biznesit të tij të përpunimit të arit dhe metaleve të çmuara në adresën “Friedrich STR, 29, Gjermani”. Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes regjistrit gjerman të bizneseve sugjerojnë se gjasat që ky biznes të jetë burimi i parave janë të vogla.

Carlo Rizzatto është drejtori i kompanisë së vogël “Gerber Consulting GmBH” me seli në rrugën “Friedrichstrasse 29” në Iserlohn, një qytezë malore në veri të Gjermanisë. Por lidhja e tij me këtë biznes nuk shkon më gjatë se një muaj para vizitës në Tiranë.

Rizzato u emërua drejtor më 19 shkurt 2019, ditën kur kompania ndryshoi pronësinë, emrin dhe adresën. E themeluar nga shtetasi turk, Durmus Acikgoz në vitin 2014, kompania kaloi në shkurt 2019 në pronësinë e një shtetaseje me origjinë tailandeze, Khathinda Gerber me banim në Iserlohn. Kjo e fundit duket se ka punësuar Rizzatton si drejtor.

Përgjatë katër viteve nën drejtimin e Acikgoz, kompania zotëroi në ditën e vet më të mirë asete prej 33 mijë eurosh dhe kapital prej 25 mijë eurosh. Me kalimin e kompanisë nga shtetasi turk tek Gerber, kapitali rezulton të jetë rritur në 100 mijë euro.

Njësoj si pretendimi për burimin e parave, edhe ai për destinacionin e tyre fut ujë.

Në dëshminë e tij për Prokurorinë më 22 nëntor 2019, avokati Bledar Fejzo, ortak i vetëm i studios BHF Consulting ka konfirmuar një marrëveshje me Elvis Vladin për shitjen e një sipërfaqeje toke të klientit të tij.

Toka ndodhej në plazhin e Semanit në Fier dhe i përket pasardhësve të familjes Vrioni, të përfaqësuar prej tij. Fejzo tha në Prokurori se ishte autorizuar nga klientët e tij për të bërë marrëveshje për shitjen e tokës.

Në disa komunikime telefonike me BIRN, Fejzo u shpreh i gatshëm për të vënë në dispozicion marrëveshjet- megjithëse një takim me të nuk u bë asnjëherë i mundur. Një nga përfaqësuesit e familjes Vrioni –Janaq Jorgo e konsideroi megjithatë si “joserioze” mundësinë që 3.4 milionë eurot të përdoreshin për blerjen e tokës së tij.

As e kam haberin,” tha Jorgo, i pyetur nëse ishte në dijeni se paratë e sekuestruara në Durrës do të përdoreshin për të blerë tokën e familjarëve të tij. “Avokati [Bledar Fejzo] nuk më ka thënë asgjë”. “Atë tokë kanë ardhur shumë njerëz për ta parë…Nuk do e ketë konsideruar gjë serioze, përderisa s’ma ka thënë,” përfundoi Jorgo.

I pyetur mbi mospërputhjet e shumta të alibisë, avokati i Vladit i tha BIRN se ai kishte bërë atë që i kishte thënë klienti dhe se ai nuk kishte asnjë mundësi që të hetonte biznesin e Rizzattos në Gjermani.

Klienti më tha që ia ka dhënë Carlo, ndërsa Carlo thotë që i vërteton me bankë. Kjo është detyra ime si avokat, unë nuk e hetoj dot Carlon, sepse nuk kam asnjë lloj kompetence që t’i kërkoj bankës apo shtetit gjerman të dhëna për Carlon,” tha avokati Çela, duke ia faturuar këtë detyrë Prokurorisë.

Por edhe nëse ne nuk do ta kishim fare këtë alibi, është Prokuroria ajo që në bazë të Kodit të Procedurës Penale është e ngarkuar të gjejë provat dhe jo të fajësojë mbi dyshime,” shtoi avokati.

Kapitullimi i akuzës

Më 23 shtator 2019, Prokuroria e Krimeve të Rënda vendosi të dërgojë çështjen në gjyq, ndonëse një pjesë e letër-porosive të ardhura nga Belgjika dhe Italia ishin ende të papërkthyera. Vendimi për t’iu drejtuar me urgjencë gjykatës u nxit edhe nga një udhëzim i ish-drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, i motivuar me limitet e afateve të paraburgimit për të pandehurit.

Në udhëzim, Prela arsyeton se prokurorët Musabelliu dhe Nakuçi kishin kryer veprime të konsiderueshme hetimore dhe kishin konkluduar me ngritjen e akuzave.

E megjithatë, hetimi kapitulloi në përballjen e parë me gjykatën.

Në seancën paraprake të zhvilluar më 29 tetor 2019, prokurorët pretenduan se pesë të pandehurit kishin krijuar një grup të strukturuar kriminal me qëllim pastrimin e 3.4 milionë eurove përmes “fshehjes, mbulimit të burimit dhe zhvendosjes së pasurisë”. Prokurorët e justifikuan anën subjektive të veprës penale me tërësinë e veprimeve të të pandehurve dhe organizimin e tyre për të fshehur paratë, duke ditur paligjshmërinë e burimit të tyre. “Në të kundërt, do t’i kishin transferuar ato nëpërmjet formave ligjore, duke ekspozuar edhe burimin e tyre, gjë që nuk e kanë dashur,” argumentuan prokurorët.

Avokatët e të pandehurve pretenduan se katër klientët e tyre kishin kryer biznes të ligjshëm të transportit të makinave të përdorura nga Belgjika dhe se vetëm njëri prej tyre, Elvis Vladi, ishte në dijeni të parave. Ata kërkuan rrëzimin e akuzave për të pandehurit e tjerë dhe i sugjeruan gjykatës se vepra penale ishte ajo e “mosdeklarimit të të hollave në kufi” për Vladin.

Gjyqtari Fran Prendi i konsideroi hetimet të paplota dhe vendosi të kthejë aktet për hetime të mëtejshme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Sipas vendimit të Prendit, prokurorët nuk ofruan asnjë provë që të tregojë se të pandehurit kanë kryer ndonjë vepër penale në territorin e Shqipërisë ose jashtë saj, si rezultat i së cilës të jenë krijuar vlerat monetare të sekuestruara.

Në kushtet kur nuk kemi një vepër penale ose një veprimtari kriminale e cila ka nxjerrë produkte kriminale, nuk mund të ekzistojë as vepra penale e pastrimit të produkteve të një vepre penale që nuk ekziston,” argumenton Prendi në vendim.

Pasi rrëzoi akuzat e Prokurorisë, gjyqtari e urdhëroi këtë të fundit që të marrë dhe të përkthejë të gjitha aktet e letër-porosive nga autoritetet belge, gjermane dhe italiane si dhe të bëjë një analizë të plotë të fakteve të tyre –veçanërisht nëse të pandehurit kanë kryer ndonjë vepër penale në këto vende që ka nxjerrë përfitime materiale.

Prendi kritikoi në vendim prokurorët se nuk kanë shqyrtuar pretendimet e mbrojtjes së Vladit dhe se nuk kanë dalë me qëndrim nëse versioni i tij “nuk është i vërtetë” apo që “nuk mund të provohet”.

Gjyqtari urdhëroi më tej prokurorët që të marrin në pyetje avokatin Bledar Fejzo dhe të administrojnë ekstraktet e studios të tij ligjore nga Qendra Kombëtare e Biznesit si dhe të identifikojnë dhe të marrin në pyetje të gjithë pronarët e e tokës. Pyetja kryesore në adresë të tyre, sipas gjyqtarit do të ishte nëse ishin në dijeni se kush ishte investitori që do të blente tokën e tyre.

Në seancën e dytë paraprake të zhvilluar më 10 dhjetor 2019, prokurorët u rikthyen para gjykatës vetëm me dëshminë shtesë të avokatit Bledar Fejzo –që konfirmonte versionin e Vladit.

Prokurorët thanë se kishin përkthyer letër-porositë, por “nuk kishte rezultuar ndonjë e dhënë e re në krahasim me aktet që janë administruar gjatë hetimit”.

Prokurorët konsideruan gjithashtu se pyetja e pronarëve të tokës ishte e panevojshme.

[Bledar Fejzo] Pretendon se i përfaqësuari prej tij, Janaq Jorgo nuk ka qenë në dijeni të bisedave të kryera mes tij dhe Elvis Vladit, kështu që organi i akuzës ka vlerësuar se pyetja e tij është e panevojshme, pasi ai nuk ka qenë prezent në veprimet që janë kryer mes Bledar Fejzos dhe Elvis Vladit,” argumentuan prokurorët.

Seanca e 10 dhjetorit 2019 duket se u mbyll me kompromis mes avokatëve, prokurorëve dhe gjyqtarit -pasi përfaqësuesit e Prokurorisë i konsideruan të gabuara dhe të pasakta akuzat e ngritura më parë prej tyre.

“Bazuar në urdhërimet e vendimit 106, datë 29.10.2019, në kushtet kur nuk është bërë i mundur nga ana jonë plotësimi më tej i hetimeve për vazhdimin e akuzës në kushtet siç ishim, organi i akuzës çmon se jemi përpara rastit të nenit 332/d, paragrafi 3 për të proceduar me ndryshimin e akuzës…,” u tërhoq Prokuroria.

Pra, mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve për të gjithë të pandehurit, me përjashtim të të pandehurit Agim Çeka, akuza e të cilit mbetet e pandryshuar,” shtuan ata –duke pranuar akuzën që parashikon dënime deri në 2 vjet burg.

Lehtësimi i akuzës i hap gjithashtu rrugën pretendimeve për 3.4 milionë eurot e sekuestruara.

Kur ka mosdeklarim, nuk do të thotë që lekët kanë burim kriminal,” tha avokati Radovan Çela, ndërsa sqaroi se nuk kishte ende autorizim nga klientët që të merrej me paratë. “Nëse nuk ka vepër penale, paratë t’i kthehen të zotit,” përfundoi ai.

/Zëri i Amerikës/

Titulli orgjinal i shkrimit: Alibia e paverifikuar rrëzon hetimet e dosjes ‘Toyota Yaris’

 


Etiketa: , ,

Pas