Kryesore

VOA: E paqartë situata në Shkodër! Kapexhiu ‘zbulon’ fajtorin






               Publikuar në : 19:30 - 21/08/19 |
mapo.al

Një ditë pas njoftimit se Ministria e Financave dhe Ekonomisë bllokoi financat e Bashkisë Shkodër për shkak të përfundimit të mandatit të kryetares së kësaj bashkie, Voltana Ademit, është po kjo ministri që përmes një deklarate për mediat, bën të ditur se “strukturat e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, kanë ndjekur nga afër këto procedura në përputhje më legjislacionin në fuqi”.


Sipas Zërit të Amerikës, në njoftimin e saj Ministria e Ekonomisë dhe Financave nuk bën të ditur nëse në ditët në vazhdim, do të likuidojë apo jo faturat e kësaj bashkie të firmosura nga Voltana Ademi, të cilës, sipas kësaj ministrie i ka përfunduar mandati një ditë më parë.

Vetë zonja Ademi, e cila ndoqi sot punimet në një nga projektet e bashkisë, tha se asnjë nënpunës civil nuk mund të marrë përsipër të bllokojë procedurat që lidhen me vijimësinë e shërbimeve dhe investimeve në këtë bashki dhe se, për këtë, ajo do të ndjekë rrugën ligjore.

Një ditë më parë, përmes postës elektronike, zyrtarë të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë njoftuan Bashkinë e Shkodrës për bllokimin e financave pasi, sipas ligjit, kryetares së bashkisë i mbaroi mandati me datën 20 gusht, në orën 16 e 30 minuta dhe se për ditët në vazhdim do të ishte Këshilli Bashkiak ai që do të zgjidhë problemin.

Kryetarja e Këshilit të sapokonstituuar të Bashkisë, Brisela Kadija, e pyetur nga Zëri i Amerikës, tha se “Këshilli Bashkiak është në proces të zbardhjes së vendimeve të mbledhjes së parë të konstituimit dhe se, pas kësaj, do të vazhdohet me procedurat ligjore, ashtu siç e parashikon ligji”, duke mos qartësuar kështu, se si do të veprohet me mandatin e zonjës Ademi.

Zëri i Amerikës thekson se rasti i Bashkisë së Shkodrës ka krijuar një situatë të paqartë jo vetëm për analistët, por edhe ligjvënësit. Dorëheqja e fituesit të zgjedhjeve të 30 qershorit për këtë bashki, Valdrin Pjetrit, dhe deklarata e Presidentit të Republikës se nuk do të dekretojë zgjedhje të pjesshme për Shkodrën, kanë krijuar ngërç në drejtimin e kësaj bashkie.

Ndërkohë mjeshtri Bujar Kapexhiu, në rubrikën e tij Ngërç në Mapo, e ka gjetur se ku qëndron problemi me bllokimin e fondeve për Shkodrën.

Ndiqeni më poshtë punimin e tij.


Etiketa: , , , , , ,

Pas