Aktualitet

VOA: Nis viti i ri shkollor mes rreziqeve të pandemisë








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 22:37 - 14/09/20 |
mapo.al

Në Shqipëri nisi sot viti i ri shkollor, megjithë vështirësitë dhe rreziqet e pandemisë së koronavirusit.


Autoritetet njoftuan se ndërmorën një seri masash mbrojtëse për shëndetin e nxënësve dhe mësuesve, megjithatë shqetësimi i prindërve dhe komunitetit vazhdon të mbetet i lartë.


Dhjetëra mijëra nxënës në arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm nisën sot vitin e ri shkollor në kushtet e pazakonta të diktuara nga pandemia Covid-19.


Autoritetet arsimore pohojnë se kanë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe mësuesve.


Një protokoll shëndetësor është shfaqur në gjithë mjediset e shkollave dhe ministria ka kërkuar respektimin e tij me përpikmëri.

Midis masave të ndryshme që janë marrë për t’u mbrojtur nga infektimi prej koronavirusit është përgjysmimi i numrit të nxënësve në klasa, si dhe shkurtimi i orëve mësimore.

Zyrtarët pohuan se janë të vetëdijshëm që hapja e shkollave do të rritë numrin e të infektuarve me Covid, por zbatimi i masave mjekësore mund të parandalojë përhapjen e infeksionit.

Matja e temperaturës në hyrje të shkollës, vendosja e maskave dhe spëkatja e vazhdueshme me ilaçe higjenizuese në hyrje të klasave janë ndër masat kryesore edhe për nxënësit, ashtu si bëjnë secili në hyrje të shtëpisë përditë.

Bashkë me disa dhjetëra mijë nxënës në shkolla shkojnë edhe disa mijëra mësues dhe punonjës të tjerë, të cilët gjithashtu rrezikohen njëlloj nga infektimi prej koronavirusit.

Ish drejtuesja e arsimit të kryeqytetit, Majlinda Keta, sot përcolli mbesën e saj për në klasën e parë.

Ajo thotë se krahas pandemisë, shkollat dhe sistemi arsimor kanë një seri problemesh dhe mungesash të tjera themelore, nga siguria dhe deri tek cilësia e librave dhe mësimdhënies.

“Ne aktualisht kemi shkatërruar rrjetin e zyrave arsimore, kemi shkatërruar sistemin e kualifikimit të vazhdueshëm të mësuesve dhe librat shkollorë nuk janë në nivelin e duhur profesional” – tha zonja Keta.

Në disa shkolla ka njoftime për infektime të mësuesve dhe nxënësve, partia Demokratike ka kërkuar një testim masiv të mësuesve për Covid-19 para se të nisë viti i ri shkollor.

Opozita kërkoi që të mbrohet shëndeti i çdo nxënësi dhe i çdo mësuesi nevojitet edhe testimi covid dhe testimi serologjik, për të izoluar përhapjen e virusit nga mësuesit tek nxënësit dhe nga nxënësit tek prindërit dhe gjyshërit.

Qeveria, sipas opozitës, po e kalon përgjegjësinë e mbrojtjes së shkollave tek prindërit, duke u kërkuar të deklarojnë se janë të paprekur nga infeksioni.

Opozita deklaroi se ndryshe nga propaganda qeveritare, e vërteta është se masat janë gjysmake, fond shtesë për të mbrojtur shkollat nga Covid nuk ka, shkollat publike janë masivisht të papërgatitura për të përballuar pandeminë dhe se fëmijët dhe mësuesit janë në mëshirë të fatit.

Ashtu si ishte një vit i vështirë dhe i rrezikshëm për cdo shtet dhe familje për shkak të pandemisë së covid-19, ky pritet të jetë një vit i vështirë dhe i rrezikshëm edhe për sistemin arsimor shqiptar, ku sfida shëndetësore do të jetë e përtditshme./VOA/


Etiketa: , ,

Pas